Monday, 11/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Cila është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar?

Cila është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar?

Cila është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar?

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet.” [Ankebut 8].

Ebu Amër esh Shejbani thotë: Na ka treguar i zoti i kësaj shtëpie – dhe bëri me shenjë kah shtëpia e Abdullahut – duke thënë:

E kam pyetur Profetin (alejhi salatu ues selam): Cila është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar? Ai më tha: Namazi në kohën e vet! Unë i thashë: Po pas kësaj? Ai më tha: Respekti ndaj prindërve! Unë përsëri i thashë: Po pas kësaj? Ai më tha: Lufta në rrugë të Allahut! Tha: Ai më tregoi për këto, e nëse do të shtoja (pyetjet), ai përsëri do të shtonte (përgjigjet)![1]

Dobi dhe mësime:

“Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet.” [Ankebut 8].

Begaviu (Allahu e mëshiroftë) në tefsirin e tij thotë: “D.m.th të jetë i respektueshëm dhe i mëshirshëm ndaj tyre. Pra, ne e urdhëruam njeriun që të veprojë me prindërit atë që është më e mira.” [Tefsiri i Begaviut].

Ibn Kethir (Allahu e mëshiroftë), në tefsirin e tij thotë: Zoti i Lartësuar flet duke i urdhëruar robërit e tij që të jenë të sjellshëm me prindërit dhe këtë e thotë pasiqë i nxit që të kapen fort pas teuhidit (njësimit të Tij), kjo sepse prindërit ishin shkaku i ardhjes në jetë të këtij njeriu dhe ndaj tyre ai duhet të angazhohet me bamirësinë më të madhe. Ndaj babait, duke shpenzuar ndërsa ndaj nënës mëshirë (dhembshuri) duke treguar. [Tefsir i ibn Kethir].

Arsyeja e zbritjes së këtij ajeti?

Ajeti i lartpërmendur ka zbritur për rastin e Sead bin Ebi Uekasit (Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij) siç përmendet në sahihun e Muslimit me nr 1748.

“Për të zbritën disa ajete nga Kur’ani. Nëna e Seadit u betua se nuk do i fliste asnjëherë, derisa ai të mohonte fenë e tij, gjithashtu u zotua se nuk do të hante e as të pinte. Ajo i tha: Pretendon se Allahu të ka urdhëruar për prindërit ndërkohë unë jam nëna jote dhe të urdhëroj me këtë. Ajo qëndroi tre ditë derisa i ra të fikët nga lodhja. Njëri nga djemtë e saj që quhej Umarah shkoi dhe i dha ujë për të pirë. Ajo filloi lutej kundër Seadit, ndërsa Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet: “Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet.” [Ankebut 8]. “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë.” [Lukman 15].

“El Uesijeh” vjen në kuptimin e urdhërit, që do të thotë se fjala e Allahut: “Ne e kemi porositur njeriun.” d.m.th e urdhëruam atë.

Gjithashtu “El Uesijeh”  vjen dhe në kuptimin e lidhjes, sepse njeriu lidh diçka që ka të bëjë me jetën, me atë që do do të ndodhë pas vdekjes së tij.[2]

Në aspektin fetar, bëhet fjalë për gjëra të vendosura të cilave njeriu duhet tu largohet apo nxitja në praktikimin e atyre gjërave që urdhërohet.[3]

“Na ka treguar i zoti i kësaj shtëpie – dhe bëri me shenjë kah shtëpia e Abdullahut –

Bëri me shenjë, d.m.th tregoi me dorën e tij! Në këtë ka argument se është e mjaftueshme bërja me shenjë ndaj të folurës, nëse shenja është e kuptueshme.[4]

E kam pyetur Profetin (alejhi salatu ues selam): Cila është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar?

Këtu mësojmë garimin e sahabëve në vepra të mira dhe nxitimin për të bërë bamirësi dhe synimet e larta në vepra të mira, si dhe pyetjet e tyre rreth gjërave përmbledhëse të dobishme.

