Wednesday, 18/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dobitë e namazit ne aspektin psikologjik

Dobitë e namazit ne aspektin psikologjik

ASPEKTI PSIKOLOGJIK I NAMAZIT

“Ti lexo atë që të shpallet nga Libri (Kur’ani), fal namazin; vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat….” (El Ankebut, 45).

Të gjitha lëvizjet e jashtme gjatë faljes së namazit janë jokomplete për besimtarin,në qoftë se vetë forma e namazit nuk kompletohet me qëllimin që besimtari dëshiron të arrijë, e ky është përjetimi shpirtëror i pranisë së Allahut të Madhërishëm. Kjo gjendje e lartësuar e besimtarit përjetohet vetëm në momentin e vetëdijes sonë që dëshirojmë para Krijuesit tonë.

Mu kjo fuqi shpirtërore e namazit i ndihmon besimtarit në qetësimin e tundimeve dhe presioneve të jetës. Lënia e namazit e kthen njeriun nga “forma më e bukur” (ah’senuttakvim) në “nivelin më të ulët”(esfelus-safilin).
Vetëm përmes namazit shpirtrat përkujtojnë besën e paralashtësisë (kontratës në mes Zotit dhe njeriut), që ia dhanë Krijuesit të vet, para se të krijohej bota. Vetëm përmes namazit njeriu kthehet në natyrën e tij, në gjendjen e lashtësisë (fitretullah, e kjo është gjendje e vetëdijes së Krijuesit të vet).
AbdesiAbdesi është kusht themelor i njeriut për takimin me Allahun e Madhërishëm. Fjala arabe vudu’, e cila përdoret në kuptimin e abdesit, përmban në vete edhe kuptimin e pastërtisë, bukurisë dhe shkëlqesisë.
Pra, vetëm me këtë mënyrë, besimtari mund të hyjë në komunikim të jashtëzakonshëm me Krijuesin e tij. E rezultati i këtij komunikimi nuk është asgjë tjetër përveç bukurisë dhe pastërtisë së shpirtrave tanë.
Takimi i besimtarit me Allahun e Madhërishëm është i përafërt. Ai nënkupton pastërtinë e trupit dhe shpirtit. Parakusht për pastërtinë e brendshme që arrijmë në namaz, është pastërtia e jashtme, që besimtari e arrin me abdes. Abdesi është gjendje e përgatitjes së besimtarit, që ta pranojë dhe kuptojë dhuratën e Zotit, të dedikuar vetëm për njeriun. Ja pse besimtari e merr Kur’anin në dorë me abdes.
Pejgamberi, a.s., ka thënë që Ymeti i tij do të thirren (gurren muhaxhxhelin), për shkak të gjurmëve të abdesit, prandaj abdesi është armë e besimtarit dhe pjesë e besimit. Ajeti kuranor: (Shih: El Bekare, 138), sipas disa komentuesve ka kuptimin që Allahu i Madhërishëm i ka dhuruar pastrim vetëm njeriut, me se e ka dalluar nga të tjerat krijesa. Fjala “sibgah” në versetin e cituar ka kuptimin ‘ngjyrosje’, ‘pastrim’.
Pra, Krijuesi ynë na ka pastruar me një shenjë të veçantë të pastërtisë (sibgatullah), e kjo është pastërtia më e bukur, me të cilën kemi ardhur në këtë botë. Abdesi është mundësi dhe gjendje e shkëlqesisë së besimtarit në këtë botë, për të arritur kuptimin e pastërtisë metahistorike të njeriut. Abdesi ka në vete një simbolikë të thellë. Shumë versete e orientojnë vëmendjen tonë në shiun që zbret si bekim hyjnor, mu sikur ka zbritur Shpallja (për këtë arsye në traditën tonë islame është gabim të thuhet “po bie shiu” sepse bereqeti “zbret” e nuk “bie”). Shpallja dhe shiu janë “tenzil”, të zbritura, të dërguara poshtë, edhe uji, edhe Shpallja janë të paraqitura si Mëshirë Hyjnore, qëi mundësojnë dhe i ofrojnë njeriut jetë, gjallërim. Uji si mëshirë ka veprim serioz, përveçqë pastron trupin, ndikon edhe në shpirtin e njeriut,. Të gjithë e kemi përjetuar fuqinë trupore e shpirtërore pas larjes, nëse jemi të molisur nga puna. Të mos harrojmë se Ejubit, a.s., i ishte urdhëruar që të pastrohej me ujë që gurgullontenën këmbët e tij, për t’u shëruar nga sëmundja e rëndë që e kishte kapluar për vite me radhë.Dobitë e namazit në kohën e sotme

Një prej emrave të Allahut të Madhërishëm është edhe Rabb. Përveç kuptimit Zot, ka edhe kuptimin “Edukues” , dhe nga kjo rrjedh fjala “terbije”, që e njohim nëpërmes sintagmës “terbijetun-nefs” – edukim i egos. Allahu si edukues zbaton mënyrën e edukimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për ne, duke vënë në dukje një qëllim të edukimit të myslimanëve.
Qëllimi i drejtpërdrejtë i komunikimit të Tij janë fjalët e Tij: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju. (El Ankebut, 45) Mjeti me të cilin Allahu i Madhërishëm dëshiron të na tregojë për të na larguar nga të këqijat dhe e neveritura, është namazi. Duke falur namazin, myslimani orientohet nga jeta, pa vese të këqija dhe të neveritshme. Ky është shembull i komunikimit të drejtpërdrejtë dhe i qëllimit të namazit. Mënyra e tërthortë e komunikimit të qëllimit të namazit është shprehur në ajetin kuranor: “Kur të kryeni namazin (e frikës) përmendeni Allahun, kur jeni në këmbë, ulur, të mbështetur. E kur të qetësoheni (nga lufta), atëherë faleni namazin në mënyrë të rregullt, pse namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët. (En Nisaë, 103)
Pra, përveç karakterit edukues të namazit, paraqitet edhe komponenti plotësues si mjet ndihmës me të cilin Allahu i Madhërishëm, u tregon besimtarëve rrugën deri në cak. E kjo është lidhja e namazit me “kohë të caktuar ”.
Pra, namazi është shtyllë e Islamit, e përcaktuar me kohë. Katër prej kushteve të Islamit (përveç shehadetit) janë të lidhura me kohë. Agjërimi është obligim në Ramazan, zekati me nisab, haxhi në muajin dhul-hixhe. Duke ua tërhequr vërejtjen myslimanëve për kohën si edukuese, Allahu i Madhërishëm përdor lidhjen e riteve qendrore islame me kohën dhe me atë lidh varshmërinë dhe vlefshmërinë e këtyre obligimeve. Ai që fal namazin e sabahut në kohën e akshamit, namazin nuk e ka të drejtë.
Ose, nëse dikush agjëron muajin muharrem në vend të Ramazanit, ka bërë mëkat, apo nëse dikush shkon në haxhillëk në muajin e Ramazanit, nuk mund të ketë ndonjë dobi.
Nëse krahasojmë jetën e një myslimani mesatar dhe marrëdhënien e tij me kohën, do të shohim një dallim të madh. Edhe pse namazi që falim, zekatin që japim, Ramazani që agjërojmë, Qabeja që vizitojmë, do të duhej të ndikonin
