Monday, 10/12/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Buzëqeshni



Buzëqeshni

 

 

 

By: Dr Aid Elkarnij

Buzëqeshni

Buzëqeshja është adresa e dashurisë, ajo është kapari i miqësisë. Një fytyrë e çelur i përngjan agimit plot nur e dritë, ajo të mbush me shpresë dhe optimizëm. Buzëqeshja dhe e qeshura përmenden në Kuran dhe në traditën profetike. Thotë Zoti në Kuran, lidhur me profetin Sulejman a.s kur dëgjoi milingonën duke këshilluar motrat e saj që të ruhen nga ushtria e tij:”ai buzëqeshi nga fjalët e saj”.

Vetë profeti Muhamed a.s u buzëqeshte njerëzve, e ndonjëherë edhe qeshte aq fort saqë i dukeshin dhëmballët. Madje, Profeti a.s e konsideronte buzëqeshjen si një vepër të mirë. “Buzëqeshja jote në prani të vëllait, është sadaka.”  “qoftë dhe duke e takuar vëllanë tënd me fytyrë të çelur”.

Nuk ka gjë tjetër që i pengon njerëzit të buzëqeshin kur takohen me të tjerët, veçse mendjemadhësia ose ndonjë sëmundje e zemrës. Disa e justifikojnë zymtësinë e fytyrave të tyre me hallet që u kanë rënë mbi kokë, me fatkeqësitë e shumta dhe problemet me të cilat përballen. Këtyre njerëzve, u themi:”Mos vallë jeta juaj qenka më e vështirë dhe me më shumë halle se ajo e profetit Muhamed a.s, i cili përballej me të gjithë botën krejt i vetëm? E megjithatë, buzëqeshja nuk i shqitej nga fytyra. Sipas Buhariut dhe Muslim, Profeti a.s ka buzëqeshur edhe në ditën e Uhudit.

Nuk ka asnjë arsye që kur të takohesh me vëllanë tënd, ose kur të vjen për vizitë, të mos e presësh me buzëqeshje, me fytyrë të çelur dhe ti bësh nderet e rastit. Këto janë koncepte humane dhe tregues të mëshirës, fisnikërisë dhe vlerave të njeriut. Ata njerëz që kursejnë dhe buzëqeshjen, tregojnë se janë njerëz me zemra të ngurta dhe të boshatisura nga dhembshuria, ato janë shkretëtirë e thatë dhe e zhveshur nga zemërbutësia dhe dhembshuria.

E gjithë bota i ka kushtuar rëndësi dhe vëmendje buzëqeshjes, saqë janë hapur edhe qendra që mbajnë këtë emër. Edhe në Riad është hapur qendra “Buzëqeshja” të cilën e kam vizituar dhe kam kaluar momente të bukura atje. Këtë qendër e menaxhojnë disa djem të rinj, të edukuar dhe të kulturuar, të cilët ushtrojnë frekuentuesit si të buzëqeshin, pasi kështu përhapet fryma e optimizmit dhe shpresës, kështu forcohen lidhjet e individëve që përbëjnë komunitetin, kështu përhapet dashuria dhe respekti mes njerëzve, shtohen urat e komunikimit. Arabët e shihnin fytyrën e zymtë dhe të ngrysur si një ogur të zi dhe e etiketonin si arrogancë, mendjemadhësi dhe vetëpëlqim.

Po, një fytyrë e zymtë dhe e vrenjtur, është një ogur i zi, është tregues i mjerimit, ashpërsisë dhe agresivitetit. Zoti mos të bëftë të zymtë në fytyrë dhe nëse has dikë të tillë, kërkoji Zotit mbrojtje.

