Sunday, 24/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

DHUNA VERBALE E SHKATËRRON ARDHMËRINË E FËMIJËVE TANË

DHUNA VERBALE E SHKATËRRON ARDHMËRINË E FËMIJËVE TANË

DHUNA VERBALE E SHKATËRRON ARDHMËRINË E FËMIJËVE TANË

Prof dr Velid Fetihi – neurolog klinikal.

Nuk ka dyshim se dhuna fizike është e dhimbshme, sikur mavijosjet dhe nxirrjet e shfaqura e të dukshme. Natyrisht që këtu do të prezantojnë edhe shenja psikologjike. Megjithëkëtë, shenjat e dhunës fizike shihen me sy, ndërsa shenjat e dhunës verbale nuk shihen dot me sy, ndonëse ato janë shumë herë më të rënda dhe riskuese se lëndimet trupore, gjurmët e të cilave mund të mbulohen pas ca ditësh apo muajsh.

Dhuna verbale njihet si: “Fjalë të këqija, të cilat ndërthurin në vetvete shprehje tallëse, ofenduese, shantazhuese, frikësuese. Të cilat dalin nga ana e prindërve apo e kujtdo tjetër nga mjedisi i jashtëm, në orientim të fëmijës. Poashtu, përdorimi i gjuhës rrugaçërie, shantazhimi me llagape, kërcënim me braktisje, kritikë e vazhdueshme ndaj fëmijës apo krahasimi i tij me fëmijët e tjerë. Shtoj këtu edhe mimikat e fytyrës, te të cilat ngërthehen mesazhe tallëse, përbuzëse, lënduese, shpërfillëse dhe përçmuese.”

Ndikimi i dhunës verbale tek fëmija janë të shumta. Disa prej tyre janë rënia e vetëbesimit dhe prolongimi i energjive kreative. Madje ajo ndikon negativisht edhe në zhvillimin trupor, mendor, shpirtëror, psikologjik, emocional, shoqëror dhe akademik të fëmijës. Ndërsa kur bëhet fjalë për periudha më të gjata, atëherë rritet mundësia për rënie në depresion, vetë–tërheqje, izolim, mbyllje në vetvete, eskalim i agresivitetit, ankthit, çrregullim i gjumit, paraqitje e obsesioneve dhe frikërave, shtytje për ta zhvlerësuar vetveten dhe për t’i shkaktuar dëme asaj.

Dhuna verbale shpie në frikë. Aq sa kur fëmija viktimë, merr një fytyrë dashurore nga njeriu agresor, sikur buzëqeshja dhe përkushtimi, edhe nëse ajo është e sinqertë, ai jeton me gjendjen e vetë–gatishmërisë dhe vetë–mbikëqyrjes së vazhdueshme. Sepse ai e di se kjo buzëqeshje dhe dashuri është e përkohshme, e se fare shpejt ajo do të zëvendësohet me një gjendje të dhunshme dhe brutale. Për këtë viktima nuk beson në buzëqeshjen e njeriut që i prezanton dashuri, nga frika e agresivitetit të vijueshëm, i cili do të paraqitet paevitueshëm. E kjo është dramë në vetvete. Pra, mosbesimi i buzëqeshjes së tjetrit, për shkak të frikës së brutalitetit të vijuar.

Në të vërtetë kërkimet studimore që vërtetojnë nivelin e ndikimit negativ, shkatërrues të dhunës verbale tek fëmija janë jo të pakta. Prej tyre është studimi i prof. dr. Dr. Natalie Sachs-Ericsson – FSU Psychology – Florida State University e cila në kërkimin e saj pohoi se personat të cilët kanë qenë të ekspozuar përballë çfarëdo lloji prej llojeve abuzive, janë të disponuar për t’u goditur me depresion, rreth dyfish më shumë, në krahasim me ata që nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuar ndaj dhunës verbale! Në studimet e universitetit Calgary zbuluan se dhuna verbale lë gjurmë dhe dëme psikologjike, emocionale më shumë se ç’mund të lënë dëmet e dhunës fizike.

Sakaq, kërkimet bashkëkohore kanë vajtur akoma më larg se kjo. U zbulua se dhuna verbale lë gjurmë shumë më shumë se që është besuar në të kaluarën. Kjo në saje të zhvillimit të pajisjeve moderne për fotografimin e trurit. Në këto studime u pohua se kur ndodh që mjedisi të qëllojë agresiv dhe i dhunshëm, dhe fëmija në atë mjedis të jetë i ekspozuar ndaj dhunës verbale, kjo ka për të shpënë gjendjen e tij në dëme të përhershme, e që do të mbeten përgjatë gjithë jetës së tij plagë dhe damka në tru. Mendja dhe truri njerëzor dallon nga krijesat e tjera. Pasi ajo formohet, rritet dhe avancohet pas lindjes. Ndërsa gjatë lindjes ajo është e pakompletuar në aspektin zhvillimor. Nga çka e bën njeriun të paaftë për të ecur para nëntë muajsh dhe të pandërgjegjësuar për vetveten. Për sa i përket formimit të personalitetit dhe aftësive njohëse dhe shkathtësore këto marrin periudha të gjata zhvillimi. Ky zhvillim dhe formësim i mendjes dallon nga njëri tek tjetri. Sipas dallimit të ambientit dhe edukimit, e përvojave nëpër të cilat kalon mendja gjatë fëmijërisë. Kur është ambienti armiqësor dhe i pa shëndetshëm, vonon zhvillimin e trurit dhe e prolongon atë.