“Ai më tha: Namazi në kohën e vet!”

Hafidh ibn Haxher (Allahu e mëshiroftë) në librin [Fet’hul Bari 2/9], duke sqaruar mënyrat e preferencave (që përmendet në hadithe), thotë: Përmbledhja e asaj që kanë thënë dijetarët rreth këtij hadithi apo haditheve të tjera, ku tregohen përgjigje të ndryshme se cila vepër konsiderohet më e mirë, është kjo: Përgjigjet kanë ndryshuar bazuar në gjendjen e atyre që kanë pyetur, që do të thotë: Ai (Profeti), e ka ditur se për çfarë ka nevojë më shumë një popull dhe çfarë dëshirojnë më shumë, ose çfarë ka qenë e denjë për ta.  Gjithashtu, ndryshimi i përgjigjeve ka ardhë si rezultat i ndryshimit të kohës, që do të thotë: Në këtë kohë, kjo vepër është më e vlefshme se në një kohë tjetër! Dihet fare mirë se lufta në fillim të Islamit, konsiderohej vepra më e mirë, sepse ishte mjeti  për të realizuar dhe për ta praktikuar atë (Islamin).

Tekstet janë të shumta që tregojnë se namazi është më i mirë se sadakaja, e m.gj.th në kohët kur kërkohet SOLIDARITET dhe ndihmë ndaj nevojtarëve, sadakaja në këtë rast është me mirë.

Në disa versione të hadithit përmendet, për kohën e tij, siç thuhet në  Sahih Musanef me nr 7534 dhe në Sahihun e Muslimit me nr 85, por vjen në një kuptim, sepse përemri i përmendur vjen dhe në kuptimin e përmendur në hadith! Për më tepër shih çfarë ka thënë Kastalani në “Irshad es Sari 1/482”.

Unë i thashë: Po pas kësaj?

D.m.th më pas, cila është vepra më e mirë [Fet’hul bari].

Them: Fjala: “Më pas” është bashkërënditës, që tregon rënditje edhe pse ka diferencë në kohë dhe tregon qartë vlerat e ndryshme që kanë veprat.  E para konsiderohet namazi në kohën e vet, pastaj respekti ndaj prindërve, pastaj lufta në rrugë të Allahut. Këtu mësojmë rëndësinë e madhe që ka namazi dhe respekti naj prindërve, por kjo nuk anashkalon dhe vlerën e luftës në rrugë të Allahut, siç mund të hamendësojnë disa njerëz.

Me këtë rast, desha të kujtoj hadithin e Profetit (alejhis salatu ues selam) që thotë: “Jam urdhëruar t’u kundërvihem njerëzve, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë, ata do të fitojnë nga unë sigurinë për jetën dhe pasurinë e tyre, nëse janë në pajtim me Islamin. Ndërsa llogarinë e tyre (të brendshme për sinqeritetin) do ta japin përpara Allahut të Madhëruar.” [Buhariu dhe Muslimi].

Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Profeti (alejhi salatu ues selam) kur sulmonte bashkë me ne ndonjë popull, nuk i sulmonte derisa të hynte mëngjesi dhe priste! Nëse e dëgjonte ezanin, largohej, e nëse nuk e dëgjonte ezanin, i sulmonte ata. [Buhariu dhe Muslimi].

Kjo të jep të kuptosh shumë dhe largon prej teje çdo lloj dyshimi pasi të meditosh me kujdes.

Hafidh ibn Haxher thotë: Ibn Bezijzeh thotë: Ajo që pohon studimi është përparësia e xhihadit ndaj të gjitha veprave trupore, sepse aty jepet jeta, por durimi për të ruajtur namazin dhe kryerjen e tij në kohë dhe kujdesi në bindjen ndaj prindërve, janë gjëra të kërkuara dhe që përsëriten vazhdimisht dhe nuk duron duke patur parasysh mbikqyrjen e Zotit, vetm se të sinqertët. Allahu e di më mirë.

