Thursday, 19/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Drejtuar të zellshmëve

Drejtuar të zellshmëve

Selami-paqja qoftë mbi njerëzit e zellshëm, sepse ata janë ajka e kombeve, janë personazhet e lavdisë dhe nderimit, shpirtrat e të cilëve i ngjitën ata në piedestalet e lartësisë, kreshtat e kulmit, gradat e përjetësisë. Atij që synon piedestalet, nuk i hyn në sy asnjë preokupim, sado i vështirë qoftë e po të mos ishte vështirësia, që të gjithë njerëzit do ishin liderë.

Kumtimet e Shpalljes Hyjnore Islame të bëjnë apel: “Nxito dhe mos u ngujo në strehëzën tënde, garo dhe mos ngec në luginën tënde”. Kur Umeje ibn Khalefi mbeti në prapambetje, përfundoi në dekadencë, ndërsa Bilal ibn Rabahu, kur iu përgjigj thirrjes “Haje alel Felah-Hajdeni në shpëtim”, u bë prej personazheve të dinjitetit.

Gjithmonë syno piedestalin dhe mos kij dert. Kemi Musain (a.s), që pasi u përzgjodh prej Allahut dhe foli me të, i tha Zotit të tij: “Zoti im! Ma mundëso pamjen tënde e të të shikoj!”. [El Araf: 143]

Lavdia nuk vjen ashtu kot, por rrëmbehet. Kur zagarët të gjuajnë i mësuam, lejimin e ngrënies së gjahut të kapur prej tyre, me kumtim kuranor e fituam; kur pupëza barti mbi supe mision, në “Kaptinën e milingonës” përjetësohet për kurajën e saj në Kuran; milingona nga ana e saj, arrin të ketë sukses vetëm falë insisitimit, durimit të paepur dhe vetëflijimit; e si pas kësaj lavdinë kërkon dhe seriozitet nuk tregon, i thur himn piedestaleve dhe gjumin e natës s’e trazon, synon Xhenetin dhe me sunetet (adhurimet vullnetare) neglizhon?!

I Dërguari i Allahut u fal natën, aq sa këmbët iu bënë mavi, gurin ia lidhi barkut për shkak të urisë së paparë, teksa ai ishte robi më përdëllestar, thembrat gjak i kulluan nga gurët që u hodhën kundër tij, në çdo mësymje u sul vetë i pari.

Ebu Bekri (r.a) thirret të hyjë në Xhenet nga të teta dyert, pasi zemra e tij ishte e lidhur çdo sekondë me Zotin e tij, të gjitha fjalët e tij i shpenzoi për besimin e tij, veprimet me Udhëzimin Hyjnor i reformoi, gjendjen e tij drejtësia e orientoi, pasurinë në Rrugë të Allahut e investoi, Rrugë për të cilën u largua nga familja dhe emigroi.

Umeri (r.a) rroba të arnuara veshi, ofshama e tij kur përmendte vdekjen shumë e lëndoi, në çështjen e besimit të tij është treguar i rezervuar e edhe plane shumë ka planifikuar, ishte i paanshëm, i drejtë, i çiltër, të shumtën e natës në adhurim e kaloi, Allahut që të binte dëshmor i kërkoi, dhe atë Allahu, edhe pse vdiq në xhami, me martirizim e furnizoi.

O rob i hiteve muzikore! Dil nga qilari i fantazive, shkunde pluhurin e dembelizmit, braktise monotoninë e vetëfajësimit; kush i qëndron rrugës, arrin atje ku do. Thëniet kuranore të Zotit tonë po i harron, namazet po i vonon dhe jetën duke bërë sehir po e çon, çudi sesi pas kësaj Xhenetin e aspiron?!

Mjerë për ty, pasha Allahun milingona nuk është ngopur, derisa ushqimin e vet me ngulm e ka kërkuar; luani vetëm pas gjuetisë dhe brofjes, titullin mbret i pyllit e ka fituar; në shenjë, pa dalë nga harku, asnjë shigjetë nuk ka qëlluar; shpata pa u mprehur më mprehtë se brisku, askënd nuk ka copëtuar.

Pëllumbi folenë e tij vetë e ndërton; pendëkuqi kashtën e tij vetë e siguron; merimanga vetë shtëpinë e saj e skicon; zhapiku strehimin e tij në tokë vetë e gërmon; karkaleci rezidencën e tij vetë e konstrukton; kurse ti, po me kokën në jastëk, shtrirë në krevat, sa gjerë – gjatë.

Hadithi (thënia profetike) apelon: “Angazhohu në atë që të bën dobi!”; pasi ajo gjë që dobi të bën, në piedestal të çon. Gjithashtu hadithi tjetër apelon: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu, sesa besimtari i dobët”; pasi fuqia fortifikatat më të larta i ndërton dhe tituj nderi të dhuron. 

Njeriu i zellshëm s’do t’ia dijë për vapën, nuk ia ka frikën acarit, as trazira s’e shqetëson dhe as hidhësira se streson, duke qenë se durimi atë e fortifikon.

