Monday, 22/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Bleta e përmendur në Kur’anin famëlartë si shembull për besimtaret



Bleta e përmendur në Kur’anin famëlartë si shembull për besimtaret

Karakteristika e bletës është që ajo asnjëherë nuk fluturon kah ngordhësirat ose në feces, duke përcjell gjurmët e tyre të ndotura dhe aromat kundërmuese. Gjithashtu, besimtari nuk shkon në vendet e mëkateve, haramit, errësirës, dhe nuk flet atë që është e keqe, as nuk përcjell fjalët e huaja ose shpifjet. Pastaj, sikur bleta poashtu edhe besimtari nuk shikon a punon dikush apo jo, besimtari punon gjithnjë dhe në çdo moment, sepse është në shërbim të bashkësisë së tij.
Asnjëherë nuk harxhon kohën e tij në gjëra të parëndësishme, sikurse analiza e veprimeve të tjerëve, por përpiqet që sa më tepër të punojë në ngritjen individuale në kuptim pozitiv.
Imam Bejhekiu, Allahu e mëshiroftë, shënon hadithin në librin e tij “Shu’ebul-Iman” të cilin e transmeton Abdullah b. Amri r.a. që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Shembulli i besimtarit është sikurse shembulli i bletës! Hanë atë që është e pastër (e mirë, hallall), prodhon atë që është e pastër, dhe qëndron (në lule) dhe as nuk e thyen e as nuk e shkatërron.” (Hadithi hasen, Sahihu Xhami’a 5847, Albani)

Cilat janë veçoritë e bletës?

Pejgamberi s.a.v.s. e ka krahasuar në hadithin e përmendur besimtarin me bletën. Nga hadithi konkludojmë se ky krahasim nuk është i pjesërishëm, por i tërësishëm.
Kur themi që ky krahasim i besimtarit me bletën komplet, me këtë dëshirojmë të themi që besimtari ngjason me bletën aq sa është bleta e dobishme për vete dhe tjerët, d.m.th. i ka të gjitha cilësitë e mira që posedon bleta. Për këtë, Pejgamberi s.a.v.s. në këtë hadith përmend vetëm ato cilësi që janë meritore dhe në momentin e duhur më të vlefshme të përmenden në kontekstin e një besimtari të mirë, duke lënë atyre që dëgjojnë të mendojnë edhe për shumë kualitetet e tjerë të këtij insekti të vogël por shumë të sofistikuar.
Ne në këtë tekst do të përpiqemi më thellë t’i shpjegojmë fjalët e Pejgamberit të nderuar s.a.v.s. në hadithin e përmendur. Pra, Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Hanë atë që është e pastër (e mirë, hallall), prodhon atë që është e pastër, dhe qëndron (në lule) dhe as nuk e thyen e as nuk e shkatërron.”
Të gjitha cilësitë e cekura të bletës në hadith e dallojnë nga insektet tjera. Pra, vetëm kjo, në krahasim me gjithë insektet tjera, i ka këto cilësi të bukura. Bleta është insekti i vetëm që bart polenin prej lules në lule duke i frytnuar në mes tyre. Gjithashtu ajo zbret vetëm në lulet e pastra dhe aromatike, duke u larguar nga tjerët me aromë kundërmuese. Në anën tjetër, karkalecat, mizat, mushkonjat dhe insektet tjerë janë transmetues të infeksioneve, helmimeve, papastërtive, bile edhe faktor që me bartjen e parregullt të polenit bllokojnë shumëzimin e bimëve, duke i bërë shumë pemë të pafrytshme.
Allahu i madhërishëm e ka inspiruar bletën siç kemi thënë, që të zgjedh lulet më të mira dhe më të pastra të cilat janë produkt themelor për mjaltë.
Për këtë, mjalti që gjendet në male, kodra, në zgavrat e drunjve edhe në vendet tjera që bletët i kanë bërë, është shumë më i shëndetshëm, më kualitativ dhe më i shijshëm se mjalti që bëjnë bletët në koshere që ushqehen nga ajo që u vendosin njerëzit (sheqer artificial). Mirëpo, pa marrë parasysh se ku ushqehet bleta, mjalti që prodhohet në barkun e bletës është tajitja më e mirë dhe më e pastër se gjitha tajitjet e shtazëve tjera dhe është në tërësi e dobishme.
Mu për këtë Kurani fisnik e lavdëron dhe bekon këtë insekt të vogël. Bleta është aso lloj insekti që në asnjë mënyrë nuk e dëmton ose shkatërron bimën siç na informon për këtë Pejgamberi fisnik s.a.v.s. Edhe një cilësi e kësaj krijese të mrekullueshme të Allahut është që asnjëherë askënd e para nuk e sulmon. Bleta e sulmon vetëm atë që dëshiron ta lëndojë. Nëse ndihet e rrezikuar nga kafshët tjera ose njerëzit, bleta së pari me zukamën e saj tërheq vërejtjen e sulmuesit potencial, e pastaj e sulmon.

