Friday, 20/4/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Çdokush, ka ardhur për diçka

Çdokush, ka ardhur për diçka
Çdokush, ka ardhur për diçka
 
Autor: Agron Islami
Po lexoja diçka të bukur nga gjeniu i moçëm Ibën Hazëm Andaluziu. Ndërkohë në mendje më erdhën mysafirë disa ide, më trokitën në portën e saj dhe m’i zgjatën duke m’i dhënë në dorë disa fjalë e fjali, të cilat ishin të lidhura njëra me tjetrën, sikur dasmorët në valle, i mora dhe e lashë derën hapur.
Ibën Hazëm Andaluziu kështu thoshte:
“Kushdo që ka prirje natyrore për një fushe shkencore, dhe pse kjo mund të jetë inferiore ndaj fushave të tjera le të merret vetëm me atë fushë përndryshe do të jetë si dikush që mbjellë palma kokosi në Andaluzi apo si dikush që mbjellë ullinjë në Indi, se asnjëra prej tyre nuk ka për të dhënë frute”.
Progresin dhe suksesin do ta gjejsh vetëm atëherë kur do të zhbirohesh thellësisht në skutat dhe gropat e vetvetes, t’ia njohësh asaj pikat e dobëta dhe pikat e forta, dhe më pas ta përshtatësh atë me pjesët plotësuese apo me kallëpet që asaj i përputhen. Përndryshe, gjithmonë do të ketë parehatira!
Ai që e do profesionin e tij, përpiqet me të, lutet për të, angazhohet për të, ai ka përputhshmëri metafizike me të, është krijuar për të, ka ardhur në këtë botë për të. Ai profesion, është kallëpi i tij. Ai profesion është fati, partneri, arra dhe udha e jetës së tij.
Pema mbillet në dhe, e jo në çimento, madje, nëse dheu është shterp, edhe pema s’ka gjë për t’u bërë, shiu vjen nga retë e jo nga varret, i vdekuri kthehet te varri e nuk ngjitet te retë, kopenë e ruan qeni besnik e jo pula, pula bën vezën kurse ai që noton dhe e përdredhë trupin në ujë është peshku e nuk është gjarpëri, e nëse pula caktohet që ta ruajë kopenë, ujku vjen dhe e ha kopenë bashkë me rojen, kjo, sepse miau-të e lehta i bën maca e jo qeni, këngës së agimit nuk ia thotë cjapi po gjeli, hingëllimat i bën kali e jo demi, ciu-ciu-të e ëmbla i bën zogu e jo korbi, veshi i merr tingujt, por është truri ai që i përtypë dhe i percepton ato, e jo lukthi, mjaltin e bën bleta, e jo flutura, edhepse në lule ndoshta kalojnë bashkë.
Çka nuk është kurdisur dhe brumosur prej në parakohoren, s’mund më të bëhet brenda kohores. Gomat e biçikletës nuk mund t’ia montojmë veturës, se shpikësi i të dyjave nuk i ka paraparë ato për njëra-tjetrën! E nëse ia montojmë, atëherë, Universi ia plasë gazit! Nëse gjuhëtari nuk shkon te gjuha, ai bashkë me botën mbeten pa gjuhë, artisti nëse nuk shkon te arti, botën e mbulon shëmtia, mjeku nëse nuk shkon te mjekësia, s’mbetet më e gjallë njerëzia, inxhinieri nëse nuk troket te inxhinjeria, sot ndërtohet kurse nesër rrënohet shtëpia, nëse bujku nuk kujdeset për arrën, shkrimtari nuk di si të mbjell, sepse ai ka raporte me shpirtin dhe fjalën, nëse urtari nuk rrëfen e nuk flet, si do ta dijmë se cila është gënjeshtër, e cila është e vërtetë?
Çdokush ka rrugën e vetë të jetës, ti ndiqe rrugën tënde!
Ta njohësh veten dhe thellësirat e saj, proritetet dhe të disavantazhet e saj, automatikisht vaksinohesh kundër opinioneve të padrejta njerëzore. Automatikisht tërhiqesh nga udha e gabuar.
Çdo vepër që bëhet me gjithë shpirt, s’ka ku shkon vetëm se ka për të dalë bukur. T”i mbahemi kësaj: Më pak punë, por me më shumë art!
“Zoti do që ju kur ta përfundoni një punë, ta bëni atë sa më mirë” – thotë hadithi.
Nuk ke nevojë të stërmundohesh ta shpjegosh sepse-në,
Para atij që nuk di ta parashtroj pse-në!
Çdokush e ka vleftën në vendin e vetë! Nuk mjafton vetëm talenti që ke për fushën tënde. Por të duhet punë. Po nuk mjafton vetëm punë dhe përpjekje, por nevojitet talent dhe përvojë, konsult dhe kritikë konstruktive për ta menaxhuar punën. Pasi këtu riskohet dështimi.
Shumë njerëz në botë, posedojnë aftësi tepër të mahnitshme dhe talent të rrallë, porse nuk i shfaqin ato, nuk punojnë me to, sepse ata: imitojnë të tjerët, kurse varrosin origjinalitetin e vetë! Zhvishe teshën e huaj dhe vishe tënden!
Qëndroji besnik Zotit tënd, duke i shfrytëzuar talentet dhe aftësitë në ato lëmi që Ai t’i ka dhuruar, në të mirën e vetes, familjes, komunitetit, e fesë! Kështu me këtë, në heshtje i ke thënë Atij: “Faleminderit Zot!” E kush Atë e falënderon, Ai në vazhdimësi atë me të mira e mbulon!
“Posi. Njeriu është vizionar i qartë për veten e tij!” (Kijame 14).
Ti për çdo ditë, informohesh dhe formohesh, strukturohesh dhe ndërtohesh, por kurrë nuk plotësohesh. Idealist ji, por idealen nuk e takon dot asnjëherë.
Veçoritë me të cilat njeriu ka lindur, ato nuk i humbasin kurrë. Ato mund atij vetëm që t’i veniten, ashtu siç mund t’i fuqizohen dhe t’i përndriten.
Çdokush brenda vetes e ka llampën me të cilën ai e ndriçon jetën dhe rrugët e saj, vetëm ai duhet ta kërkojë atë brenda vetes, ashtu, siç qeni inteligjent e kërkon kufomën e humbur. Sidomos në vitet e hershme të fëmijërisë të bëhet kjo.
Nëse një mendim, një ide, një rrugë, të mundësojnë qetësinë, progesin, përparimin dhe suksesin, dije se ajo është rruga jote e jetës, ndaj, mos e ndërro atë! Në hadith thuhet kështu: “Njeriut i lehtësohet ajo për të cilën ai është krijuar!” Kjo është fjalë e madhe dhe shumë e saktë.
Zoti nuk na e kërkon, Atë që nuk e kemi, Se më shumë se njerëz, Ne s’mund të jemi!
Të gjithë njerëzit mbi të zakonshmen kanë një mision për të cilin ata janë thirrur në këtë botë që ta përmbushin.” – tha filosofi i madh gjerman Gëte.
Ndërsa psikanalisti Carl Gustav Jung tha: “Kushtoju asaj dëshire dhe asaj rruge për të cilat përvoja tregon se janë tuat!”.

Categories

Archives