Monday, 22/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Biri im, buzëqeshja është shumë më e mirë dhe më efektive sesa përdorimi i forcës



Biri im, buzëqeshja është shumë më e mirë dhe më efektive sesa përdorimi i forcës

Transmetohet nga Muaviu ibn Ebi Sufjani (r.a.) se tek ai një herë kishte ardhur lideri i një fisi nga veriu i Sirisë (i cili ende nuk e kishte dhënë betimin për besnikëri ndaj Muaviut si halif), kurse me Muaviun ishte edhe djali i tij Jezidi. Lideri i atij fisi i tha: “O Muavi, devetë tuaja kanë ikur dhe kanë kullotur barin në tokën time, dhe unë, pasha Allahun, nuk lejoj që devetë, pronarë të cilave janë njerëzit si ju, të hyjnë në pronën time dhe të kullosin në tokën time. Dije mirë, se nëse kjo ndodhë edhe një herë, unë do t’i therë ato dhe do ta lëndoj dinjitetin tënd!”

Pastaj ai u kthye dhe shkoi, kurse buzëqeshja në fytyrën e Muaviut nuk u ndal, për dallim nga djali i tij Jezidi, i cili ishte i zemëruar me sjelljen e liderit të fisit.

Ai i tha babait të tij: “Ç’është me ty, o baba, ky njeri po të kërcënon me përdhosje të nderit, kurse ti po qesh?” Muaviu nuk iu përgjigj pyetjes.

Pas një kohe, ndodhi ajo për çka e kishte kërcënuar halifin Muavi (r.a.) udhëheqësi i fisit. Në fakt, një deve e Muaviut përsëri kishte ikur dhe kishte hyrë në pronën e liderit të fisit dhe kishte kullotur bari, andaj ai vjen te Muaviu (r.a.) dhe i thotë: “Ti e kalove kufirin duke më poshtëruar mua. Deveja jote hyri në pronën time dhe unë e thera atë, pastaj e poqa dhe e hëngra me familjen time. Dhe ja kam ardhur të informoj për atë që kam bërë!”

Muaviu në atë qeshi dhe i tha: “Unë qëllimisht e kam dëbuar devenë në pronën tënde që ti ta therësh dhe ta hash, dhe kjo është dhuratë nga unë për ty dhe familjen tënde.”

Në atë moment, fytyra e udhëheqësit të fisit u skuq nga turpi dhe kërkoi falje duke e puthur tokën para këmbëve të Muaviut, kurse më pas, i dha betimin për besnikëri dhe e pranoi atë për halif të muslimanëve së bashku me të gjithë anëtarët e fisit të tij.





Pas kësaj, Muaviu dërgoi një thirrës dhe e thirri birin e tij Jezidin, të cilin kur erdhi, Muaviu e informoi se çfarë bëri lideri i fisit sirian, duke i thënë:
“DIJE, O BIRI IM, SE BUZËQESHJA ËSHTË SHUMË MË E MIRË DHE MË EFEKTIVE SE SA PËRDORIMI I FORCËS.
Unë e realizova qëllimin tim pa përdorur shpatën, ndërsa nëse do ta përdorja shpatën, nuk do ta arrija qëllimin ashtu siç e arrita në këtë mënyrë.”

Abdusamed Nasuf Bushatliq; http://saff.ba//

Përshtati: Miftar Ajdini