Monday, 25/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Çfarë do të mbjellim, atë do të korrim

Çfarë do të mbjellim, atë do të korrim

Në një tokë të largët, shumë kohë më parë, lindi një fëmijë i verbër.

Nëna e tij e ve, si një muslimane e mirë, nuk e humbi shpresën dhe lutej vazhdimisht. Disa vite më vonë, djalit të saj iu rikthye shikimi. Falënderimi i takon Allahut! Nëna e kësaj fëmije e kuptoi se fshati ku jetonin nuk i siguronte djalit të saj dijen e mjaftueshme islame, prandaj bashkë me të birin emigroi për në Mekë, ku ai nisi të mësonte Kuran dhe Hadith. Kur u rrit, ai udhëtoi anembanë botës për të mbledhur hadithe dhe në fund përpiloi një libër hadithi që vjen pas Kuranit për nga autenticiteti i tij, por duke mos e harruar të ëmën, e cila e rriti atë si duhet. Nëna e tij ia kishte vënë emrin Muhammad ibn Ismail, por ne e njohim me emrin Imam Buhariu!
Vëllezër e motra, a është e mundshme që një fermer të mbjellë grurë e të korrë luledielli?
Ju mund të thoni se jo. Ashtu është, nuk mund të ndodhë. Në mënyrë të ngjashme, disa prindër i lënë fëmijët e tyre të enden në baltën e televizionit, të muzikës, të filmave dhe të shoqërisë jobesimtare. E kur fëmijët mbarojnë shkollën e mesme dhe kërkojnë të shkojnë në mbrëmjen e maturës për të kërcyer, ose kur shkojnë në universitet dhe nuk falen më e ndoshta martohen me ndonjë jobesimtar/e, atëherë prindërit thonë: “Çfarë ndodhi?!”
Vëllezër e motra, këto janë të korrat e asaj që kemi mbjellë. Nëse nuk i rrisim fëmijët që të jenë të bindur, të mos presim se do të mësojnë diku tjetër. Nëse nuk e praktikojmë vetë Islamin, kush do të jetë shembull për fëmijët tanë? Si e mësoni një fëmijë që të zgjohet e të falë sabahun, kur ai sheh prindërit e tij që nuk çohen për të falur sabahun? Ju mund të pyesni se si i rris unë fëmijët e mi që të jenë të bindur ndaj prindërve? Lexoni më poshtë:
Së pari: Prindërit duhet t’i disiplinojnë fëmijët e tyre kur janë ende të vegjël. Njëri prej djemve të Hisham ibn Abd Al-Malikut njëherë humbi namazin e xhumasë. Kur e takoi më vonë, ai e pyeti: “Pse e humbe xhumanë? I biri u përgjigj: “Gomari im nuk mundi të udhëtonte.” Babai i tij i tha: “Por ti mund të ecje vetë!” Për një vit të tërë, Hisham ibn Abd Al-Maliku e detyroi fëmijën e tij që çdo xhuma ta bënte rrugën për në xhami në këmbë.
Së dyti: Devotshmëria e prindërve shkon edhe te fëmijët. Në Kuran, Allahu i Madhëruar na tregon historinë e Hidrit dhe se si ai ndërtoi një mur për dy jetimë: “Përsa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetima të atij qyteti, e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë…” (Kehf, 18:82)
Shikoni se si Allahu i Madhëruar i mbrojti këta jetimë për shkak të devotshmërisë së prindërve të tyre. Sejid ibn Xhubejri ka thënë: “Shpesh e zgjas namazin tim për shkak të djalit tim, ndoshta Allahu do ta mbrojë atë (për shkak të zgjatjes së namazit).”
Në fund, le të reflektojmë për mirësinë e respektimit të prindërve, pasi është njëra prej gjërave më të mira që mund të bëjmë. Në përmbledhjet e Buhariut dhe të Muslimit nga Abdullah ibn Mesudi transmetohet se një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut: “Cila vepër është më e dashur tek Allahu?” I Dërguari alejhi selam i tha: “Namazi në kohën e vet.” Njeriu pyeti sërish: “E pastaj?” Profeti alejhi selam i tha: “Respektimi dhe nderimi i prindërve.” Ai tha: “E pastaj?”
“Lufta për hir të Allahut.”
Mirësjellja ndaj prindërve është një shkak për shlyerjen e gjynaheve. Allahu i Lartësuar urdhëron në Kuran: “Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet,…”, si dhe: “Të tillët janë ata që Ne ua pranojmë në mënyrën më të mirë atë që punuan, ua kapërcejmë të këqijat e tyre duke i radhitur me banuesit e xhennetit.” (Ahkaf, 46:15-16)
Respektimi i prindërve do të na çojë në xhenet!
Në përmbledhjen e Muslimit nga Ebu Hurejra thuhet: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam se ka thënë: “Qoftë i shkatërruar! Qoftë i shkatërruar! Qoftë i shkatërruar!” E pyetën: “Përse, o i Dërguari i Zotit?” Ai tha: “Ai prindërit e të cilit moshohen pranë tij dhe ai nuk hyn në xhenet (për shkak të mungesës së mirësjelljes ndaj tyre).”
Dhe kur prindërit tanë vdesin, mirësia jonë karshi tyre nuk merr fund.
Malik ibn Rebiah Al-Sa’idi ka rrëfyer: “Ishim ulur me të Dërguarin e Allahut alejhi selam kur erdhi një burrë prej ensarëve dhe pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a ka diçka prej mirësjelljes sime që unë mund t’ua jap prindërve të mi pas vdekjes së tyre?” Profeti alejhi selam tha: “Po, katër gjëra: Lutu dhe kërko falje për ta. Përmbushi zotimet e tyre. Tregohu i sjellshëm ndaj miqve të tyre dhe mbaj lidhjet farefisnore me njerëzit e tyre. Kjo është ajo ka mbetur nga mirësjellja jote karshi tyre pas vdekjes së tyre. ” (Ahmedi, Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe)
Amir ibn Abdullah ibn Zubejri ka thënë: “Babai im vdiq dhe për një vit të tërë nuk i kam kërkuar Allahut asgjë tjetër vetëm se ta falë atë.”
O Allah, na fal ne dhe prindërit tanë dhe shpërbleji ata me shpërblimin më të mirë!
O Allah, lartësoje pozitën e tyre në botën tjetër dhe në këtë botë dhe atë që i godet ata bëje si shpagim gjynahesh për ta! O Allah, futi ata në xhenetin Firdeus, në xhenetin më të lartë, me Profetët, me të sinqertët dhe me dëshmorët!  Muhammad Sherif

Përktheu: Eglantina Muça

Categories

Archives