I zellshmi, i paraprin kombit drejt kreshtës, “Ndërsa të pëparmit janë të dalluar (janë në ballë). Ata pra, janë më të afruarit (te Zoti) [Vakia: 10-11]; dhe kjo sepse ata janë inspektorë të së mirës dhe ekspertë të bamirësisë.

Dhelpra kënaqet edhe me ngordhësirën, kështu shënimi në fusnotë qëndron. Nëse gomari do ishte i shpejtë si kali, nga poshtërimi do shpëtonte; dielli vozit, hëna shpejton në orbitë, ndërsa ti ende je në gjumë por s’e kupton, ha, pi, lodron dhe gëzon, teksa mëkati në të katër anët të rëndon dhe mbulon.

Kur Ahnefi e përmbajti zemërimin e tij, u bë shembull në maturi; Anterin, kur shpirtin e tij nga vdekja s’e kurseu, me mbretërit populli i tij atë e shëmbëlleu; kur Hatimi ushqimin çdo vizitori ia siguroi, pasurinë e tij përgjatë sezoneve e shpenzoi, model i bamirësisë përfundoi, histori nderimi, në lugina e malësi, mbeti në çdo gojë. 

Kur kumria fluturoi, mbi degët e larta qëndroi, ndërsa kur brumbulli përdhe u pozicionua, me krimbat u nivelua…

Edisoni, zbuluesi i energjisë, të gjithë moshën e tij shpikjes së tij ia dedikoi, të gjithë njerëzit e mençur i befasoi; syri i naivëve kurrë qetësi s’do bëjë. 

Zbuluesi i atomit, dhjetë mijë herë eksperimentoi, për të arritur tek ky zbulim, që botën mbarë trazoi…

Dikush prej kronistëve është verbuar nga angazhimi i tepërt me kronikat e transmetimeve, por ai nuk është brejtur dhe as molepsur, deri sa ka arritur finishin. Në kërkim të transmetimit (të hadithit), Ahmed ibn Hanbeli, ka ecur nga Bagdadi deri në Sana, kurse ti pezmatohesh të mësosh një dua. Dikush tjetër prej tyre udhëtoi deri në Egjipt, një muaj shkuarja dhe një tjetër kthimi, në kërkim të një hadithi (transmetimi profetik) të vetëm, që të arrijë me të lavdinë e pasosur. Nëse s’do ishte sprova, nuk do thirrej Ahmedi “Imam i Sunetit-Traditës Profetike”, nuk do ngrihej lart ajsbergu. Ibn Tejmije vendoset në qeli, nga ku gjithë botën e mbush me literaturë. Dije se uji që rri në një vend qelbet, pasi ai nuk ka udhëtuar dhe s’ka lëvizur, ndërsa kur rrodhi, në esencën e jetës u shndërrua. Ngordhësira mbi det pluskon, ngaqë s’peshon; ndërsa smeraldi në tabanin e detit udhëtoi, ndaj mbi kraharorë vend nderi fitoi.

O ti i fjetur pa masë, gjumi yt fund s’paska pasë, por çmimin ke për ta paguar, o ti që përgjumja të ka pushtuar. Jetën e mendon muhabet, bastisje, pështjellim dhe intimitet, por jeta është program, lot, rekat namazi dhe luftim i bidatit, në të vërtetë.

Allahu na urdhëroi të punojmë, që punën tonë Ai ta vështrojë dhe tha: “E ata, të cilët luftuan, (u përpoqën dhe mobilizuan), për ta fituar kënaqësinë Tonë, Ne me siguri kemi për t’i orientuar rrugëve Tona…” [Ankebut: 69], pra jeta është besim dhe mobilizim, durim dhe insistim, përpjekje dhe kontribut, bamirësi dhe shpëtim; jeta nuk ka vend për llupësin dembel; në autobusin e dynjasë për të topiturin asnjë vend s’ka ngel.

Vihu në kërkim të shpërblimit, që në hershmërinë e agimit, duke lexuar, përkujtuar, duke lutur Zotin dhe falënderuar, pasi kjo është koha kur zogu nga foleja e tij ka fluturuar dhe mos harro (thënien profetike): “Allahu ia ka bekuar agun kombit tim”.

Bota mbarë është në lëvizje, si të ishte një kompani gjigande, ndërsa zemra jote është e rrënuar, si të jetë dërrasë e gozhduar. Zogu këndon, hëna vezullon, uji gurgullon, flladi fërfërin, luanët në kërkim të gjahut janë vënë, gjallesat në një vend s’qëndrojnë, kurse ti mbi shtrat si kufomë, as çështja e adhurimit dhe as ajo e dynjasë s’të preokupon, i fjetur, i përhumbur, i vetëkënaqur, tallës, dembel dhe llupës, e ke statusin gjithmonë.

Zgjohu, vërja veshin intonacionit të zërit të Sheriatit (Ligji Islam); braktise ngacmuesin, maniak dhe bidatçi, tek zelli novator të thërret vetëm Sheriati, që lidhur me pasuesit e tij thotë: Ata kurrë s’u dobësuan, sprovave s’iu dorëzuan, pasi Librin e tyre e mbartën në kraharorë pandarë, ligjërimin e tyre ia kumtuan botës me të parë, ndaj Zoti i tyre i udhëzoi në rrugën e tyre të mbarë.

Ndërsa të prapambeturit u kënaqën të mbeten me njerëzit e gozhduar, me ata duke “garuar”, gjahu i tyre është çdo heretik i devijuar, që nga e vërteta ia ka mbathur e është larguar.

Allahu, shurdhmemecët, të cilët s’e dëgjojnë dhe as flasin të vërtetën, do t’i bënte të dëgjojnë dhe kuptojnë, po të dinte të pritej prej tyre mirë, gjë që do e vërtetonin nëse do brofnin dhe do i braktisnin shtretërit e tyre; por të gozhduarit Allahu nuk pëlqeu t’i vinte në lëvizje.

Kali, falë zellit të tij, frerin e vet e përçap dhe kafshon, ndaj dhe mbreti me të kalëron; ndërsa gomari këmbën në litar e ngatërroi, kësisoj dajakun nga pas e meritoi.

Ibn Xheriri, të sjell “Librin e Tefsirit-Komentimit të Kuranit”, të kulluar dhe konfirmuar, stolisur e verifikuar, kurse ti shok këtë libër s’e bën dhe prej tij s’lexon.

Ibn Haxheri përpiloi përgjatë tridhjetë viteve, përpilimin e tij “Fet’hul Bari”, Allahu e shpërbleftë sa libër i hijshëm dhe me vlerë, ndërsa ti, për fat të keq, e ke harruar atë në raftin pranë, si të ishte ndonjë tamtam. “E ka disa prej tyre që janë analfabetë, nuk e kuptojnë librin, por jetojnë vetëm në shpresa, të luhatur”. [Bekare: 78]

Ky tjetri, mosbesimtar, por për çdo ditë zhytur në novacion, makinën e projektoi që botës mbarë t’i shkojë, aeroplanin qiellit ia përshkoi, për ushqimin tënd frigoriferin ta dhuroi, edhe qelqin ku pi ujë ai ta sajoi, ndërsa ti po njëlloj, s’di tjetër veçse ha, pi, zbavitje dhe lojë.

Ti plogështohesh, ndërsa engjëjt jo, pezmatohesh ndërsa engjëjt pranë Zotit të tyre nuk pezmatohen, me çfarë shpreson të hysh në Xhenet, a të është thyer në mbrojtje të besimit tënd ndonjë dhëmb, a ke sakrifikuar për Zotin tënd, a je lënduar për të mbrojtur traditën e Profetit tënd?! Shkunde një herë e përgjithmonë pluhurin e plogështisë, njomështia e vendosmërisë po të thërret në vesh, a po e dëgjon, apeluesi i së mirës po të fton, pse s’nxiton?! “O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të Dërguarit kur ai (i Dërguari i Allahut) ju fton për atë(fenë Islame) që ju jep jetë!”. [Enfal: 24]

Zelli i përflakur e arrin medoemos synimin  e tij, vendosmëria e paepur e arrin medoemos aspirimin e tij, ligj ky që s’ndryshon dhe çështje që s’pëson tjetërsim.

Një shkrim tjetër i dobishëm  ME BUZËQESHJE I PËRFITON ZEMRAT!

Dije se zelli zemrën e ndez, vështirësinë e lehtëson, dërrasën në lundër e shndërron, vuajtjen e ëmbëlton. Ai që ka zell kreshnik dhe vendosmëri të paepur, sarajet e piedestaleve i mësyn, aspirimet e vyera i arrin. Që lavdinë ta meritosh, je i nevojshëm që zell të paepur dhe aftësi gjigande të posedosh.

Thuaji dembelit gjumash, të rënduar e vetëkënaqur, që gjumin nga sytë e tij ta fshijë, sklepat nga qerpikët t’i pastrojë, po deshi nga uji i lavdisë, një pikël të përftojë. Prej dritës së piedestalit asnjë rreze s’do shikosh, përderisa të insistosh dhe sërish të insistosh, obligimin ta veprosh dhe shkakun ta konsiderosh.

Përgëzim për të zellshmit që në piedestale arritën!

Poshtëruar qofshin të ngujuarit, që neglizhenca e tyre në llum i rrënoi, gjumi i tyre i gjatë nuk mundi që në mbretërinë e meritës t’u ndërmjetësojë.

Atyre gjumashëve thuaju: “Ju ishit të kënaqur herën e parë që të ngujoheshit, rrini pra me të prapambeturit!”. [Teube: 83]

Gulçoni kah horizonti i kompletimit, ju burra dhe ju gra, ushtrojini fëmijët me moral, suluni, me çdo kusht, vihuni në ballë!

 

 

Perktheu: Altin Torba

Categories

Archives