Monday, 23/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Çmimi i lirisë

Çmimi i lirisë

By: Dr Selman Aude

Çmimi i lirisë

Nuk kam ndërmend të flas për lëvizjet për liri kombëtare, por dua të flas për lirinë psikologjike, çlirimin nga pushteti i ideve dhe mendimeve negative që kanë lëshuar rrënjë brenda vetes. Dua të flas për çlirimin nga pushteti i ndikimit dhe presioneve të jashtme, të cilat e ndajnë njeriun nga vetja, e varrosin për së gjalli.

Besoj se kushdo që pretendon se gëzon liri të plotë, është iluzionar, pasi ekzistojnë mure dhe barriera të dukshme dhe të padukshme, të cilat e kufizojnë lirinë e njeriut, herë me dëshirën e tij dhe herë të tjera pa dëshirën e tij. Ka njerëz që janë të ndërgjegjshëm për këto barriera dhe i trajtojnë ato me zgjuarsi, ndërkohë që ka të tjerë që janë indiferentë ndaj tyre, ose hiqen si të tillë.

Liria është diçka relative dhe ka dallim thelbësor mes atyre që rendin për ta arritur atë, duke u shprehur për veten në qëndrimet, fjalët dhe mendimet e tyre, jo duke u shprehur për të tjerët dhe mes atyre që kryejnë një rol të projektuar për ta ose ndjekin një rrugë të shtuar para vetes, pa e marrë mundimin të pyesin: A ai është folësi, apo është një shpirt tjetër që e ka pushtuar dhe që flet me gjuhën e tij.

Ka njerëz që i dashurojnë barrierat dhe u dorëzohen atyre, madje u thurin dhe këngë. Fjalori i tyre gjuhësor i pasur, nuk përton ta shëmtojë gjithçka të bukur dhe ta zbukurojë gjithçka të shëmtuar.

Barrierat e marrëdhënieve, farefisit, miqësive, interesave, kujtimeve, shpresave dhe ambicieve, pasurisë, profesionit, pushtetit, nevojës etj…

Ato janë qarqe që e rrethojnë njeriun në jetën e tij, ia ngushtojnë hapësirën e lëvizjes dhe i imponojnë më shumë konformizëm.

Ata që janë çliruar tërësisht nga këta presione, janë ata që janë larguar përfundimisht nga kjo botë, ndërsa të gjallët…

Në një moment, pa që i kishte humbur të gjitha marrëdhëniet nga lart dhe nga poshtë, marrëdhënie të cilat mund të përbënin një shans të vyer për tu zhvilluar dhe rritur, për veten dhe për të tjerët.

Humbi shumë nga shanset e vyera të cilat mund të ishin shndërruar në një projekt pozitiv frytdhënës, apo si mbështetje për një projekt të tillë.

Megjithatë, në fund të fundit, ai duket i kënaqur me këtë humbje, pasi sheh se nga ana tjetër, ka fituar shumë, ka fituar hapësira më të mëdha me veten e vet.

Ai nuk pretendon se fitoi realisht veten, por zgjeroi rrethin e hapësirës së lirë tek vetja, ku duroi gjatë duke dëbuar dhe përndjekur mbetjet e shokëve, dashamirësve, mbështetësve dhe motivuesve. Ai e pastronte këtë hapësirë herë pas here, duke dashur të dëgjojë zërin e vetes!

Ishte mësuar me shijet hidhura, surprizat dhe trajtimin e dështimeve dhe zhgënjimeve me shpirt sportiv. Është e sigurt që vetja i urren gjëra të tilla, por ai ishte mësuar me to. Pastaj, kjo është më pak e dhimbshme, sesa të humbasë lidhjet me veten dhe shprehjen e vetes së tij.

