Thursday, 15/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dera e pendimit qëndron hapur për ty



Dera e pendimit qëndron hapur për ty

pendim“Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj falua atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, e edhe ruaji nga dënimi i Xhehenemit!” (Gafir, 7)

Ai është Pranues i pendimit

I Madhërishëm është Falësi i mëkatit dhe Pranuesi i pendimit që, për të mos i rënduar robërit e Tij dhe për të mos ua shuar shpresat e tyre, ua la të hapur portën e pendimi, gjersa ata të mos mbarojnë së jetuari. Në këtë mënyrë Ai ftesën e la të hapur, duke mos përjashtuar ndonjërin që t’i bashkohet ftesës së Tij, e ky lehtësim është një rrugëdalje dhe një rikthim për mëkatarët, që të përmirësohen dhe t’u kthehen gjurmëve të Tij që shpien në qetësi, paqe dhe rehati të përhershme.
Cili nga ne nuk gabon? Cila nga ne nuk mëkaton? Por, dera e pendimit është e hapur dhe Zoti ynë është Zot Bujar. Prej emrave të Tij kuptojmë se Ai është ‘Et-Tevvab- Pendimpranues’, i Cili i do pendestarët, gëzohet kur robi pendohet, e nuk na dënon menjëherë pas gabimit, por na jep shans për pendim.
1 Vetëm ky emër ‘Et-Tevvab’ është i përsëritur në Kur’an në më shumë se tetëdhjetë vende, ndërsa ‘Gufran-Falje’ përmendet në më shumë se njëqind e dyzet vende.
2 Madje pendimit, Falësi i mëkatit i ka kushtuar edhe një kaptinë të veçantë, duke e titulluar ‘Kaptina e pendimit’, që tregon për vlerën dhe rëndësinë që ka pendimi.

Vlera e pendimit
Pendimi ka vlerë të madhe dhe, sikur mëkatarët ta kuptonin vlerën e pendimit, do të shpejtonin që sa më parë të pendoheshin. Me anë të pendimit, pendestarët e fitojnë dashurinë e Krijuesit të tyre, ani pse ndoshta dikur kanë qenë të larguar prej Tij, por mjafton ajo çfarë kanë fituar tani. Allahu Lavdiplotë thotë: “Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme”. (El-Bekare, 222)

A ka ndonjë gradë më të madhe sesa të fitosh dashurinë e Krijuesit të botëve? A ka gëzim më të madh dhe arritje më të lartë sesa kur robin e do Krijuesi i tij? Në këtë kontekst poeti i mirënjohur Ebu Firas ibn Hamdan ishte shprehur: Nëse Ti me të vërtetë më do mua, çdo gjë pas kësaj do të jetë e lehtë Ngase çdo gjë që qëndron mbi dhe, do të bëhet dhe.

Allahu gëzohet kur robi i Tij pendohet, gëzohet kur robi i Tij kthehet tek Ai pasi kishte ikur nga Zoti dhe ishte zënë rob në dorën e armikut dhe ushtrisë së tij: në dorën e të mallkuarit. Me pendimin, njeriu e liroi veten nga robëria, doli nga burgu i shejtanit, shpëtoi nga armiku i tij dhe u kthye tek Allahu, tek i Dashuri i tij, i Cili e ka mbuluar me mirësitë e Tij, e ka rrethuar me begatitë e Tij, të dukshme e të padukshme. E, përveçse i do Allahu robërit e Tij pendestarë, Ai ka ngarkuar edhe engjëjt e tij që të luten për ata që u penduan: “Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj falua atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde, e edhe ruaji nga dënimi i Xhehenemit”! (Gafir, 7)

Nga vlera e madhe e pendimit është edhe ajo se ai fal mëkatet e kaluara, e në lidhje me  këtë i Dërguari i Allahut kishte theksuar: “Ai që pendohet nga mëkati, është sikurse ai që s’ka mëkate”.

A ka ndonjë përgëzim më të madh sesa ky përgëzim, me të cilin Allahu i Lartësuar i ka përgëzuar pendestarët se mëkatet e tyre do të falen?! Sikur ata të mos kishin bërë asgjë, për ta është sikur t’ia fillojnë jetës prej fillimit, të pastër prej çdo gjëje. Nga kjo vlerë e madhe e pendimit, vijnë edhe frytet e tij të mëdha, siç është shlyerja e të këqijave dhe hyrja në Xhenet (Ali Imran, 133-135; Tahrim, 8), ripërtëritja e besimit (Furkan, 68- 70), shndërrimi i të këqijave në të mira (Furkan, 70; Fet’h, 1-2), ngadhënjimi ndaj armikut të përbetuar (A’raf, 16-17; Sad, 82-83), triumfi ndaj epshit nxitës në të keqe (Jusuf, 53), krijon jetë të qetë dhe të sigurt (Hud, 3) si dhe krijon shtim të furnizimit dhe fuqisë. (Nuh, 10-12).

Kushtet e pendimit
Për pendimin e sinqertë ka disa kushte që duhet të zbatohen në mënyrë që pendimi të jetë i pranuar.

Kushti i parë: Sinqeriteti ndaj Allahut të Madhërishëm. Me fjalë të tjera, shkaku i pendimit tënd duhet të jetë dashuria ndaj Allahut dhe Madhështisë së Tij, si dhe të shpresuarit për shpërblimin e Tij, frika nga dënimi i Tij, dhe të mos kesh qëllim përfitues apo ndonjë qëllim tjetër, sepse pendimi bëhet vetëm për Zotin dhe jo për dikë a diçka tjetër. Allahu thotë: “Përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën Allahut dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për Allahun..”.. ( Nisa,146) I Dërguari i Allahut kishte thënë: “Allahu i Lartësuar e pranon vetëm atë vepër që është e sinqertë për Të dhe me të cilën shpresohet Mëshira e Allahut”.3 E, prej lutjeve të njohura të Omerit, ishte edhe kjo: “O Zot, bëje të mirë tërë punën time, bëje atë të sinqertë vetëm për Ty, e mos e bëj për askënd tjetër”.4

Kushti i dytë: Braktisja e mëkatit të bëhet menjëherë. Ngase nuk imagjinohet pendim, përderisa individi insiston për mëkate. E në këtë kontekst i Madhërishmi ka shpallur: “Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija…” (Nisa,18)

Kushti i tretë: pendimi për mëkatin e bërë. Pendimi nuk realizohet përpos nëse personi pendohet dhe ndien keqardhje për veprat e këqija që ka bërë.





Kushti i katërt: Zotimi se nuk e përsërit atë mëkat.

Kushti i pestë: Kthimi i hakut (së drejtës) atyre që i ka dëmtuar ose t’u kërkohet falje.

Shenjat e pendimit
Pasi të arrihet pendimi i sinqertë, duke plotësuar kushtet, ekzistojnë disa shenja të vërtetësisë së pendimit:
– Që robi, pas pendimit, të jetë më i mirë sesa ka qenë më parë.5 Pas pendimit, njeriu duhet të jetë më i mirë sesa ka qenë më parë, ai duhet të marrë mësim nga e kaluara e tij, në mënyrë që e kaluara t’i shërbejë si shembull për të mos rënë përsëri në situata të tilla çfarë ka kaluar.
– Gjithmonë të jetë i shoqëruar nga frika mos po kthehet në mëkate. Sepse i mençuri nuk beson se mund ta mashtrojë Zotin, frika e tij duhet të vazhdojë gjithnjë derisa meleku i ngarkuar me marrjen e shpirtit t’ia marrë shpirtin.
– Çdoherë t’i dridhet zemra nga keqardhja. Frika e madhe nga dënimi i Allahut duhet ta drithërojë gjithnjë zemrën e besimtarit, ai gjithnjë duhet të ndiejë një lloj keqardhjeje për atë që ka bërë.
– Mëkati që ka bërë, t’i duket i madh, edhe pas pendimit. Asnjëherë nuk duhet shpërfillur mëkati, sado i vogël të jetë, ngase mund të duket i vogël për sytë tanë, po të jetë i madh për Zotin.
Disa nga të parët thoshin: “Mos shiko se sa është mëkati i vogël, por shiko se kujt i ke bërë mëkat”.