në kuptimin tonë të kohës, si një komponent me të cilin është përcaktuar jeta jonë, vërehet tejet qartë se myslimanët sot janë më të pasaktë në marrëdhëniet me kohën. Me një fjalë, kohët e ibadetit nuk kanë komponentin e edukimit në jetën tonë, jo vetëm që nuk na largojnë nga “të shëmtuarat” dhe “të irrituarat”, por nuk kemi arritur as të kuptojmë marrëdhënien reale ndaj kohës. Shkaku për këtë duhet kërkuar në faktin që ibadetet (namazi në radhë të parë) i kryejmë mekanikisht, pa menduar. Në finesa kemi mësuar mekanikën e namazit, e se çfarë ndikimi duhet të ushtrojë namazi tek ne, këtë nuk e kemi arritur dhe as që mendojmë shumë për këtë.
Njerëzit dëshirat e tyre i orientojnë nga gjërat që u mungojnë. Vlerën e shëndetit njeriu fillon ta çmojë vetëm kur të sëmuret; vlerën e pasurisë kur të varfërohet; vlerën e syrit kur verbohet etj.. Nuk ka belá (fatkeqësi) më të madhe që do t’i gjejë njerëzit, se pyetja para Allahut të Madhërishëm në Ditën e Gjykimit: “Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjiri dhe secila shtatëzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i ashpër.” (El Haxhxh, 2).
Dhe cila është ajo për se do ta lusë Allahun njeriu në këtë situatë, kur Allahu i Madhërishëm vendos që ndonjëri prej nesh (na ruajttë Allahu nga ky përfundim) të përfundojë në zjarr? Kjo është KOHA! “Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë prej atyre bamirësve!” (Ez Zumer, 58)
Me fjalë të tjera, në këtë moment njeriu lutet për kohën – amanet të cilin sot e ka me bollëk. Nuk e di çfarë të ka përcaktuar Allahu i Madhërishëm dhe kur do të mbarojë nafaka, prandaj shfrytëzoje duke bërë atë me se Allahu është i kënaqur. Mos e kalo me gjëra prej të cilave nuk ke dobi.
Në hadithin më të saktë që transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, Muhamedi, a.s., thotë që namazi i besimtarit me xhemat është më i mirë se namazi individual, 27 herë. Pra, nëse harxhon dhjetë minuta për falje të namazit me xhemat, kjo është sikur të jesh falur 270 minuta (4,5 orë) vetëm. A nuk është ky një shfrytëzim maksimal i kohës, për të cilën sot flasin arsimtarët në shkolla, shefat në punë etj.? Pejgamberi, a.s., na edukon se si, përmes namazit, ta pasurojmë kohën tonë, kështu që nga një minutë e jetës sonë t’i bëjmë 27 minuta dhe në këtë mënyrë kthehemi te karakteri edukues i namazit.