Cilësitë e bletës që nuk janë të përmendura në hadith

Bleta punon dhe përpiqet pareshtur, gjatë gjithë ditës duke ndërtuar qelizat e saj (hojëzat), e me këtë edhe qytete të tëra. Pastaj, bleta mund të madh jep në ruajtjen dhe ndihmesën e pasardhësve të saj. Në mbrojtjen e pasardhësve, bletët tregojnë trimëri të madhe duke sulmuar armiq shumë më të mëdhenj.
Gjëja tjetër që bletën e ndanë dhe e ngritë në krahasim me insektet tjerë është dashuria për punë ekipore (xhemat). Duhet përmendur që xhemati i fortë dhe kompakt është njëra nga gjërat themelore për përparim dhe sukses për besimtarin, si në dynja, ashtu edhe në ahiret. Cilësi tjetër e lavdëruar e bletës është që ajo asnjëherë nuk ik nga puna ose nga vështirësitë. Përkundrazi, Allahu atë e krijoi të tillë që të heshtë dhe punojë, duke mos pritur lavdërim nga askush apo vend të veçantë në kosheren e saj. Pasi që i kuptuam këto cilësi, na bëhet e qartë, përse Pejgamberi s.a.v.s. e ka krahasuar besimtarin me bletën, duke përshkruar të gjitha cilësitë e bukura të bletës shohim që këto në realitet janë cilësi të besimtarit të mirë e të dobishëm.





Cilësitë e besimtarit në krahasim me bletën

Besimtari është njeri i mirë! Përpiqet të forcojë imanin në zemrën e tij, ndërsa epshet e tij nënshtron dhe i zbrazë vetëm në mënyrë hallall. Me këtë marrëdhënie ndaj epsheve të tij, besimtari është burim i çdo të mire, si për veten ashtu edhe për njerëzit tjerë në përgjithësi. Për këtë, zemra e besimtarit nuk pranon asgjë, pos atë që ia ka lejuar Allahu, andaj fitimi i tij dhe nafaka komplet janë hallall, të folurit e tij është i pastër dhe i bukur, veprat e tij të mira, ibadetet e tij plot devotshmëri dhe qetësi, ushqimin që e konsumon është hallall, pija hallall, rrobat që i bart janë hallall.
Pas gjitha këtyre cilësive të mira të besimtarit që i ka pasur në dynja, ai meriton që në ditën e Gjykimit t’i thuhet:
“Selamun alejkum – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.” (Ez – Zumer, 73)
Ndërsa Xhenneti është vendbanim vetëm për besimtarët e mirë që do të hyjnë në të. Pastaj besimtari nuk u jep tjerëve atë që nuk do për vete, sikurse bleta që bën mjaltin aq të shijshëm, të ëmbël, e mbi të gjitha të dobishëm e pastaj e shfrytëzojnë njerëzit.
Nëse njeriu me diturinë e tij bën diç të mirë me nijet të sinqertë, kjo mirësi do të mbetet edhe pas tij duke i shërbyer popullit e me këtë edhe vetes në ditën e Gjykimit.
Bleta duke udhëtuar nga hojëzat deri te lulet askënd nuk e shqetëson dhe askujt nuk i bën probleme, mu sikur besimtari i cili shikon punët e veta duke lënë atë që nuk i takon, mu sikur që Pejgamberi s.a.v.s. e përshkruan besimtarin komplet.
Kemi përmendur që bleta është insekt që e do bashkësinë dhe nuk mund të jetojë vetëm. Edhe në këtë cilësi të bletës do ta njohim besimtarin! Besimtari duhet të jetojë në xhemat, sepse në të kundërtën nëse ndahet nga xhemati, imani i tij me këtë dobësohet. Për këtë, besimtari është ai që punon sikurse bleta që xhematin e tij ta bëjë sa më të mirë dhe kualitativ, por së pari duke ndërtuar veten dhe imanin e tij. Nëse ndërtojmë veten, ne e ndërtojmë xhematin komplet! Ta marrim për vete si shembull bletën dhe cilësitë e saj që i numëruam, si udhëheqëse në jetët tona!