Pendimi është shpëtim
Mëkatet e shkatërrojnë njeriun, kurse pendimi e shpëton atë nga një shkatërrim përfundimtar. I Madhërishmi thotë: “E për sa i përket atij që është penduar, që ka besuar dhe ka bërë vepra të mira, ai le të shpresojë se është nga të shpëtuarit”. (Kasas, 67) Ai që është larguar nga mëkatet dhe është penduar tek Allahu, duke besuar sinqerisht dhe me besim të plotë në Atë, pastaj ka bërë punë të mira, s’ka dyshim se ai është prej të shpëtuarve. Në një ajet tjetër Ai thotë: “…Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim…” (Nur,31) Ibn Kajjimi, rreth këtij ajeti, ka thënë: “Allahu iu drejtua me këtë ajet besimtarëve dhe krijesave më të mira të Tij që të pendohen tek Ai, pas besimit, durimit, shpërnguljes dhe luftimit të tyre. Pastaj e ndërlidhi pendimin me shpëtim… që, nëse pendohen, do të jenë të shpëtuar, e askush nuk e shpreson pendimin përveç pendestarëve”.6

Besimtari i mençur shpejton për të kërkuar falje tek Allahu dhe për t’u penduar tek Ai, ndërsa hipokriti dhe ai që është mashtruar nga kjo jetë, vazhdojnë rrugëtimin pa koncept dhe pa ndonjë cak; ata ndoshta para tjerëve mund të shfaqin sinqeritetin e tyre, por veprat e tyre i kundërpërgjigjen atij sinqeriteti të rrejshëm. Ibn Mubareku, për njerëz të tillë, kishte thurur vargje:
Allahut I bën mëkate, kurse e shfaq dashurinë e Tij Kjo për jetën time është analogji e çuditshme Po të ishe vërtet i sinqertë, do t’I nënshtroheshe Atij Ngase i dashuri nënshtrohet për të dashurin e tij.7

Dera e pendimit është e hapur Nga mëshira hyjnore e pakufishme ndaj  njeriut, i cili shpeshherë e humb shpresën, është fakti se Allahu, këtij njeriu ia ka hapur derën e pendimit, e ka urdhëruar atë që të kthehet e të pendohet tek Ai, të afrohet tek Allahu, sa herë që atë e mundin dhe e rëndojnë mëkatet dhe të këqijat, e sikur të mos ishte kjo shpresë e madhe nga Allahu, njeriu do të binte në situata tejet të vështira dhe pa rrugëdalje, do të shuheshin shpresat e tij për mëshirën dhe faljen nga ana e Allahut.

Kjo derë e pendimit vazhdon të jetë e hapur dhe në pritje të mëkatarëve, i pret ata që të shpejtojnë me pendimin. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Me të vërtetë në vendin ku perëndon dielli, është një derë e hapur, gjerësia e së cilës është sa rrugëtimi 70-vjeçar, vazhdon të mbetet kjo derë e hapur derisa të lindë dielli nga perëndimi i tij, atëherë nuk i bën dobi besimi askujt, nëse nuk ka besuar para kësaj, ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire”.8 Prandaj, o njeri, mos hezito, po hyr në këtë derë para se ajo të mbyllet, mos e prit fundin, po fillo nga ky çast, djalli mundohet që ti ta zvarritësh pendimin, dëshiron nga ti të mos pendohesh, ngase dëshiron që të ketë sa më shumë shokë në ditën kur do të dalë para Zotit, prandaj, mos u habit nga fjalët e tij dhe nga fjalët e shumë djajve njerëzorë, thyeje urdhrin e tyre dhe praktikoje Urdhrin e Krijuesit tënd me pendim dhe kërkimfalje. Dera e pendimit është hapur për ty dhe ajo pret nga ti që të hysh në të.

Një poet ka thënë: O ti mendjemadh, ngrihu dhe ki kujdes Të ka kaluar kërkesa dhe karvani ka shkuar Nëse ke bërë mëkate, ngrihu dhe kërko falje Tek Bujari Që pranon faljen Shko te Zotëria yt, shpresa më e madhe Që i fal natën mëkatet e ditës.

(1) Ibn Sened, Abdurrahman ibn Abdullah, Ed-Dinu en-Nesihatu, Riad, 2002, f. 47.
(2) Haziri, Ejup, Pendohu, o mëkatar!, Fondacioni i Rinisë Islame, Zvicer, 2007, f. 143.
(3) Transmeton Nesaiu, hadithi është i mirë-hasen.
(4) Sedlan, Salih ibn Ganim, Et-Tevbetu ilAllah, ma’naha, hakikatuha, fadluha ve shurutuha, 1412h, f. 21.
(5) Kardavi, Jusuf, Et-Tevbetu ilAllah, f. 118.
(6) Xhevzi, Ibn Kajjim, Medarixh Es-Salikine, vëll. I, f. 198.
(7) El-Afifi, Taha Abdullah, Min Vesaja Err-Rresul, vëll. II, f. 663.
(8) Ibni Maxheh në Sunenin e tij, nr.4070.

Mr. Ejup Haziri