Friday, 20/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Çfarë sistemi zgjedhor ka nevojë Kosova

Çfarë sistemi zgjedhor ka nevojë Kosova

amir ahmeti

Në dy javët e fundit përveç temave të nxehta rreth antiteistëve dhe islamofobëve, temë e nxehtë ka qenë edhe zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, me reformë apo pa reformë zgjedhore. Si ish anëtar i komisionit ad hoc të Kuvendit të Kosovës për reformën zgjedhore, atëkohë si anëtar i grupit parlamentar KKR, desha të shkruaj këtë opinion.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë që u mbajtën në dhjetor të vitit 2010, janë konsideruar zgjedhjet më të këqija e më të manipuluarat në këto katër legjislatura. Si rezultat i shumë manipulimeve ato u përsëriten pjesërisht në disa qytete e madje diku-diku edhe nga tri herë u detyruan votuesit të kryenin obligimin e tyre qytetar. Pas këtyre zgjedhjeve, nuk ka mbet subjekt politik në Kosovë pa e kritikuar sistemin zgjedhor. Duke e konsideruar të mangët dhe të papërshtatshëm për rrethanat e Kosovës, si nga aspekti regjional, ashtu edhe nga mënyra e përzgjedhjes dhe ndërtimit të raportit votues – përfaqësues, rezultoi me një mirëkuptim gjithëpolitik për të marrë masat e duhura dhe të fillonte reforma zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Në punën e vet gati një vjeçare, komisioni ad hoc për reformën zgjedhore, ka punuar me zell për të bërë ndryshime në sistemin zgjedhor. Por mënyra qysh punuam ka qenë mjaftë e komplikuar. Mendoj se për disa çështje edhe juristët e Kuvendit dhe ekspertët e zgjedhjeve, që sot në Kosovë ka mjaftë, kanë mundur t’i përmirësonin e ndryshonin dhe nuk ka pasur nevojë legjislativi ose përfaqësuesit politik të përpilonin gjithë ato detaje. Shumë herë jemi pajtuar se si komision merreshim me disa finesa që vërtetë ishin jashtë kontestit politik. Po e them këtë jo pse ishte e lodhshme ose mundimshme për përfaqësuesit politik të merreshin me ato detaje por e panevojshme. Kështu mendoj pikërisht për arsyen që e kam përmend edhe në komision, se ne duhej të ndanim mendjen për një lloj sistemi elektoral dhe pastaj si rezultat i përzgjedhjes sonë detajet do të rridhnin sipas skemës që e parasheh ai sistem zgjedhor. Madje kam propozuar edhe ndonjë sistem miks të zgjedhjeve. Thjeshtë, sot në botë ka sisteme të shumta zgjedhore, po ashtu edhe praktika po aq të shumta. Ne si vend i ri, njëherësh i fundit në rajon që organizon zgjedhje demokratike, kemi pasur mundësi të zgjedhim sistemin më të mirë të mundshëm për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Duke marrë praktikat më të mira në botë, ose nga vendet e rajonit.

Duke marrë për bazë vende të ndryshme të botës me madhësinë e afërt si Kosova, ose me numrin e banorëve. Po ashtu duke shmangur sistemet zgjedhore që kanë dalë të gabuara në vendet e ngjashme me Kosovën ose gabimet nga sistemet zgjedhore të vendeve të rajonit. Familjet e sistemeve zgjedhore ashtu si i kanë caktuar ekspertët e kësaj fushe janë: sistemet mazhoritare, proporcionale e gjysmëproporcionale, përfaqësimit proporcional, etj. Tek e fundit askush nuk i ka dhënë pikë kësaj çështje. Pastaj në kuadër të këtyre sistemeve janë nënsistemet e votës bllok, asaj alternative, zgjedhjeve indirekte, proporcionalitetit miks, etj. Sidomos jam përkrahës i një sistemi të proporcionalitetit miks, pikërisht për shkak të faktorëve që e karakterizojnë Kosovën, si për vendet e rezervuara, ashtu edhe për shkak të mungesës së zonave zgjedhore.
Krejt në fund të punës sonë, ne si komision kuptuam se jemi të pafuqishëm për të vendosë për një sistem zgjedhor edhe pse kishim mandat nga Kuvendi. Çështjet kryesore të debatuara për sistemin zgjedhor kurrë nuk mundem t’i kemi në rend dite. Ato i përmendnim si dëshira tona, që i shprehnim në komision por kurrë nuk na u dha rasti të vendosnim për to. Shprehja që më së shumti u dëgjua në komision në pjesën e fundit të punës së komisionit ishte se “liderët politik” kanë mbetur të dakordohen për këto çështje. Atëherë, ne çfarë pune bëmë? Po, komisioni punoj me përkushtim, por punoi aq sa iu nevojitej “liderëve politik” për të fituar kohë. Në fund, vërtetë liderët politik të partive kryesore në vend do të vendosin për sistemin i cili iu sjellë atyre fitore, duke mbyllë mundësinë e një fryme të re politike në vendin tonë. Duke izoluar mbi 15% të votuesve që të mos kenë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës, si rezultat i pragut zgjedhor, e po ashtu se shumë qytetar që nuk votojnë fare për shkak se kanë humbur besimin në sistemin zgjedhor, ne rrezikojmë të kemi dalje të kënaqshme në zgjedhjet e ardhshme.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ngadhënjimi i së vërtetës në tokën e faraonëve

Një sistem zgjedhor që këta lider politik po duan, është ai sistem që iu siguron të njëjtave subjekte politike të zënë ulëset e Kuvendit ndërsa qeverinë ta bëjnë me rotacion.
Atëherë, a ka nevojë për reformë zgjedhore? Një reformë e këtij lloji kozmetik, Kosova më së paku ka nevojë. Ka shtete në botë që kanë ndryshuar sistemin zgjedhor disa herë për një periudhë të shkurtër deri sa kanë arritur të përshtatin sistemin me nevojat e popullatës dhe një
përfaqësimi dinjitoz duke vlerësuar çdo votë të hedhur në kutitë e votimit. Por ka edhe shtete që kanë ndryshuar sistemin zgjedhor për arsye të kundërta që ata që kishin pushtetin në dorë të vazhdonin me qeverisjen pa u penguar duke bërë sistemin zgjedhor të përshtatshëm për vete. Pikërisht kësaj të dytës po i frikësohem që mos të ndodhë në vendin tonë.
Shpresoj në vetëdijen politike dhe përgjegjësinë e institucioneve tona që të kemi një reformë të mirëfilltë dhe të mos përsëriten asnjëherë zgjedhjet e vitit 2010.

(Autori është deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës)

Categories

Archives