Thursday, 20/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Dëshirimi i të mirës për njerëzit



Dëshirimi i të mirës për njerëzit
Dëshirimi i të mirës për njerëzit
Shejh Jahja Ibrahim el-JAHJA

 

1. Aliu [All-llahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: “All-llahu i ka krijuar disa njerëz për të tjerët, të cilët i ka bërë bajraktarë të tyre dhe adresë të mirësisë. Tek ata drejtohen njerëzit në kohë nevoje. Ata janë të sigurtit në Ditën e Llogarisë.”[1]
2. Ebu Derda [All-llahu qoftë i kënaqur me të] ka thënë: “Unë kërkoj falje në sexhde për shtatëdhjetë vëllezër të mi, duke e përmendur secilin veç e veç me emër dhe mbiemër.”[2]
3. Abdullah bin Abbasi [All-llahu qoftë i kënaqur me të dy] ka thënë: “Më ndodhë të dëgjoj për një prijës të muslimanëve që ndanë drejtësi ndërsa gëzohem, edhe pse mund të më ndodhë që kurrë të mos i drejtohem për drejtësi. Gëzohem kur dëgjoj se ka rënë shi në disa vende edhe pse nuk kam bagëti atje. Më ndodhë të lexoj nga Kur’ani ndonjë ajet ndërsa digjem nga dëshira sikur njerëzit të punonin sipas tij dhe të dinin atë çfarë di unë prej domethënieve të tij.”[3]
4. Është pyetur Muhammed bin Munkediri:
Cila është vepra më e mirë?
Tha: Ta gëzosh besimtarin.[4]
5. Halid el-Kasri ka thënë: “Garoni në fitimin e të mirave, nxitoni në fisnikërimin me tipare të çmuara, blijeni falënderimin me bujari dhe mos e blini përbuzjen me pasuri.[5]Dijeni se kërkesat e njerëzve drejtuar juve janë mirësi e All-llahut ndaj jush,[6]andaj, mos u bezdisniprej tyre që t’iu shndërrohen në ndëshkim.[7][8]
6. Sufjan bin Ujejne ka thënë: “Ka qenë një njeri që thoshte: Unë urrej të vishem me rroba të reja nga frika që të më sheh fqinji im dhe të më përgojojë e kështu të bëjë mëkat.”[9]
7. Fudajl bin Ijjadi ka thënë: “A nuk e dini se kërkesat e njerëzve të drejtuara juve janë mirësi e All-llahut ndaj jush, kështu, kujdes të bezdiseni prej tyre e t’iu shndërrohen në ndëshkim.”[10]
8. Ebu Umer Muhammed bin AbdulVahidi ka thënë: “Të braktisësh përmbushjen e obligimeve karshi vëllezërve është poshtërim ndërsa të përmbushësh ato është prestigj. Kështu, falënderojeni All-llahun për këtë dhe nxitoni që t’ua plotësoni kërkesat dhe qejfet e tyre. Bëjeni këtë gjë në harmoni me njëri tjetrin.”[11]
9. Një njeri e kishte pyetur Hasan Basriun:
O babai i Seidit, ndodhë dikush të më kërkojë diç ndërsa unë e urrej dhe, po të mos turpërohesha, nuk do t’i jepja, kështu, a shpërblehem?
Kjo është pjesë e mirësisë dhe për të mirën ka shpërblim– iu përgjigj Hasani.[12]
10. Ka thënë Ibn Abbasi [All-llahu qoftë i kënaqur me të dy!]: “Po të më thoshte (edhe) Faraoni: “All-llahu të bekoftë!”, do t’i thosha: Edhe ty!”[13]
11. Abdullah bin el-Hijari [All-llahu qoftë i kënaqur me të!] në ndejat e tij[14] lutej: “All-llahu im, na ruaj e na shpëto dhe ruaji besimtarët prej nesh!”[15]
12. AbdulKadirKejlani thoshte: “I Lartëmadhëruar qoftë Ai që në zemrën tim më hodhi (inspiroi e bekoi) këshillën për njerëzit dhe ma bëri këtë preokupimin tim më të madh!…Kur ta shoh fytyrën e një muridi[16]të sinqertë që ka shpëtuar (është udhëzuar) nga dora ime, ngopem e shuaj etjen, vishem (më duket sikur kam arritur çdo të mirë), gëzohem që dikush si ai u gdhend (edukua) nga duart e mia.”[17]
13. Ibn el-Xheuzijj ka thënë: “I tërë misioni i Profetëve [Paqja qoftë mbi ta!] ka qenë i fokusuar tek vuajtjet e njerëzve, udhëzimi i tyre në të mirë dhe ndalimin i tyre nga e keqja.”[18]