Gjithashtu ekzistojnë edhe studime krahasimore, publikuar nga revista amerikane e psikiatrisë. Ku vërtetohej se truri i atyre individëve të cilët kanë vuajtur nga dhuna verbale, përmbanë përqindje më të vogla të substancave të përhimta (gray matter) për të cilat besohet që kanë lidhje themelore dhe të drejtëpërdrejta me nivelin e inteligjencës dhe aftësisë analatike e mendore kompleksive. Madje tek u realizuan kërkimet ndaj individëve mosha e të cilëve sillej nga 15 deri 25 vjeç, të cilët ishin nën ndikimin e dhunës verbale, zbuluan tek ata ngecje në zhvillim të relacionit ndërmjet lobit të majtë dhe lobit të djathtë të trurit. Kjo ishte po e njëjta ekipë e cila vuante nga përqindja e lartë e stresit, depresionit, hidhërimit të thellë dhe varësisë, si rezultat i dhunës verbale që ka ngjarë në moshën e hershme fëmijërore të jetës së tyre. Pikërisht këtë e ka konfirmuar edhe Marten Techer dhe kolegët e tij në Fakultetin e Mjekësisë pranë Harvard University.

Andaj, në mënyrë që logjika e fëmijës të zhvillohet në rrugë të shëndetshme, ka nevojë për kujdes, pranim, stimulim, trimërim dhe dashuri të pa kushtëzuar. Mënyrë kjo, e cila është thelbi i lidhjes së fëmijës me prindërit e tij, e që është shkalla më e lartë e dashurisë. Prandaj dhe për këtë shkak, prindërit domosdoshmërisht duhet që përgjatë formimit të sjelljeve të fëmijëve të tyre, të kritikojnë gjestin e keq dhe të mos e kritikojnë fëmijën. Pra, le të kritikojmë sjelljen e gabuar, duke qëndruar larg denigrimit dhe lëndimit të personalitetit të tyre. Për këtë arsye prindërit e kanë për detyrë që të lypin ndjesë, kur nga goja t’iu del ndonjë fjalë e pakëndshme, kundrejt fëmijëve të tyre, ashtu që, fëmijëve tanë t’ua mësojmë kulturën e faljes, dhe për më tepër, t’ua fshimë, nëse gabimet tona kanë lënë damkë tek ta. Rrezikshmëria e dhunës verbale tek fëmija, përfshin atë se ai vetveten e tij e sheh nëpërmjet shikimit të prindërve kundrejt tij. E sheh atë të bukur ose të shëmtuar, inteligjent ose të marrë, të mirë ose të ligë, nëpërmjet këtij vështrimi prindëror.

Shohim se Islami, feja jonë e lartë, e cila përputhet me natyrshmërinë, e gjuan poshtë dhunën, me të gjitha format e saja dhe fton në mirëqenie, butësi. Profeti i mëshirës Muhamedi [s.a.v.s.] ka thënë: “Në të vërtetë Allahu është i Butë dhe e do butësinë, i jep të butit–humanit, atë që nuk ia jep të dhunshmit.” (Muslimi) Madje e ndaloi dhunën ndaj fëmijëve duke thënë: “Nuk është nga ne, ai që nuk i mëshiron të vegjëlit tanë..” (Ebu Davudi, Tirmidhiu)

Shembulli ynë më i mirë është Muhamedi [s.a.v.s.] i cili nuk ka qenë kurrë sharës, fyes, e as mallkues. Buhariu saktësoi hadithin e transmetuar nga Enesi r.a. i cili ka thënë: “Profeti nuk ka qenë asnjëherë fyes, fjalëligë e as mallkues.”

Fëmijët tanë janë emanet në qafat tona, ndaj dhe edukata ndaj tyre nuk është ushqimi, pija, rrobat dhe gjërat materiale vetëm, por është mbrojtje dhe konsideratë për trupin, mendjen dhe shpirtin e tyre.

Mësuesi i njerëzimit Muhamedi [s.a.v.s.] thotë: “Secili nga ju është bari për kopen e vet. Udhëheqësi është bari dhe përgjegjës për për kopen e tij. Burri është bari për familjen e vet dhe përgjegjës per kopen e vet.Gruaja është bareshë për vatrën e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për kopen e saj. Shërbyesi është bari për pasurinë e padronit të tij dhe përgjegjës për kopen e tij.” (Buhariu)

Përktheu nga arabishtja: Agron Islami

Categories

Archives