Sunday, 22/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dimensionet politiko-fetare të vizitës së Irinejit në Tiranë


Dimensionet politiko-fetare të vizitës së Irinejit në Tiranë


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet Krasniqi

Gjatë javës së kaluar ishte shumë aktuale vizita e Patriarkut Serb në Tiranë, në zemër të shqiptarisë. Mendoj se nuk do të ishte shumë e çuditshme vizita e tij, sikur mos të ishte i njohur Patriarku Serb për qëndrimet e tij ndaj masakrave serbe në Kosovë dhe ndikimin  e tij në politikën serbe ndaj Kosovës.

Vizita do të ishte normale sepse ai në parim vizitoi vëllezërit e tij nga feja, pra pikërisht me rastin e inaugurimit të Katedrales Ortodokse. Besoj se të gjithë tashmë e dinë atë që e kam potencuar sa e sa herë se feja i bashkon njerëzit, ajo i tejkalon madje edhe kufijtë e kombit e nacionalizmit, por këtë si duket shumë shqiptarë e kosovarë nuk e kuptuan, apo nuk deshën ta kuptojnë. Po shpresoj se tashmë pas vizitës së fundit e kuptuan, përndryshe si do të mund të justifikohej ftesa e kryeministrit shqiptar dhe pritja madhështore që i bëhet një përkrahësi të kasaphanave dhe masakrave serbe në Kosovë, të cilat shpesh u përgëzuan dhe u bekuan nga kisha.

Vërtet është mjaft ironike të dëgjosh vizitorin aq të mirëpritur tek deklaron se shqiptarët dhe serbët kurrë nuk kanë pasur probleme. Në një intervistë dhënë Top Channel, Irinej mes tjerash deklaroi: “Ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë”. Me sa duket me shqiptarë ai aludon vetëm në popullin brenda kufijve të Shqipërisë ‘Londineze’ apo me gjasë është i njoftuar mirë se shumë nga vëllezërit tanë në Shqipëri, përfshirë shumë socialistë, e ndoshta në mesin e tyre edhe vet kryeministri, nuk e njohin historinë e kombit dhe vuajtjet e kosovarëve. Ata nuk e dinë rolin e Kishës Serbe që nga dita kur u larguan osmanlinjtë, dhe Kosova më forcë u pushtua nga e ashtuquajtura Mbretëria Serbe, pra “Kralevina e Vjetër”, e pastaj projektet shfarosëse për shqiptarët e Kosovës, të njohura si Naqertanije në kohën e Nikolla Pashiqit, duke i dëbuar e përzënë shqiptarët nga Kosova për në Turqi. Më vonë shtypja dhe represioni i pamëshirshëm serb kundër shqiptarëve gjatë ish-Jugosllavisë respektivisht aksioni i armëve (1952) i kohës së Aleksandër Rankoviqit e radhazi deri tek kasapi i Ballkanit, vet miku i Patriarkut Serb, Millosheviqi, i cili gjithherë krah të djathtë e kishte Patriarkun e Kishës Ortodokse, e ashtuquajtur pravosllave, dhe merrte bekimin e tij për masakrat kundër popullatës muslimane në Bosnjë e pastaj asaj mbarëshqiptare në Kosovë.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Teatri Kombëtar vs. “Parku i Paqes”

Ndoshta vëllezërit tanë në Shqipëri nuk e dinë, por ne kurrë nuk do t’i harrojmë deri sa të futemi nën dhé masakrat dhe gjenocidin që bënë serbët ndaj popullit shqiptar çdo herë sa herë që u erdhi shansi. Për ne kosovarët ftesa për vizitë e një njeriu “të madh” serb në zemrën e shqiptarëve është mjaft fyese dhe nënçmuese. Këtë nënçmim dhe përulje Patriarku e tregoi haptazi kur pa fije turpi deklaroi se “Kosova është e shenjtë për Serbinë”. Në vend se të thërrasë për paqe e tolerancë, në vend se të kërkojë falje publike për krimet e bëra, në vend se të përpiqet të jetë një urë lidhëse dhe shkas pajtimi mes dy popujve fqinj, të mundohet gradualisht ta lë anash të kaluarën për ta krijuar një të ardhme më të mirë për të dy popujt e Ballkanit, ai hedh thupra në zjarr dhe zotohet se Kosova është Serbi. Çka lë të kuptohet se “ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e harron”.

Duke pasur në konsideratë këto rrethana, ftesa zyrtare e kryeministrit shqiptar dhe pritja madhështore që i bëri Irinejit është vërtetë për t’u dhimbsur dhe për ta vajtuar gjendjen e kombit tonë. Por, siç e thotë edhe vet populli “siç jemi ashtu edhe punët i kemi”, është vërtetë e mjerueshme çfarë udhëheqje dhe liderësh politikë po na vijnë në pushtet. Zoti na udhëzoftë, e nga njerëzit e ligë na çliroftë, e me më të mirë na nderoftë. Më qenë se jemi krejt afër zgjedhjeve parlamentare, ftoj që to të jenë të qeta dhe pa incidente. Ta shohim se kë po e zgjedh populli ynë, a do të dijë të zgjedh burra të mirë e meritor, apo do të vazhdojë me avazin e vjetër, këtë mbetet ta shohim shumë shpejt. Deri javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

image_pdf

Categories

Archives