14. Ibn el-Kajjim ka thënë: “Prej urtësisë së All-llahut është që njeriu t’i trajtojë njerëzit kur t’i bëjnë keq dhe të gabojnë në raport me të ashtu siç ka dëshirë ta trajtojë All-llahu kur të bëjë keq dhe mëkate. Kjo ngase shpërblimi është sipas llojit të veprës: kush fal, falet nga All-llahu.”[19]
15. Ibn el-Xheuzijj ka thënë: “A’meshi dhe Nah’iu ishin duke ecur në një nga rrugët e Kufes ndërsa ishin nisur për tek Xhamia e Madhe. Duke ecur rrugës, Nah’iu iu drejtua A’meshit:
O babai i Sulejmanit, si thua të marrësh ti një rrugë ndërsa rrugën tjetër sepse kam frikë që po kaluam bashkë pranë atyre mendjelehtëve do të na përqeshin: I verbri në një sy po e drejton atë që ka shikim të dobësuar, do të tallen e do të bëjnë mëkat.
Po ti çfarë ke me ta nëse ne shpërblehemi ndërsa ata bëjnë mëkat?- ia ktheu A’meshi.
Nah’iu ia ktheu: I lartësuar qofsh, o All-llah! Që të shpëtojmë ne (nga tallja) dhe të shpëtojnë ata (nga mëkati) është më mirë se të shpërblehemi ne e të mëkatojnë ata.”[20]
16. Sulejman Darani ka thënë: “Mua më ndodhë që ta vë një kafshatë buke në gojën e ndonjërit prej vëllezërve të mi ndërsa ta gjej shijen e saj në fytin tim.”[21]
17. Musavir Verr-rraku ka thënë: “Nuk i kam thënë dikujt: ‘të dua për All-llah’, e pastaj t’i ndali diç nga dynjaja.”[22]
18. Muxhahidi rrëfen: “E shoqërova Ibn Umerin që t’i shërbej ndërsa ai më shërbente mua.”[23]
19. Muxhahid bin Xhebr, në komentim të ajetitkur’anor: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga tëpaditurit!” (El-A’rafë: 199): “Duke pranuar justifikimet e njerëzve dhe duke mos gjurmuar e hulumtuar për sekretet e tyre.”[24]
20. Bekr bin Maizi ka thënë: Rebiut i ishte dhuruar ose e kishte blerë një kalë për tridhjetëmijë dërhemë, me të cilin pastaj luftonte. Kur ishte kthyer nga beteja, e kishte dërguar shërbëtorin të mblidhte ca bar për kalin ndërsa vet kishte filluar të falej. Kur u kthye shërbëtori, pa se kali nuk ishte.
O Rebië, ku është kali?- e pyeti.
E kanë vjedhë, o Jesar- iu përgjigj.
Si e kanë vjedhur ndërsa ti e shihje kalin?!- e pyeti me habi.
Po, isha duke u falur, dhe nuk lejova asgjë të më ndërpres nga bashkëbisedimi me Zotin tim- u përgjigj Rebiu dhe vazhdoi duke u lutur: “O All-llahu im, më ka vjedhë ndërsa unë nuk jam që e vjedh. All-llahu im, nëse ka qenë i pasur, udhëzoje, e nëse ka qenë i varfër, pasuroje. Këtë lutje e bëri tre herë.”[25]
21. Jahja bin Muadh err-Rrazi ka thënë: “Le të jenë (të paktën këto) tre gjëra hise e besimtarit prej teje: nëse nuk e gëzon, mos e dëshpëro, nëse nuk i bën mirë, mos e dëmto, dhe nëse nuk e lëvdon, mos e nënçmo.”[26]
22. Kur Imam Ahmedit i shkonte lajmi për ndonjë besimtar të ndershëm, asket, të patrembur në thënien e së vërtetës, pyeste për të dhe kishte dëshirë të vënte kontakte me të dhe të ishte në dijeni për gjendjen e tij.[27]
23. Ibrahim et-Tejmi ka thënë: “Ndodhë dikush të më bëjë padrejtësi ndërsa unë e mëshiroj!”[28]
24. Ubejdullah bin AbdulGaffari ka thënë: I thashë Zuhejr bin NeimBabiut: Më këshillo! Tha: “Të këshilloj t’ia kesh frikën All-llahut! Pasha All-llahun, më shumë dua ti të jesh prej të devotshmëve se sa të më shndërrohet kjo shtyllë në ari dhe ta shpenzoj në rrugën e All-llahut. Pasha All-llahun, me kënaqësi do të pranoja të masakrohem vetëm që njerëzit ta respektonin All-llahun (udhëzoheshin).”[29]


