Wednesday, 24/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ditëlindja (mevludi) i Profetit Muhamed a.s


Ditëlindja (mevludi) i Profetit Muhamed a.s


muhamedi alejhi selam

Ditëlindja (mevludi) i Profetit Muhamed a.s

Bismilah, vessalatau vesselamu ala resulilah!

Të gjithë Muslimanëve Muaji Rabiul Evvel u kujton ditëlindjen e Pejgamberit a.s.
Cdo musliman gëzohet për lindjen e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) mirëpo në të vërtetë muaji Rabiul Evvel nuk na kujton vetëm lindjen e tij por dhe jetën profetike të mbushur me ngjarje e histori që na bëjnë të mësojmë e të marrim shembull nga jeta e Profetit tonë. Shumë njerëz mendojnë se ky është muaji i kremtimit të ditëlindjes së Profetit të dashur dhe thurja e lëvdatave duke menduar se kështu shprehet dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut. Mirëpo historia islame na tregon se pikërisht ky muaj është ndër muajt më të ngjeshur në jetën e Muhamedit (alehissalatu uesselam). Pikërisht në këtë muaj lindi Profeti Muhamed, në këtë muaj u përmbush hixhreti, në këtë muaj ndodhën 13 luftëra dhe ekspedita ushtarake dhe në të njëtin muaj vdiq. Pra po të studiojmë historinë profetike me vëmendje, ky muaj na bën më të vetëdijshëm që të ndërgjegjësohemi më shumë rreth përgjegjësive që na takojnë dhe sfidave të kohës. Ky është muaji që na kujton se Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) lindi për të kryer një mission të shenjtë dhe pjesa kryesore e këtij misioni është zhvilluar pikërisht në këtë muaj.

Muaji Rabiul Evvel na mëson se Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) mbërriti në Medinë ku dhe filloi menjëherë formimin e shtetit të parë islam. Hixhreti më vete është ngjarja më e shfaqur dhe më me ndikim në jetën e sahabëve qoftë për muhaxhirët që u shpërngulën nga Meka në Medinë, qoftë për Ensarët (banorët vendas të Medinës) të cilët i pritën. Të parët lanë shtëpitë, trojet, punët, bizneset, pasuritë e tyre për hir të Allahut, kurse të dytët morën përsipër strehimin e tyre në Medinë dhe ndihmesën ndaj tyre. Po ashtu vëllazërimi mes sahabëve dhe formimi i shtetit islam që filloi po në këtë muaj bashkë me përfundimin e hixhretit tregojnë për ngjarjet më të rëndësishme për reformimin rrënjësor që synonte dhe arriti ta realizonte më vonë Profeti (alejhissalatu uesselam).

Historia islame na mëson se Pejgamberi (alejhissalatu uesselam) lindi më 12 të muajit Rabiul Evvel, në të njëjtën datë mbërriti në Medinë (përfundoi hixhretin) dhe po në këtë datë vdiq. A mos vallë kjo është dicka e rastësishme? A është e rastësishme po ashtu që përveç datës së njëjtë kur lindi dhe vdiq Profeti (alejhissalatu uesselam) të dyja këto të ndodhnin ditën e hënë. Ky është një mesazh i qartë që në muajin, ditën dhe datën kur lindi Profeti (alejhissalatu uesselam) pasi të gëzohemi për lindjen e tij duhet të ndjejmë hidhërim për vdekjen e tij ashtu siç u mërzitën dhe u hidhëruan sahabët e nderuar kur mësuan për vdekjen e njeriut më të dashur të tyre.

Ashtu sikur nuk është e hijshme që datën e vdekjes së Profetit të dashur ta kthejmë në ditë vaji ku të vajtojmë me britma dhe ulërima, po ashtu nuk është e hijshme që të njëjtën datë ta kthejmë në kremtime dhe festime, në lavde e poezi kur e dimë fare mirë se të parët tanë në tre shekujt fatlum, sahabët, tabiinët dhe tabitabiinët, përfshi dhe katër imamët e njohur të shkollave juridike islame nuk kanë bërë as njërën dhe as tjetrën. Ata nuk kanë festuar dhe as vajtuar në këto forma sepse e kishin kuptuar fare mirë urtësinë e Zotit të Gjithdijshëm i Cili nëpërmjet këtyre datave të njëjta na tregon se ashtu si Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) që lindi, jetoi dhe vdiq për t’u përmbushur një mission hyjnor, atëherë dhe muslimanët pas tij duhet të ndjekin të njëjtën rrugë dhe metodë. Këtë e shohim të qartë në tre gjeneratat e para islame, në shekujt fatlumë të cilët jetuan dhe vdiqën për të njëjtin mission. Ky mesazh i qartë na bën të kuptojmë pse gjeneratat e mevonshme islame ndryshojnë shumë nga tre gjeneratat e para, në jetën e tyre dhe në praktikimin dhe zbatimin e jetës profetike me përpikmëri dhe në të njëjtën kohë kuptojmë se ky ishte sekreti i suksesit të tyre.

