Saturday, 22/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Debati i gabuar rreth fesë

Debati i gabuar rreth fesë

shefqet

Dr. Shefqet KRASNIQI

Vitin 2014, siç po shihet, nuk e nisëm mbarë. Nuk janë vetëm ndryshimet atmosferike ato që po na shqetësojnë, por kam frikë se Zoti po na dërgon shenja ndëshkimi. Natyrisht, për vendin tonë nuk është e natyrshme të jemi në mes të Janarit e të mos kemi shi e as borë. Çfarë do të bëjmë po të pakësohen rezervat e ujit deri në maksimum apo, ruana Zot, të humbasin fare. Kjo do të duhej të trokiste ndërgjegjen dhe mendjen tonë, por, ja që ndodh e kundërta.

Zhveshja nga feja i ka bërë njerëzit pa ndjenja, sikur të ishin robotë. Për pasojë, zhytja në mëkate vetëm sa vjen e shtohet çdo ditë. Çrregullimet vërehen kudo në shoqëri. Skandalet politike, ekonomike dhe shoqërore janë bërë lajme ditore. Ndërkaq feja, që thërret për vlera, sulmohet më së shumti. Sa i përket trajtimit të fesë padyshim ky është një fillim i mbrapshtë i vitit. Nuk kam për qëllim të alarmojë se feja është në krizë, absolutisht Jo. Të gjithë janë të vetëdijshëm se Islami po përparon për çdo ditë. Por, disa bëhen sikur nuk e dinë, e disa madje edhe i mundon ky fakt.

Ajo çfarë na brengos më se shumti, në këtë rast, është forma se si po trajtohet Islami në shkrime dhe analiza të ndryshme. Kohëve të fundit, për fat të keq, është bërë rutinë që Feja Islame të jetë në shënjestër të disa intelektualëve mediokër dhe medieve spekulative. Dihen me emra dhe mbiemra kush janë këta intelektualë të vetëquajtur. Madje dihen edhe qëllimet e tyre tejet të ulëta. Duan përfitim klikimesh në kurriz të fesë.

Por, nuk janë këta të vetmit. Madje, sikur të ishin vetëm këta, nuk do ta bënim problem fare. Shqetësimi më i madh, i cili meriton një angazhim serioz, është fakti se si feja po sulmohet edhe nga qarqe me peshë shtetërore, ani pse të gjitha ligjet e miratuara thërrasin se feja duhet të mbrohet me ligj. Veprimet dhe deklaratat e disa pushtetarëve tanë na vendosin para një mori pikëpyetjesh:

Pse gjithë kjo urrejtje ndaj Islamit?

Pse Islamin e shohin si problem, ndërkohë që faktet në terren dëshmojnë të kundërtën?

Pse kërkohet avancimi i shtetit duke mohuar traditën, kulturën dhe identitetin e popullit apo në dëm të vet popullit?

Kush mund ta mohojë se ne shqiptarët me shumicë absolute jemi muslimanë dhe krahas identitetit kombëtar si shqiptarë kemi edhe atë islam nga aspekti fetar që nga lindja deri në varr?! Çfarë identiteti tjetër ka ky popull nëse jo atë Islam? Që nga lindja kur emërtohet me emër musliman, synetimi (rrethprerja), traditat familjare, kultura, muhabeti, ushqimi, martesa, lidhjet farefisnore e deri tek ceremonia e varrimit, kemi traditë islame. Më thoni, ju lutem, si mund të përparojë një shoqëri kur luftohet identiteti i shumicës?! Si mund të përparojë një shoqëri e cila flet kundër vetvetes, kundër prindërve dhe të parëve të vet?! A nuk kemi qenë të shquar për kulturë dhe edukatë, respekt dhe tolerancë, ndërsa krejt këto kanë për burim fenë dhe shkollimin fetar. A nuk është e vërtetë se ishim analfabetë dhe se universiteti, edhe ashtu i dobët për nga cilësia, në vendin tonë u hap tek në vitet e gjashtëdhjeta?!