Në librin tim “Namazi dhe ndikimi i tij në shtimin e imanit dhe edukimin e shpirtit” ka sqarimie të detajuara dhe shtesa, prandaj kthehu aty dhe lexoi nëse dëshiron.

Ai më tha: Respekti ndaj prindërve!

Zemërgjerësia me bamirësi dhe respekt ndaj tyre, mbajtja e lidhjeve dhe kryerja e obligimeve ndaj tyre.

Përmendja e fjalës “pas kësaj” e vërteton edhe më shumë rradhitjen! E njëjta gjë thuhet edhe për xhihadin në rrugë të Allahut të Lartësuar.

Unë i thashë: Po pas kësaj?  Ai tha: Lufta në rrugë të Allahut!

Këtu del në pah vlera e luftës në rrugë të Zotit dhe nënkupton ruajtjen e vendeve islame nga mohuesit dhe idhujtart, përhapjen  e fesë në lindje dhe perëndim të tokës, e shumë dobi të tjera, të cilat përfitohen nga mirësitë e dunjasë dhe ahiretit.

“Ai më tregoi për këto.”

Këto fjalë janë të Abdullah bin Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)!

Edhe një herë kjo pohon atë që u tha më parë se ai ishte vetë që kishte pyetur dhe kishte dëgjuar përgjigjen nga Profeti alejhi selam. [Fet’hul Bari].

E nëse do të shtoja (pyetjet), ai përsëri do të shtonte (përgjigjet)!

Del në pah ajo pjesë që mund të lejohet nga forma e fjalës “Nëse”!

Hafidh ibn Haxher (Allahu e mëshiroftë) thotë: Mundet që të ketë patur për qëllim pyetjen për shkallët (rënditjen) e veprave më të mira. Ashtu sikurse ka mundësi të ketë patur për qëllim çdo lloj çështjeje të nevojshme.

Në versionin e Muslimit me nr 85 thuhet: Unë nuk e lash të shtonte, vetëm se për ta ruajtur atë (Profetin), d.m.th  nga mëshira ndaj tij që të mos velet.

Në Fet’hul Bari, thuhet: Në këtë hadith, mësojmë vlerën e kujdesit dhe respektit ndaj prindërve dhe se veprat e mira kanë diferencë nga njëra tjetra. Në hadith mësojmë se pyetjet e ndryshme mund të bëhen dhe në një kohë, mësojmë mëshirën që duhet të tregojmë ndaj dijetarit duke mos bërë pyetjeve të shumta nga frika se mos ai velet. Gjithasshtu mësojmë nderimin që sahabët i bënin Profetit (alejhi salatu ues selam)  dhe dhembshurinë që kishin për të. Ashtu sikurse mësojmë mënyrën e tij se si i orientonte ata që kërkonin orientim, edhe nëse kjo gjë rëndonte mbi të.

Them: Gjithashtu, mësojmë se përgjigja e myftiut duhet të jetë në masë të pyetjes që i bëhet. Profeti (alejhi salatu ues selam) sa herë që i thuhej: Po pas kësaj?  Ai i përgjigjej me diçka dhe në momentin kur pyetësi nuk shtoi, edhe Profeti nuk filloi të shtonte. E gjithë kjo, kthehet në përllogaritjet e myftiut, në shtimin apo mos shtimin, ashtu siç e kërkon vendi dhe gjendja e dëgjuesit.

[Sherh Sahih el Edeb el Mufrad]

Autor Husejn El Auajshe (Allahu e ruajtë)

Përktheu Fatjon Isufi

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] El Mudhekerat el xhelije, shejh Ali el Hidi.

[3] Fet’hul bari 5/355, si dhe libri Tilbetu et Talebe en Nesefi dhe libri Kitab el Uesaja.

[4] Fet’hul bari.

/udhaebesimtareve.com/

Categories

Archives