Një shkrim tjetër i dobishëm  KI KUJDES nga SYRI i KEQ (Mësyshi) ONLINE !!!

Në një këndvështrim tjetër shohim se Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që ta duam shumë Profetin tonë, mirëpo dashuria ndaj tij nuk tregohet duke festuar dhe kremtuar ditëlindjen e tij dhe duke thurur për të vargje dhe lavde por duke zbatuar me përpikmëri jetën e tij. Dashuria ndaj Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) manifestohet në dy aspekte kryesore: Ndjekja e rrugës së tij dhe ringjallja e traditës profetike. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Thuaj (o Muhamed): Nëse vërtet e doni Allahun atëherë më ndiqni mua dhe Ai do t’ju dojë e do t’jua falë gjynahet. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirplotë.” Surja Ali Imran 31. Ndërsa imam Buhariu thotë: “Muslimani më i mirë dhe më i vlefshëm është ai që ringjall një sunet nga sunetet (tradita profetike) pasi është zhdukur.” Kurse sahabiu i njohur Abdullah Ibn Abbasi ka thënë: “Çdo vit që kalon vdes një sunet dhe shfaqet një risi (bidat).” E pra, sot jetojmë në kohën kur shumë sunete nga tradita profetike janë të panjohura dhe vendin e tyre e kanë zënë risi (bidate) nga më të ndryshmet. Duke mos u mjaftuar me këto, gjendja që përjetojnë sot muslimanët, të cilët nuk janë të bashkuar por të përçarë, amullia në të gjitha sferat e jetës, sprovat e mëdha dhe mosmarrëveshjet e shumta bën të krijohet një atmosferë aspak e këndshme për të kënduar dhe festuar, por duhet të përvishen mëngët ku çdo musliman të japë mundin e tij për të dalur nga kaosi dhe prapambetja ku kanë rënë. Rizgjimi i muslimanëve nuk arrihet me kremtime dhe festime por duke ringjallur sunetin e pastër (traditën profetike) dhe duke e ndjekur atë. Një i urtë ka thënë: “Një kështjellë e fortifikuar nuk çlirohet me këngë dhe poezi por me mund dhe vendosmëri.”

Gjithashtu, Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka paralajmëruar gjendjen e sotme të umetit dhe në të njëjtën kohë në hadithet e tij të shumta na ka treguar se dalja nga kjo gjendje dhe shpëtimi nga risitë e shumta do të arrihet me zbatimin e sunetit të tij duke identifikuar dhe u larguar nga risitë (bidatet) e shumta. Sahabiu i nderuar Abudllah ibn Umeri ka thënë: “Çdo bidat është humbje (dalalet) edhe sikur njerëzve t’u duket e mirë.” Kurse sahabiu tjetër Hudhejfe ibnul Jeman thotë: “Çdo adhurim të cilin nuk e kanë praktikuar shokët e Pejgamberit (alejhissalatu uesselam) mos e praktikoni as ju, sepse të parët s’kanë lënë për të vonshmit gjë për të thënë (shtuar).”

Ndërsa imam Maliku në shpjegim të versetit kuranor ku Allahu thotë: “Sot e plotësova fenë Time për ju…” shprehet: “Ajo që s’ka qenë pjesë e fesë në atë kohë s’mund të jetë as sot pjesë e fesë.” Po ashtu imam Euzai thotë: “Qëndro aty ku kanë qëndruar të parët tanë sepse ata me dituri kanë qëndruar aty.”

Andaj nëse duam vërtetë të dalim nga gjendja e rëndë ku ka rënë sot umeti islam dhe muslimanëve t’u kthehet autoriteti dhe prestigji që gëzonin dikur të mos e kthjemë këtë fe fisnike në festime të panevojshme dhe kremtime ku shpenzohet pa kriter, por duhet të gëzojmë duke ndjekur rrugën e të parëve tanë në kryerjen e urdhërave kuranore, porosive profetike, dhe në ndjekjen e kësaj tradite të pastër që na kanë lënë dijetarët dhe ulematë e shquar të këtij umeti. Për këtë imam Maliku ka thënë: “Fundi i këtij umeti nuk do të rregullohet vetëm se duke njekur rrugën dhe metodën që i bëri të parët tanë të kenë sukses.”

Hoxhë Mustafa Terniqi

Categories

Archives