Tuesday, 21/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Cilat janë masat parandaluese që merren për të fituar mbrojtjen hyjnore prej prekjes apo dëmtimit prej mësyshit?

Cilat janë masat parandaluese që merren për të fituar mbrojtjen hyjnore prej prekjes apo dëmtimit prej mësyshit?

 Pyetje:


Cilat janë masat parandaluese që merren për të fituar mbrojtjen hyjnore prej prekjes apo dëmtimit prej mësyshit?


 Përgjigjja:


Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Tekstet hyjnore islame kanë theksuar një sërë masash parandaluese për të mos u prekur nga mësyshi, ku ndoshta më krysoret janë udhëzimet hyjnore në vijim:

Së pari: Një nga masat më të mira parandaluese të prekjes prej mësyshit (por edhe të smirës), shpaloset në thënien e çmuar profetike:

Ndihmohuni në mbarëvajtjen e nevojave duke i mbajtur të fshehta, pasi kushdo që ka një mirësi do e smirojnë (do e kenë smirë)”1; pra prej masave parandaluese të smirës dhe mësyshit, është fshehja e mirësive të cilave ua kemi frikën se mos na goditen nga smira dhe mësyshi.

Së dyti: Nuk duhet ekzagjeruar në frikën prej mësyshit, por duhet që ne si muslimanë të mbështetemi gjithmonë te Allahu i Madhëruar dhe strehohemi vazhdimisht tek mbrojtja e Tij, si për mësyshin ashtu edhe për të gjitha ligësitë e tjera të cilave u ekspozohemi në mënyrë të vazhdueshme gjatë jetës sonë.

Kjo mbështetje dhe ky strehim për mbrojte, realizohet më së miri duke i bërë lutje Allahut të Lartësuar dhe lutjet më të mira në këtë kontekst, janë lutjet specifike që ka bërë Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të!), por mund të lutemi edhe me fjalët tona, duke thënë: “O Allahu ynë, na ruaj ne, fëmijët tanë… (dhe shton këtu kë dhe çfarë dëshiron) nga syri i keq, smira, magjia e të tjera ligësi, nga të cilat nuk mund të na ruaj askush përveç Teje!”  Pra për të eliminuar goditjen nga syri i keq, kërkohet mbështetja totale tek Allahu i Lartësuar. Normalisht besimi i drejtë, falja, lutja etj., janë mburoja të blinduara që mbrojnë prej mësyshit…

Së treti: Disa sure (kaptina) të veçanta të Kuranit janë gjithashtu mbrojtëse të blinduara kundër mësyshit, prej të cilëve spikasin El-Mau’dheteni (suret El-Felek dhe En-Nas) dhe Ajeti Kursi (ajeti 255 në suren El-Bekare).

Për dy të parat bëhet fjalë në transmetimin profetik në të cilin vjen se, “I Dërguari i Allahut thoshte: ‘EÛUDHU BIL-LAHI/Strehohem tek Allahu të më mbrojë’ nga syri (mësyshi) i xhindeve dhe pastaj nga sytë (mësyshi) i njerëzve.” Kur zbritën El-Mau’dheteni (Surja El-Felek dhe En-Nas), ai (Paqja qoftë mbi të!) i përdori ato (leximin e tyre) dhe i la të tjerat veç tyre.”2

Kurse për Ajetin Kursi bën fjalë transmetimi profetik në vijim, ku vjen se: “Ubej Ibn Keabi kishte ca arka hurmash që i pakësoheshin, ndaj ai një natë bëri roje dhe pa një xhind (shejtan prej shejtanëve) në formën e një djaloshi por me duar dhe qime si ato të qenit, të cilin e pyeti se çfarë i shpëton njerëzit nga xhindët dhe përgjigja ishte: “Ky ajeti, që gjendet në suren El-Bekare, “ALL-LLAAHU LAA ILAAHE IL-LEE HUE” (Ajeti Kursi); kush e thotë atë kur ngryset mbrohet prej nesh derisa të gdhijë dhe kush e thotë atë kur gdhihet mbrohet prej nesh derisa të ngryset.” Në mëngjes Ubeji ia tha këtë Profetit (Paqja qoftë mbi të!), që tha: “Të vërtetën të ka thënë i ligu [por ai është gënjeshtar].”3

Së katërti: Po në kudarin e masave parandaluese islame nga mësyshi, është që kur të na pëlqejë një send apo një person, ta shoqërojmë këtë pëlqim me formulën:

“TEBAAREK ALL-LLAAH/E bekoftë Allahu!; ose ALL-LLAAHUM-ME BEERIK LEHU/ Bekoje o Allah!”; kjo formulë bazohet në transmetime autentike profetike4, ku përmendet sesi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) na këshillonte që për t’u mbrojtur prej mësyshit të themi për gjënë që na pëlqen “TEBAAREK ALL-LLAAH/E bekoftë Allahu!; ose ALL-LLAAHUM-ME BEERIK LEHU/Bekoje o Allah!”

Një tjetër formulë që i shërben mbrojtjes prej mësyshit është: “MA SHEE ALLAH, LA ǨU-UETEN IL-LAA  BIL-LAAH/ Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut!”; kjo formulë ka origjinë në historinë kuranore të dy personave, njërit prej të cilëve Zoti i kishte dhënë dy vreshta (El-Kehf: 32-44), ku vjen se njeriu i mirë i tha mosmirënjohësit (pronarit të dy vreshtave): “Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: ‘Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut!’5

Ibn Kethiri transmeton se disa prej selefëve (gjeneratave të para islame) kanë thënë: “Kujt i pëlqen diçka prej katandisë (pasurisë) dhe fëmijës së tij, le të thotë: “MA SHEE ALLAH, LA ǨU-UETEN IL-LAA  BIL-LAAH/ Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut!”

Sa mësipër përkrahet edhe nga transmetimi profetik (i cili siç do të ceket është i dobët, por thënia kuranore që u citua pak parë mund të shërbejë si përforcim i tij lidhur me rëndësinë e thënies së shprehjes që vjen në të), në të cilin Profeti (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Nuk ka mirësi të cilën ia ka dhënë Allahu robit- si familja, pasuria dhe fëmija,- dhe të thotë për to: “MA SHEE ALLAH, LA ǨU-UETEN IL-LAA  BIL-LAAH/ Është bërë çfarë ka dashur Allahu, nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut”, e pas kësaj të shohë ndonjë të keqe në to, përveç vdekjes.6

Categories

Archives