Monday, 29/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Çfarë thotë Islami për terrorizmin?


Çfarë thotë Islami për terrorizmin?


Islami paqe

Islami është fe e mëshirës; nuk e lejon terrorizmin. Në Kuran thuhet:

“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësi.” (60: 8)

I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të) i ka ndaluar ushtarët të vrisnin gra e fëmijë (1) dhe i ka këshilluar ata duke thënë:

“… mos tradhtoni, mos e kaloni masën, mos vrisni fëmijët e vegjël.” (2)

Gjithashtu, ai ka thënë: “Kush vret një person që ka marrëveshje me muslimanët, nuk do ta ndiejë aromën e Parajsës, megjithëse aroma e saj ndihet dyzet vjet larg.” (3) Ai gjithashtu e ka ndaluar ndëshkimin me djegie në zjarr. (4)

Muhamedi (paqja qoftë mbi të) e ka radhitur vrasjen në vendin e dytë, ndërmjet gjynaheve të mëdha, (5) si dhe ka theksuar se “çështjet e para që do të gjykohen midis njerëzve në Ditën e Gjykimit do të jenë ato të gjakderdhjes” (6).

Jo vetëm kaq, por Islami i porosit muslimanët të jenë të butë edhe me kafshët e të mos i dëmtojnë ato. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Një grua u dënua për shkak se mbylli një mace, derisa ngordhi. Ajo u dënua në zjarr, pasi as i dha të hante, as nuk e lëshoi që ta gjente vetë ushqimin.” (7)

Gjithashtu, ai ka thënë se një burrë i dha ujë një qeni të etur, ndaj dhe Zoti ia fali gjynahet. Profeti Muhamed është pyetur: “O i dërguari i Zotit a shpërblehemi ne për mirësinë ndaj kafshëve?” Ai u përgjigj: “Njeriu shpërblehet për çdo mirësi që i bën çdo krijese.” (8)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Sjellja e mirë me prindërit te lehteson rrugen per ne Xhenet

Edhe kur kafshët theren për mish muslimanët janë të urdhëruar të mos i frikësojnë ato dhe t’i therin me sa më pak dhembje që të jetë e mundur. Muhamedi (paqja qoftë mbi të) ka porositur: “Kur të therni një kafshë, thereni në mënyrën më të mirë. Mpriheni thikën për t’ia pakësuar vuajtjet sa më tepër kafshës.” (9) Në dritën e këtyre fakteve që përmendëm, si dhe të shumë argumenteve të tjera të Islamit, nxitja e terrorizmit ndaj civilëve të pambrojtur, shkatërrimi i ndërtesave dhe pasurive, vendosja e bombave dhe gjymtimi i burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm, janë të gjitha të ndaluara dhe të urryera në Islam. Feja e muslimanëve është fe e paqes, mëshirës dhe e faljes e nuk ka të bëjë me veprime terroriste që disa ia atribuojnë padrejtësisht Islamit. Nëse ndonjë musliman ndërmerr një veprim terrorist, ai konsiderohet fajtor për shkeljen e ligjeve të Islamit.
——————————————————————————
(1) Trans. Buhariu (n. 3015) dhe Muslimi (n. 1744).
(2) Trans. Muslimi (n. 1731) dhe Tirmidhiu (n. 1408).
(3) Trans. Buhariu (n. 3166) dhe Ibn Maxheh (n. 2686).
(4) Trans. Ebu Daudi (n. 2675).
(5) Trans. Buhariu (n. 6871) dhe Muslimi (n. 88).
(6) Trans. Buhariu (n. 6533) dhe Muslimi (n. 1678).
(7) Trans. Buhariu (n. 2365) dhe Muslimi (n. 2422).
(8) Trans. Buhariu (n. 2466) dhe Muslimi (n. 2244).
(9) Trans Muslimi (n. 1955) dhe Tirmidhiu (n. 1409).

Burimi: Udhezues i ilustruar mbi Islamin

Tags:

Categories

Archives