Veprat e vogla por të vazhdueshme

Imam Ibnul-Kajjim, në një vepër të tij, pyetjes se cila vepër është më e vlefshmja, i përgjigjet se kjo varet nga koha në të cilën gjendet njeriu. Nëse zotëron uria (varfëria), atëherë vepra më e mirë (koha e shpenzuar më së miri) është të ushqejë të uriturin. Jetojmë në kohën për të cilën i Dërguari i Allahut, a.s., ka thënë që do të vijë koha kur “as më të diturit tuaj nuk mund të gjenden”, dhe çdo përgjigje konkrete për pyetjen: “Në se ta depozitojmë kohën sot?”, në rend të parë kërkon analizë të thukët të situatës në të cilën gjenden myslimanët sot.
Mungesa e sistemit në jetën e myslimanëve (të cilët do të pengoheshin sikur ta mësonin leksionin për namazin, që e praktikojmë pesë herë në ditë), sjell kaosin në pjesë të madhe të të cilit e kemi shkaktuar ne. Në këtë proces duhet mbajtur në mend që dekadenca e myslimanëve nuk është një proces që ka filluar dje, po një proces i vjetër disa shekuj. Prandaj është iluzore të besohet që zgjidhja e problemit mund të ndodhë brenda një nate. Megjithëkëtë, mund të bëjmë hapin e parë dhe punën tonë të mos e lidhim domosdo me rezultate të menjëhershme. Për këtë qëllim, secili prej nesh duhet të analizojë veten dhe situatën në të cilën gjendet. Lidhur me kuptimin e realitetit, do të vijmë në përfundime të ndryshme – se për çfarë duhet ta shfrytëzojmë kohën. Por rëndësinë e pasjes së “frymës së gjatë” në këtë rrugë, duhet ta vëmë në plan të parë detyrimisht dhe pandërprerë. Pyetjes drejtuar Aishes dhe Ummu Selemes: “Cila ka qenë vepra më e dashur e Pejgamberit,a.s.,? i janë përgjigjur: “Një vepër e vogël, por e vazhdueshme’”. Njerëzit që humbasin çdo mundim për namaz, si shkas i pasimit të epsheve të tyre, do të përjetojnë dështim të plotë në këtë botë. Në Kur’anin fisnik thuhet “ E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja).” (Merjem, 59)
Duke parë të këqijat e sotme që rrethojnë njeriun në botën e diturive moderne, shohim se jeta shpirtërore e njeriut janë e vetmja shpresë dhe shpëtim në këtë shthurje të përditshmërisë, në mes qëllimeve që ofron kjo kohë dhe
mundësive reale të njeriut. E jeta shpirtërore në Islam bazohet në fuqinë shpirtërore në namaz.
Dobitë e namazit janë të shumta në vërdallat e kohës së sotme. Profesor Nasr, në veprat e tij ka shënuar një mendim të shkëlqyeshëm. Ai vëren problemet që shkakton njeriu modern duke harruar dimensionin transhendent të jetës. Burgosjen e qenies së tij në kafazin e botës materiale dhe kufizimin e horizontit të tij në aspektin thjesht trupor, mund t’i zgjidhë vetëm me njohjen se njeriu është i pavdekshëm, ndërsa inteligjenca e tij është krijuar për të arritur tek Gjithëkrijuesi Absolut.
Për të kuptuar realisht mendimet e cekura, mund të na ndihmojnë klithmat e zëshme, si dhe pyetjet: Çfarë mund të kënaqë sot shpirtin tonë në këtë botë të formave, dhe çfarë mund të plotësojë boshllëkun? Namazi, pa dyshim, e ndihmon njeriun që të lirohet nga burgu i ekzistencës materiale, duke e kthyer në lashtësinë e tij.
Nëse njeriu dëshiron përsosuri shpirtërore, duhet të hyjë në formën që shpreh gjendjen e tij shpirtërore. Në këtë botë të formave, pa shpirtëroren, njeriu është pa kokë. Mjerisht, sot në botën moderne njeriu me diturinë e tij nuk e pushton natyrën, por e humb veten dhe botën e tij të vetme autentike. Njeriu sot gjithnjë e më shumë ndihet i vetmuar, i humbur, pa shpirt e kuptim, i mbushur me shpresa dhe iluzione të rrejshme. Mund të themi se njeriu sot më së shumti vuan nga mungesa e shpirtërores. Për këtë arsye Profesor Nasr thotë se njeriu duhet të jetë përherë në namaz, sepse në këtë mënyrë vendos harmoninë në mes njeriut dhe tokës. Në të vërtetë, njeriut të sotëm të depersonalizuar, namazi ia kthen integritetin që ia ka shkatërruar kultura moderne. Namazi e përmbledh njeriun në bindje kozmike ndaj Allahut të Madhërishëm.
Kështu Kur’ani fisnik thotë: “Ata (ithtarët e librit) thanë: “Allahu ka fëmijë”!? I pastër është Ai nga kjo e metë! E Tij është gjithçka në qiej e në tokë, gjithçka i është nënshtruar Atij.” (El Bekare, 116)
“A nuk e di për Allahun se Atij i lutet kush është në qiej e në tokë, madje edhe shpezët krahëhapura. Të gjithë e dinë dhe janë të udhëzuar për lutje ndaj Tij dhe për madhërimin ndaj Tij. Allahu e di ç’punojnë ata. (En Nur, 41)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Shkenca thërret në besim

Të jesh namazli në ditët e sotme, do të thotë të jesh me Zotin

Nëse Dielli, me lindjen dhe perëndimin e tij, i nënshtrohet Krijuesit të vet, edhe secili njeri në nivelin biologjik i nënshtrohet Krijuesit, p.sh. me lindjen dhe vdekjen e tij, në çdo frymëmarrje të tij. Prandaj, është e natyrshme që njeriu t’i nënshtrohet me vetëdije Krijuesit të tij në jetën e vet. Nuk është e natyrshme që të mos i nënshtrohet, sikurse nuk është e natyrshme që njeriu të mbyllë gojën e hundën për të mos marrë frymë.
Namazi e mbron njeriun në këtë botë të dukshme nga të gjitha adhurimet që nuk janëtranshendentale. Allahu xh. sh. ka mbjellë në zemrën e secilës qenie njerëzore mallëngjimin për transhendencë. Prandaj, ai që fal namazin, i bën sexhde vetëm Allahut të dashur.
Natyrisht, njeriu në dynja ndodhet në mes dashurisë ndaj Allahut dhe ndaj kësaj bote. Pra, njeriu ballafaqohet me një luftë të brendshme.
Ai ka mundësinë për të zgjedhur në mes lirisë dhe humbjes së vetvetes. Duke liruar shpirtin e tij nga barra e kësaj bote, musal-liu liron vetveten.
Në Kur’anin fisnik përmendet shpirti me frymëzim të dyfishtë, për të keqen dhe ndjenjën e afërsisë me Zotin” Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. (Esh Shems, 7-8)
Dynjaja e thërret shpirtin që të pasojë epshet.
Shpirti i namazliut e thërret njeriun në të mirën, prandaj namazi na ndihmon për të hyrë në një botë reale krejt tjetër, e cila përbëhet nga tri nivele:

1. Niveli i përkujtimit (në namaz duke përmendur Allahun, ne përkujtojmë pozitën tonë reale në këtë botë);
2. Niveli i udhëheqjes së kohës (namazi kryhet në kohë të përcaktuar saktë);
3. Aspekti shoqëror dhe ai individual që arrihen me namaz (me namaz arrijmë jo vetëm dobi individuale, sikur u theksua më sipër, por me namazin e përbashkët ne mësohemi me jetën shoqërore).
Për këtë arsye, të jesh namazli në ditët e sotme, do të thotë të jesh me Zotin e dashur, të shfrytëzosh në mënyrë të drejtë kohën që është në dispozicion, të kontrollosh dashurinë ndaj pasurisë, t’i zhvillosh ndjenjat e dashurisë ndaj të tjerëve. Në këtë dritë na zbulohet edhe kuptimi i versetit kuranor: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju.” (El Ankebut, 45)
Përkujtimi në namaz është shprehja më e lartë e bindjes dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit tonë.

Namazi ka edhe fshehtësitë e tij, të cilat i arrijnë vetëm besimtarët e sinqertë. Qëndrimi në këmbë (kijam), përulja (ruku’) dhe sexhdeja janë pjesë përbërëse të namazit, por edhe ibadete në vete. Këto kanë vazhdimësinë që nga Ademi, a. s., e deri te Muhamedi, a.s.. Shejtani është vazhdimisht në pritë për ta larguar njeriun nga sexhdeja dhe nga namazi, i nxitur nga zilia se namazliu do të bisedojë me Allahun e Madhërishëm.
Për këtë arsye njerëzve u tërhiqet vërejtja që të kërkojnë shpëtim në sexhde: “O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim.” (El Haxhxh, 77
“Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja). (El Hixhr, 98-99)
Siç thotë Pejgamberi, a.s., namazi është miraxh i besimtarit, ngritje unikale shpirtërore e njeriut në këtë botë. Me namaz njeriu anon nga njohja e vetvetes, ndërsa pa namaz bie në greminat e kurtheve të dynjasë. Rrugë tjetër nuk ka – ngritje ose rënie. Është vështirë të paraqiten me dituri e me fjalë fshehtësitë e namazit. Përvoja e secilit namazli është e veçantë dhe vetëm e tij. Mesazhi i Kur’anit fisnik është preciz dhe i saktë për secilin individ: “Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet. (E’A’ëla, 14-15).

Shkruar nga: PRIM.DR.MED.SC. ALI F. ILJAZI.

Categories

Archives