E përse të mos i buzëqeshë njeriu vëllait të tij njeri. E ku ka më të bukur se buzëqeshja. Ajo i ngjan çeljes së sythave të trëndafilit, ajo është lulja e jaseminës në filizat e saj. Kur Zoti përmend kopshtet me lule, i cilëson ato “të çelur”. Ai përmend agimin teksa sjell dritën, përmend palmat shtatlarta me gjethe të gjera dhe plot me fruta, përmend diellin plot shkëlqim, yjet që ndriçojnë, hënën që bën dritë…





E përse të mos u përngjajmë këtyre pamjeve dhe panoramave të mrekullueshme, me buzëqeshjen tonë? Përse të mos e tregojmë mirësinë e Zotit mbi ne, ndërkohë që na ka falur diellin që na ngroh, hënën që në ndriçon natën, ujin që na freskon, bukën që na ngop, shëndetin e trupit dhe shumë dhunti të tjera të dukshme dhe të fshehta? Përse u dashka ta shtyjmë buzëqeshjen derisa të vijnë ceremoni të caktuara dhe të bukura, shumica iluzionare? Përse ti privojmë vëllezërit tanë, fqinjët dhe miqtë, nga fytyra e çelur, aq më shumë që nuk kërkon asnjë lloj shpenzimi material?

Dhuroju varfanjakëve në morale një buzëqeshje të ngrohtë, dhuroju njerëzve me karakter të vështirë një fjalë të butë, bëj çmos që ta fillosh ditën me një buzëqeshje gëzimi dhe kënaqësie me të cilën i përgjigjesh buzëqeshjes së mëngjesit, dritës së diellit, mrekullisë së ditës. Nëse hyn në shtëpi, përshëndete familjen, buzëqeshu, bëj shaka me ta, gëzohu dhe mos hyr brenda gjithë nerva, i zymtë, i vranët… Kështu frikëson fëmijët, shuan qeshjet, fshin buzëqeshjet ndërkohë që të gjithë të presin duke u dridhur, sikur thonë:”thuaj, vdekja nga e cila largoheni do u vijë”.

Ai që buzëqesh i përngjan lules së çelur, yllit që ndriçon, parkut të gjelbër dhe plot lule. Sakaq, i zymti i ngjan natës së gjatë dhe të errët, ai është si shkretëtira e thatë dhe përvëluese, mbi të cilën nuk mbin fije bari. Një njeri i ngrysur, zemërak, plot ankesa dhe pakënaqësi, fillon e mbjell dyshime edhe tek vetja jote, saqë fillon e thua: Mos më ndodhi gjë? Mos bëra ndonjë gabim? Mos i hyra kujt në hak?

Prandaj miqtë e mi, le të zgjedhim një titull të bukur për librin e jetës tonë, le të zgjedhim buzëqeshjen freskuese e cila zbukuron buzët dhe  gjithë fytyrën.

Zoti na ruajt që mëngjesin ta nisim me fytyra të zymta dhe vetulla të ngrysura, gjë e cila do të na qederosë të gjithë ditën, na privon ta shijojmë të bukurën e jetës, na bën të humbasim shpresën, optimizmin dhe qetësinë shpirtërore.

Bëje zakon buzëqeshjen, qofsh edhe në mesin e stuhisë. Dije se sado të ngrysesh, të shfaqesh i zymtë, të mërzitesh dhe të qaravitesh, nuk do të mund ta ndryshosh atë që nuk ndryshohet. Optimistët dhe të buzëqeshurit kanë më shumë fat në jetë sesa pesimistët dhe qaramanët. Kjo, sepse ata i kanë shpëtuar urrejtjes, kompleksit të komplotit, qederosjes së jetës, stresit rrënues etj… Ata janë zemra të bardha dhe të dëlira që e mbushin jetën me buzëqeshje, shpresë dhe optimizëm.

Zoti është i bukur dhe e do të bukurën, prandaj dhe e ka zbukuruar universin në mënyrë që të lë pa fjalë. Në çdo krijesa sado të madhe dhe të vogël, përballesh me madhështinë e krijimit dhe hijeshinë e tij. Prandaj, bëhu dhe ti pjesë e kësaj stolie universale me një buzëqeshje të çiltër, me zemërgjerësi dhe optimizëm. Ashtu si ta keni shpirtin, do u jepet dhe rizku nga Zoti.

I Gjithëmëshirshmi na premton furnizim të shumtë, sukses të përhershëm dhe mirëqenie, ndërkohë që shejtani na premton fukarallëk, disfata dhe jetë të mjeruar. Bëhu pjesë e linjës së Gjithëmëshirshmit dhe jo e shejtanit të mallkuar.

 

Përktheu: Elmaz Fida