Saturday, 27/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dobitë e agjërimit, urtësitë e mëdha dhe dispozitat e tij


Dobitë e agjërimit, urtësitë e mëdha dhe dispozitat e tij


ramazani agjerimi

Agjërimi ka vlera, dobi dhe urtësi të shum­ta, ku prej tyre janë:

 

1 – Agjërimi është shkak për të arritur de­vot­shmërinë, sepse epshi kur ndalohet nga ush­qimi hallall me shpresën për të arritur kë­na­qësinë e Allahut dhe si pasojë e frikës prej dë­nimit të Tij të rreptë, atëherë pa dyshim që besimtari do të largohet nga haramet, që nën­kup­ton se agjërimi është shkak i arritjes së de­vot­shmërisë, për këtë vlen të përmendet fjala e Allahut: “O ju që besuat, agjërimi ju është bë­rë detyrim sikurse ishte detyrim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të de­vot­shëm.”[1]

 

Kurse i Dërguari i Allahut paqja dhe më­shi­ra e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kush nuk e lë fjalën e rrejshme dhe punën me të, si dhe injorancën Allahu nuk ka nevojë që ky person ta lërë ushqimin dhe pijen e tij.”[2]

 

2 – Agjërimi është ai që e bën njeriun të je­të falënderues i begative, sepse të ndaluarit e vetes nga epshi, të ushqyerit, të pirit dhe gjërat të tjera, të cilat e prishin agjërimin është prej begative të mëdha, meqë vlerën e diçkaje robi e kupton kur ajo i mungon për një kohë të caktuar e kështu kur i kujtohet robit gjatë ko­hës kur ai i disponon, atëherë ai bëhet falën­de­ru­es ndaj Allahut, ai e shijon gjatë hapjes së iftarit freskinë e ujit, i shijon ushqimet e shum­ta. Për këtë falënderim aludon edhe fjala e Allahut në fund të ajetit, ku flitet për agjëri­min e thotë: “…me qëllim që ju të jeni shumë mirënjohës e falënderues ndaj Tij.”[3]

 

3 – Agjërimi i paraprin natyrës njerëzore, duke e larguar nga epshet e këqija, për shka­ku se njeriu kur ngopet, atëherë dëshiron që t’i plotësojë të tërë dëshirat dhe epshet e tij, mi­rëpo kur është i uritur nuk e ndjek dot ep­shin e tij, njësoj si kur është i ngopur. Nisur nga kjo i Dërguari i Allahut paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “O ju të rinj kush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse kjo e ruan syrin nga shikimet në haram dhe ia mbron pjesët e turpshme. Ai që nuk ka mundësi të mar­tohet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mburojë për të.”[4] Pra, agjërimi është një nga shkaqet, i cili e frenon birin e Ademit nga rë­nia në mëkate.

 

4 – Agjërimi mundëson hapjen e zemrës, që kur ta përmendë Allahun dhe të meditojë për Allahun t’i nënshtrohet vetëm kësaj gjëje me përkushtim, sepse njeriu kur e tepron me gjë­ra të lejuara zemrën e kaplon gafleti (pa­kuj­de­sia ndaj të përmendurit të Allahut) dhe ndosh­ta ndonjëherë i ngurtësohet zemra dhe ver­bohet për të kuptuar të vërtetën.

 

5 – Me anë të agjërimit i pasuri arrin t’i kuptojë begatitë e Allahut ndaj tij, ngaqë ndosh­ta shumica e njerëzve në këtë pikë janë neglizhentë.

 

6 – Agjërimi të ndihmon në përmbajtjen e vetvetes dhe që ta sundosh atë, derisa të këtë mundësi muslimani ta udhëheqë veten e tij në këtë botë dhe në ahiret.

 

7 – Me Agjërim e përmban veten dhe pa­kë­sohet mendjemadhësia.

 

8 – Nëpërmjet agjërimit kupton, se duhet t’i mëshirojmë dhe të sillemi mirë me të var­f­rit, meqë agjëruesi e shijon urinë dhe etjen, dhe kjo e bën që zemrën e tij ta mbulojë më­shi­ra ndaj atyre, që janë shpesh në këtë gjen­d­je e si pasojë kjo e bën atë që t’u bëjë mirë të var­fërve, dhe me këtë të arrijë kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut.

 

9 – Agjëruesi me agjërimin e tij barazohet për një kohë të caktuar me të varfrit dhe vu­an ashtu siç vuajnë ata, me këtë arrihen shpër­­blime të mëdha nga ana e Allahut.

 

10- Agjërimi i ngushton venat e gjakut, këtë e shkakton uria dhe etja e kjo nga ana tje­tër është shkak që edhe shejtanit t’i ndalet qarkullimi përmes gjakut të njeriut. I Dërguari i Allahut paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të thotë: “Me të vërtetë shejtani qarkullon tek njeriu, ashtu siç qarkullon gjaku në trupin e tij.”[5]

 

11 – Agjërimi i përmbledh në vetvete të gji­tha llojet e durimit, pra, ai përmbledh në vet­vete: Durim në respektimin e urdhrave të Allahut, sikurse janë gjërat që e prishin agjë­ri­min. Durim ndaj asaj që ka caktuar Allahu, si­kur­se janë uria dhe etja përmes të cilave agjë­­ru­esi arrin ta fitojë shpërblimin e durim­ta­rë­ve, ma­dje për to Allahu thotë: “ndërsa durim­ta­rë­ve u jepet shpërblimi i tyre pa ma­së.[6]

 

12 – Agjërimi rezulton me dobi shën­de­të­so­re, si pasojë e pakësimit të ushqimit dhe lën­gje­ve, kjo ia lehtëson punën stomakut e në kë­të mënyrë Allahu i largon nga njeriu shumë së­mundje të rrezikshme për shëndetin e tij.[7]

 

13 – Agjërimi është gjëja me anë të së cilës del në pah kush ka qenë rob i Allahut dhe kush pasues i epshit. Me anë të agjërimit nje­riu tregon se sa frikësohet prej Allahut, se sa i sin­qertë është me Allahun kudo që të jetë. Këtë e kanë dëshmuar më mirë besimtarët në të kaluarën, kur janë rrahur apo burgosur që të prishin agjërimin e tyre pa arsye dhe ata nuk e kanë bërë këtë gjë, e pa dyshim se kjo ësh­të prej urtësive më të mëdha të agjërimit.

 

 

 

Përgatiti: Nexhat Ceka

Një shkrim tjetër i dobishëm  7 Veprat që i lejohen agjëruesit

Categories

Archives