Sociologët marrin për fakt se kultura dhe tradita paraqesin edhe identitetin fetar të një shoqërie. Çfarë vlere ka ai njeri, i cili çmendet pas kulturave tjera, ndërsa shanë kulturën e vetë? Ec e thuaj që Miroljub Jevtic e ka keq kur në librin e tij “Islami dhe Shqiptarët“ (Islam i Albanci) cilëson liderët shqiptarë si kundërshtarë të Islamit, ku mes tjerash thotë: “Të ashtuquajturit ‘liderë të shqiptarëve’ për shkak të kompleksit evropian e urrejnë popullin e vet dhe çdo gjë shpirtërore siç është Islami tek ta. Prandaj ne jemi fitues kur kjo ndodh, ngase çdo herë kur populli shqiptar pret më së shumti nga liderët e tyre, atëherë zhgënjehet nga ta, sepse janë më se të gjithë pa moral shpirtëror dhe janë plle e ateizmit që arrita personalisht t’ua imponoj në literaturën e tyre dhe krenohem me këtë gjë, ngase janë patriotë që si term, këta barinj me rrobe evropiane, e mësuan nga ne.Liderët laik shqiptarë do të krenohen me ortodoksinë tonë apo kryqin katolik në Kosovë në kohën kur atje janë religjion minoritar dhe çdo gjë autoktone që i ruajti si shumicë nga sllavizmi ishte Islami…

Një shkrim tjetër i dobishëm  Dijetar i Ballkanit-Luftëtar për lirinë e vatanit

Personalisht, kur serbët thonë qoftë edhe mirëdita unë shikoj dy herë anash për të verifikuar se është ditë, por faktet dhe përshkrimi, në këtë rast, janë reale sikur Jevtic ta udhëhiqte qeverinë, e jo liderët që i votuam vet.

Çfarë faji i pati Islami qeverisë sonë, e cila dështoi ta bëjë ndonjë hapë para drejt liberalizimit të vizave?

A dëgjuam ndonjëherë se Evropa u ankua nga shumica muslimane në Kosovë, apo mos na e tërhoqën vërejtjen për korrupsionin e lartë, mungesën e sundimit të ligjit, dallaveret e mashtrimet e shumta, krimin e organizuar, e dukuri tjera negative, etj.

Pse fajin për dështim politik t’ia hedhin Islamit?!

BE-ja kurrë nuk ka dhënë madje as më të voglin sinjal rreth identitetit kombëtar apo fetar për t’u pranuar si anëtar në familjen e madhe evropiane. Përkundrazi në zyrën e komisionarit Stefan Füle u pa edhe emri i Pejgamberit Muhamed, gjatë vizitës së Ilir Metës atje, siç raportuan shumë portale e rrjete sociale. Ndaj çfarë duan udhëheqësit tanë që po mundohen të zhveshen jo vetëm nga identiteti fetar, por edhe nga ai kombëtar. Evropa edhe po të na kushtëzonte një gjë të tillë ne nuk do të duhej pranuar, sepse me kushtëzime nuk arrihet asgjë.

Ja dështimet e kushtëzimeve, liri me kusht, pavarësi me kusht – e mbikëqyrur, tash edhe ndarja e vendit do të bëhet me kusht. Me kushtëzime askush nuk ka arritur asgjë, e në veçanti kur në pyetje është kombi, tradita, feja dhe kultura jonë. Ne nuk e humbim djepin, nuk e heqim sofrën, odën, xhaminë, nuk e ndryshojmë gjuhën shqipe e të flasim anglisht për t’u dukur më të “emancipuar.” Ne kudo që shkojmë duam të jemi e të paraqitemi ata që jemi, nëse të tjerët kanë vlera, edhe ne i kemi vlerat tona, bile më të mira se shumë të tjerëve. Nëse i humbim këto vlera, atëherë ne mund të kemi dhe të jemi gjithçka, por jo më ata që ishim dikur dhe ata që i kishim prindërit, pra nuk jemi më vetvetja.

Mos të habitet dikush e të mendojë se mund të luajë me identitetin fetar e kombëtar, nuk ngritet kombi duke e luftuar fenë. Çdo kush që luan me fenë le ta dijë se vet do të digjet në atë lojë. Loja me fe, në veçanti me Islamin, është një kartë shumë e rrezikshme, fundi i të cilës mbase mund të jetë edhe hidhërim nga qielli dhe zbritje e dënimit. Ne jemi përcaktuar për një shtet dhe shoqëri multi-etnike dhe multi-kulturore. Andaj duhet të jetojmë si të tillë, secili fenë e vet drejtimin e vet, ideologjinë e vet pa e penguar askush askënd. Zaten, çfarë vlere dhe kuptimi ka demokracia nëse nuk respektohet tjetri, nëse nuk pranohet tjetri ashtu siç është.

Inshallah ka hair pas gjithë këtyre sulmeve e provokimeve ndaj fesë! Allahu na drejtoftë e na udhëzoftë, në veçanti parinë tanë, por edhe neve bashkë me ta. Amin dhe deri javën e ardhme me një temë tjetër. Selam alejkum!

Categories

Archives