[1]Muhammed bin Ali bin Mejmunen-Nersi, Thevabukadaihavaixhi-l-ihvan, fq. 80.

[2]Tarihu Bagdad, 13/132.

[3]Behxhetu-l-mexhalis, 3/172.

[4]Behxhetu-l-mexhalis, 3/343.

[5]Mos u bëni koprracë. Përkthyesi.

[6]Që nuk iu bëri juve sikur ata dhe që ua dha mundësinë e fitimit të të mirave duke i ndihmuar nevojtarët. Përkthyesi.

[7]Në qoftë se nuk jep, nuk iu ndihmon njerëzve, atëherë kërkesat e tyre janë si një grep që të tërheq drejt e në humnerë të mëkateve. Përkthyesi.

[8]Thealebiu, El-Letaif ve-dh-Dharaif, fq. 131.

[9]Imam Ahmedi, Ez-Zuhd, fq. 437.

[10]Shuabu-l-Iman, 6/118.

[11]Tabekat el-hanabileh, 2/68.

[12]Ibn Bettah, El-Ibanetu el-kubra, 2/657.

[13]El-Edebu-l-Mufred, nr. 1113.

[14]Në fund, nga frika se kishte përgojuar dikë, kishte shkelë nderin e tij apo e kishte dëmtuar në një ose formë tjetër, bënte këtë lutje: …Përkthyesi.





[15]Tedhkiretu-l-Huffadh, 1/139.

[16]Pasuesi të sinqertë të Hoxhës. Si term, më shumë përdoret në terminologjinë sufiste, dhe nënkupton pasuesin e pandashëm të Shehut dhe nxënësin e dalluar të tij. Përkthyesi.

[17]El-Fet’hu err-Rrebbanijj, fq. 27.

[18]Sajdu-l-Hatir, f. 42.

[19]MiftahuDari-s-Seadeh, fq. 291.

[20]El-Muntedham, 7/22.

[21]Kut el-kulub, 2/376; IhjauUlumi-d-Din, 2/174.

[22]Hiljetu-l-Evlija, 7/297.

[23]Ibn el-Mubarek, El-xhihad, fq. 159; Ebu Bekir el-Hilal, Es-Sunnetu, 1/222.

[24]Medarixhu-s-Salikine, 2/290.

[25]Imam Ahmedi, Ez-Zuhd, fq. 462.

[26]El-Hatib el-Bagdadi, Ez-zuhdu ve-rr-rrekaik, fq. 114.

[27]Ibn el-Xheuzijj, Menakibu el-Imami Ahmed, fq. 218.

[28]SijeruA’lami-n-Nubela, 5/61.

[29]El-Muxhalese, 3/383.