Tek një njeri i pjekur, gjen sasi urtësie, e  cila përkthehet në komplimente, mençuri, komunikim pozitiv, zemërbutësi dhe tërheqje me nder, ashtu siç gjen dhe një sasi tjetër e cila ka të bëjë me konstatimin e të mirës tek fjalët dhe veprat e njerëzve, të cilat i kap, i vlerëson dhe me to plotëson veten, pa e harruar mospajtimin me disa aspekte të tij.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Këshilla nga libri “Mos u trishto”- Aid el-Karni

Liria nuk ka të bëjë me mburrjen, krekosjen, përbuzjen e të tjerëve dhe marrjen e qëndrimeve opozitare thjesht sepse nuk je dakord me një individ, institucion, grupacion, me diçka të zakontë thjesht sepse është e zakontë, me diçka të re thjesht sepse është e re, apo me qeverinë thjesht sepse është qeveria.

Ajo nuk është as investigim të gabimeve dhe shkarjeve, me të cilat bombardohet tjetri, si të ishte zbuluar një thesar i vyer.

Përvoja tregon se tek shumë njerëz, çështja nuk ka të bëjë me një qëndrim të vetëm apo disa, ata të duan tërësisht pa përjashtim fare, të duan gjithmonë dhe në çdo kohë.

Barriera e jetës bashkëshortore, barriera e punës, barriera e jetës akademike, ideologjike apo propagandistike, barriera e shoqërisë, barriera e rrymave kundërshtare, barriera e pushtetit, barriera e pasuesve, barriera e publikut dhe  barriera e ortakëve.

Përveç tyre, kemi dhe barrierat e brendshme të egos, e sa të shumta janë këto, sa të vështira për të shpëtuar prej tyre, por dhe po aq të vështira për ti zbuluar. “Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 9)

Njerëzit që mburren më së shumti me lirinë, janë pikërisht ata që janë më shumë të privuar prej saj. Ahme ibnu Daud pati thënë:”Shkova dhe u takova me imam Ahmed ibnu Hanbel para se të fshikullohet dhe i thashë:”O imam! Ke familje dhe fëmijë, ti vetë je i justifikuar.” Ai mu përgjigj:”Nëse kjo është logjika jote, qenke rehat.”

Në librin “El-ubudije” të Ibnu  Tejmijes, thuhet se skllavëria nuk është ajo realja, por është skllavëria e zemrës dhe e mendjes. Ndaj kujtdo që zemra manifeston skllavëri dhe vartësi, ajo është shndërruar në skllave e tij. Prandaj dhe thuhet se:

Skllavi është i lirë kur lirshëm mendon

I liri është skllav, kur si skllav lakmon

Thuhet se lakmia është litar në fyt dhe pranga në këmbë. Kurdo që të hiqet litari i fytit, është zgjidhur pranga e këmbës.

Duke qenë të kënaqur dhe të moderuar në programet dhe projektet tona, në ambiciet dhe ëndrrat, ruajmë njëfarë lirie vetjake me të cilën jetojmë dhe e shijojmë. Kështu, jeta jonë merr kuptim.

Pa marrëdhënie me të tjerët kurrë nuk do të kemi sukses dhe marrëdhëniet me të tjerët nuk ndërtohen pa komunikim, mirëkuptim, dialog, dhënie dhe marrje, moral dhe tolerancë. Vetëm kështu do të korrësh sukses më shumë sesa ëndërroje.

Por kjo të vendos para alternativave, kthesave, qëndrimeve dhe testeve të ndryshme… A do vazhdosh të kërkosh më shumë pa kushte, edhe nëse bëhesh dash kurbani, apo do të ruash atë që të ka dhënë Zoti duke iu përmbajtur përgjegjësisë vetjake dhe vizionit personal, edhe pse kjo mund të të çojë dëm atë që ke dashur dhe shpresuar.

Këtu nuk bëhet fjalë për një ngjarje të izoluar, ku njeriu mund t’ia qëllojë por mund edhe të gabojë. Gabimi në vetvete është diçka pozitive, nëse nxirret mësime prej tij, madje do të thosha që është pjesë e linjës së jetës.

Perktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives