Friday, 28/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Çfarë është lumturia?

Çfarë është lumturia?

lule ari

Në fjalorin e “Webster’s Third New International Dictionary”, lumturia është një gjendje në të cilën njeriu ndihet mirë, është e karakterizuar me emocione të këndshme në një kohë të shkurtër dhe me një dëshirë natyrale për vazhdimin e mëtejshëm të këtyre emocioneve.
Në këtë term ka edhe sinonime që përkufizojnë lumturinë, si: gëzim i zgjatur, gëzim i plotë, bekim, hare.
Gëzim i zgjatur: është një fjalë shumë letrare që tregon diçka më shumë, si: gëzim më të gjatë ose lumturi të përsosur.
Gëzim i plotë: i referohet në këtë rast lumturisë më të madhe, lumturia e të bekuarit.
Bekimi: sugjeron kënaqësinë e thellë të dashurisë së pastër ose pranimin nga Zoti.
Hare: kjo fjalë mund të përdoret për një lumturi të plotë dhe të siguruar.
Disa studentë të edukimit e përkufizojnë lumturinë si një vazhdimësi e ndjenjës ose e gjendjes së kënaqësisë dhe burimin e lumturisë nga ndjenja e qëndrueshme e të qenit mirë, mirësisë së jetës dhe mirësisë së fatit të njeriut.

Burimet e lumturisë
Individë të ndryshëm ose grupe të ndryshme njerëzish kanë ide të ndryshme lidhur me mënyrat më të mira për të arritur lumturinë. Megjithatë, janë disa teori dhe spekulime të ndryshme të cilat shumë njerëz i konsiderojnë si burimet e lumturisë. Këto mund të klasifikohen si më poshtë:
1- Pasuria
2- Grada dhe pozicioni
3- Arritjet e larta në edukim [edukimi akademik dhe titujt e nderit]
4- Fama [p.sh.: në politikë, në arte, në sport, në shkencë, etj.]

Lumturia në pasuri
Pasuria është, me sa duket, elementi më i afërt, në qoftë se nuk është sinonimike, me lumturinë përderisa shumë njerëz e besojnë këtë.
Ky kuptim është i rrënjosur thellë në zemrat e shumë personave duke pasur parasysh se shumica e njerëzve kudo në botë janë të dhënë për përvetësimin e pasurisë. Ata e shohin pasurinë si shkakun e parë të lumturisë me qëllimin se të dyja këto, lumturia dhe pasuria janë të gërshetuara.
Sa të gëzuar janë ata burra dhe gra që zotërojnë kompani perandorake, gjerësi të mëdha toke dhe prona, depozita të mëdha bankare, etj.
Me të vërtetë shumë janë ata persona që zotërojnë miliona dhe biliona por janë duke vuajtur për të patur një moment paqeje në mendjen e tyre. Kjo vjen si rezultat i frikës që ata kanë për pasurinë e tyre dhe frikën që kanë se mos po bëhet ndonjë çrregullim politik, ndonjë lëvizje e tregut, luftë, plaçkitje, therje, etj.
Dhe nuk është vetëm kjo që i lë pa gjumë natën këta njerëz por është edhe tensioni, ankthi mendor, ataket e zemrës dhe vdekja. Shumë shpesh dëgjojmë në media lajme të tilla, si:
– Humb pasurinë dhe jetën pas një ulje financiare në tregti.
– Një tregtar nga Tokio qëllon veten, me sa duket pas humbjes së parave në tregti.
– Njeriu më i pasur i Australisë u dërgua me nxitim në spital në gjendje kritike dhe të dielën pësoi një atak zemre.
Duhet kuptuar dhe pranuar që lumturia nuk ka të bëjë asgjë me grumbullimin e pasurisë. Ky është përfundimi më real që mund të arrijmë. Me materialet e mjaftueshme nga jetët e shumë njerëzve është më e lehtë për të aprovuar thënien tonë: “Pasuria nuk sjell lumturinë!”

Karuni
Historia e Karunit shërben si shembull tipik i njerëzve të pasur, të cilët pasuria i mbush me krenari dhe arrogancë dhe i bën ata të harrojnë rolin e pasurisë në jetën e njeriut. Pasuria duhet të përdoret për mirëqënien e njeriut dhe të shoqërisë së tij në përputhje me dëshirat dhe urdhërimet e Allahut të Madhëruar, i Cili i ka garantuar njeriut ekzistencën e tij, i ka dhënë atij aftësi, fuqi, ushqim dhe pasuri.
Historia e Karunit tregohet në Kur’anin Famëlartë:

“Vërtet, Karuni ishte nga populli i Musait, por ai u sjell me kryeneçësi ndaj tyre. Dhe Ne i dhamë atij gjithë thesaret e begatitë, aq sa çelësat ishin një peshë e madhe për t’u mbajtur nga një grup i madh burrash të fortë. Kur populli i tij i tha atij: “Mos u ngazëlle (me mosmirënjohje ndaj Mirësisë së Allahut). Vërtet, Allahu nuk i do ata që ngazëllehen.” (Sure El-Kasas: 76)

“E ai (Karuni) doli para popullit të tij me kryelartësinë e tij…” (Sure El-Kasas: 79)
Kur ai ishte në kulmin e lavdisë së tij, njerëzit u shprehën se e kanë zili dhe menduan se sa të lumtur do të ishin në qoftë se do të ishin në vend të tij. Por, njerëzit e zgjuar nuk u hutuan nga pasuria e stërmadhe e Karunit, sepse ata e kishin kuptuar se pasuria e kësaj bote është e përkohshme dhe ishin të sigurtë se pasuria e vërtetë është shpërblimi i Allahut në botën tjetër për besimtarët dhe për ata që kryejnë vepra të mira. [shih në Kur’an suren El-Kasas: 80]
Karuni ishte mendjemadh dhe u paraqiste para njerëzve të popullit të vet si “zot i një pasurie të madhe”.
Ata e admironin fuqinë e tij por harronin realitetin se si ishte.
E gjithë kjo ishte një “lumturi iluzioniste” ose një lumturi e përkohshme tamam si një ëndërr ose si një film.Por si ishte përfundimi? Çfarë ndodhi me shkëlqimin, pasurinë, krenarinë dhe arrogancën?
“Kësisoj Ne bëmë që atë ta përpijë toka bashkë me vendbanimin e tij. Pastaj ai nuk pati asnjë grusht njerëzish ta ndihmonin atë përveç Allahut, as nuk ishte prej atyre që mund të shpëtojnë vetveten.” (Sure El-Kasas: 81)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Midis të menduarit dhe poteres

Kristina Onasis
Këtu gjendet një histori tjetër e rëndësishme e cila provon padyshim se pasuria, çfarëdo sasie që të jetë ajo, nuk mund të jetë në gjendje të sjellë lumturinë e vërtetë! Kjo është një histori që për shumë vjet ka ndenjur në mendjet e shkrimtarëve, reporterëve dhe gazetarëve nëpër libra dhe nëpër faqet e gazetave dhe revistave!
Kjo është historia e Kristina Onasis, vajza së të famshmit dhe grekut më të pasur Aristotle Onasis, i cili zotëronte flota anijesh dhe aeroplanësh, liqene dhe ishuj, prona të mëdha, depozita bankare të stërmëdha, etj. Mbas vdekjes së të atit Kristina ishte e vetmja që mund të trashëgonte gjithë pasurinë përveç gruas së dytë të të atit, Zheklin Kenedit (Jacqueline Kennedy). Trashëgimia arrinte në biliona dollarë përveç gjërave të tjera, si: flotat e anijeve dhe aeroplanëve, liqenet dhe ishujt, pronat e mëdha, depozita bankare të stërmëdha, etj. Çfarë trashëgimie!!!
Sigurisht, sipas gjykimit, arsyetimit, ndjenjave dhe kriterit të shumicës së njerëzve, ai që trashëgon një pasuri të stërmadhe si kjo duhet të jetë njeriu më i lumtur në tokë – por a ishte kjo e vërtetë, a ishte e lumtur Kristina? Përgjigjen do ta gjejmë më poshtë duke kuptuar se si do të vazhdojë jeta e saj.
Kristina ishte e martuar me një amerikan gjatë kohës kur babai i saj ishte gjallë, por vetëm disa muaj më pas martesa mbaroi me divorc.
Pas vdekjes së të atit, ajo u martua për së dyti me një grek por martesa e tyre zgjati vetëm disa muaj, të mos themi disa javë! Kristina qëndroi larg martesës për disa kohë. Me sa duket kërkonte lumturinë jashtë martesës.
Por, prapë nuk e gjeti lumturinë dhe pas disa vitesh e gjeti përsëri veten duke e kërkuar lumturinë në martesë.
Kësaj here ajo e zgjodhi bashkëshortin e saj nga një vend krejt tjetër, nga Rusia komuniste. Kushdo që e njihte stilin e saj perëndimor të jetës, ky hap i saj me të vërtetë e çudiste dhe ia shtonte kureshtjen se çfarë do të ndodhte më tej. Kur u pyet njëherë nga një gazetar për këtë veprim të saj, gazetari mori një përgjigje të gatshme e cila ishte e thjeshtë, e shkurtër por e sinqertë: “Jam duke kërkuar lumturinë!”
Pasi dy martesat e saj të para ishin me burra nga perëndimi, dhe meqënëse ato dështuan, ajo mendoi se duhet ta kërkonte lumturinë nga lindja. Pra, edhe kësaj here ajo po provonte fatin e saj megjithëse nuk kishte asgjë të garantuar. Kur gazetari e pyeti herën tjetër duke i bërë përsëri të njëjtën pyetje, ajo iu përgjigj duke replikuar me të njëjtën përgjigje: “Jam duke kërkuar lumturinë…!”
Por, a ishte ajo me të vërtetë e lumtur nga martesa në Rusi? Kurrë! Ajo qëndroi me rusin më shumë se një vit dhe u nda! Ky ishte fundi i një martese të ankthshme.
Por ajo nuk u dorëzua. U kthye përsëri në Evropë dhe mendoi t’i jap vetes edhe një mundësi të fundit duke zgjedhur për bashkëshort një industrialist francez. Pra, ajo u martua me katër burra nga vende krejtësisht të ndryshme për një periudhë kohore prej dy vitesh!
Sa jetë e mjerueshme dhe e pasuksesshme! Në një festë që bëri për martesën saj të katërt u pyet nga një gazetar se a ishte ajo gruaja më e pasur dhe përgjigjja e saj e sinqertë ishte: “Po! Jam gruaja më e pasur por më e palumtura…”
Organizimi i martesës me industrialistin francez u zhvillua siç ishte planifikuar por iu deshën vetëm disa muaj dhe gjithçka mori fund!
Pasi nuk e gjeti lumturinë në martesë ajo vendosi që të mos martohej më dhe të përpiqej që ta gjente lumturinë “vetëm”.
Por, lumturia ishte e pamundur për të, edhe vetëm, dhe ajo e kaloi pjesën tjetër të jetës e dëshpëruar, plot mërzi dhe zhgënjime duke udhëtuar shpesh nëpër qytetet më të mëdha të botës. Në fund ajo u gjend e vdekur brenda një hoteli në Argjentinë.
Kush e vrau? Ajo kishte kryer vetëvrasje! Çfarë fundi i trishtueshëm për një grua shumë, shumë të pasur!Pra, a ishte në gjendje pasuria e saj të blente lumturinë? KURRË, ME TË VËRTETË KURRË!

Marrë nga libri: “The way to happiness”
Autor: Ghalib Masri dhe Nathif Xhama Adam
Përktheu: Erisa Haspepa

Tags:

Categories

Archives