Saturday, 15/12/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Besëtytnia 



Besëtytnia 

Besëtytnia

”Thuaj: askush veç All-llahut as në qiell, as në tokë nuk e di të fshehtën.” (En Neml, 65 )

Besëtytnia, për dallim nga religjioni dhe ateizmi, nuk i pranon ligjet kauzale të botës materiale. Besëtytnia ka të përbashkët me religjionin dhe artin irracionalen, por irracionaliteti i saj është i drejtuar nga bota, kurse i fesë nga qielli, nga ajo që njeriu ka në vete të pavdekshme.

Ajni Sinani

Besëtytit i intereson vetëm ajo që i sjell dobi dhe përfitim personal. Duke besuar gjëra të pavlera ai kalon jetën në kotësi. Besëtyti arab në kohën para-islamike e varroste të gjallë foshnjën femër, duke e konsideruar lindjen e saj një turp për të.

Ndërkaq, besëtyti bashkëkohor shkon te fallxhori që t’ia lexojë fatin, horoskopin etj. Fallxhori, duke spekuluar se mund të dijë gjëra të ndryshme, përdor metoda të llojllojshme, sikurse është vizatimi i vijave, shkuarja e numrave, horoskopi, falli me letra, shikimi i llumit të kafesë, hedhja e shkopinjve, kontakti me xhinnët dhe shumë manipulime të tjera.

All-llahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë:

“Çelësat e fshehtësisë janë vetëm te Ai (All-llahu), atë nuk e di askush veç Tij…” (El En’am, 59)

Muhammedi a.s. ka thënë:

“Namazi i atij që shkon tek fallxhori dhe merr mendimin e tij rreth ndonjë gjëje, nuk pranohet 40 ditë dhe net.”

I Dërguari a.s.ka ndaluar që të shkohet te fallxhori, sepse një gjë e tillë e vë në pyetje besimin-imanin e individit. Të marrit me magji edhe sot e kësaj dite është një punë mjaft fitim-sjellëse për shumë matrapazë dhe intrigues që shtiren se kanë të bëjnë me fenë!

Muhammedi a.s. ka thënë:

“Kushdo që shkon tek fallxhori dhe beson thëniet e tij, ka mohuar atë që i është shpallur Muhammedit”. (sipas Ahmedit, Tirmidhiut, Ebu Davudit, en Nesaiut dhe Ibn Maxhes. )

Në kohërat e lashta, me paraqitjen e dekadencës dhe largimit të njerëzve nga feja e Zotit, përhapej ateizmi dhe besëtytnia, të cilat gradualisht zinin vendin e fesë.

Në Mesjetë ka ekzistuar rendi i priftërinjve, i ngarkuar që të parashohë ngjarjet sipas fluturimeve të zogjve, bubullimës, reve dhe shenjave të tjera.

Animi njerëzor nga besëtytnia ka favorizuar zhvillimin e astrologjisë, e cila u ruajt që nga Mesopotamia dhe arriti zhvillim të plotë në Greqinë e Vjetër, duke vazhduar deri në ditët e sotme. Ajo u përhap me të madhe dhe më shumë se 200 vjet pati influencë dominuese mbi fenë, filozofinë dhe shkencën pagane. Madje edhe shën Tomas Aquini i shek. 13 në filozofinë e tij e pranoi shkakun astrologjik!

Sot në vende të ndryshme të Perëndimit ekzistojnë institute astrologjike për profetizimin e fatit, shoqata, revista dhe gazeta. Shumë gazeta ditore, revista dhe televizione në gjuhën shqipe që në mëngjes na njoftojnë me horoskopin, duke manipuluar kështu me profetizimin e së panjohurës! Në Shqipëri mund të kontaktosh përmes televizionit me fallxhorë!

Sabiinët, të cilëve iu dërgua Ibrahimi a.s. besonin në yje. Ata hyjnizonin diellin, hënën dhe yjet, duke u bërë sexhde atyre dhe duke bërë kështu kufër. Ne edhe sot kemi fenomene të tilla, ku në emër të humanizmit, religjioneve dhe ideologjive të rrejshme bëhet hyjnizimi dhe shenjtërimi i njerëzve, krijesave të All-llahut.

Ka të tillë, madje edhe të shkolluar, që pretendojnë se All-llahu përmes lëvizjes së trupave qiellorë tregon mbi ngjarjet që ndodhin në tokë. Një bindje e tillë është e pavend dhe nuk ka mbështetje fetare. E ardhmja i përket vetëm All-llahut të madhëruar. Unë këtu do të sjell mendimin e Jean Audouze, Drejtor i Institutit të Astrofizikës në Paris i cili, ndonëse sikurse edhe bashkëvendësi i tij astrofizikan që do të përmend më pas, nuk ka koncept të qartë për Zotin, thotë: Mendimi se në çastin kur lindim, pozicioni i planetëve mund të luajë rol në karakterin dhe fatin tonë është kryekëput i diskutueshëm. Studimet statistike tepër të hollësishme që janë publikuar në dhjetor të vitit 1985 në revistë britanike ‘Nature’, tregojnë midis të tjerave mungesën e plotë të lidhjes mes karakterit të një individi dhe pozicionit të yjeve kur lind ai.

Ndërkaq sa i përket lundërtarëve dhe udhëtarëve në shkretëtira, të cilët përcaktojnë drejtimin, ose fermerët, të cilët caktojnë arritjen e stinëve për të kultivuar drithërat, kjo gjë është një gjë e lejuar dhe është në përputhje me Kur’anin dhe Sunnetin.

All-llahu i madhëruar thotë:

“Ai është që krijoi yjet për ju, që me ta të orientoheni në errësirë kur gjendeni në tokë ose në det.” (El En’am: 97.)

Vendndodhja dhe lëvizja e trupave qiellorë nuk ka të bëjë aspak me parashikimin e fatit. Besimtari nuk guxon të bjerë pre e këtyre manipulimeve. Kur i Dërguari, Muhammedi a.s. urdhërohet nga Zoti që të thotë:

”Thuaj: ‘Unë nuk kam mundësi për vete të siguroj ndonjë dobi, e as të largoj nga vetja ndonjë dëm. Bëhet vetëm ashtu si do All-llahu. Sikur të kisha ditur fshehtësinë, do të kisha fituar shumë të mira dhe nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë jam vetëm një qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” (El Araf, 188.), atëherë çfarë duhet të themi ne, të vazhdojmë edhe më tej duke besuar gjëra të kota!

Pra, pas këtyre ajeteve dhe haditheve nuk ka vend për hamendje rreth asaj se a duhet apo nuk duhet t’i besojmë personave të tillë. Besimtari i mirë nuk duhet të lejojë të zhytet në gjëra të tilla, sepse rrezikon besimin. Përmes këtij ajeti kur’anor All-llahu xh.sh. zbulon turpin e gjithë atyre mashtruesve, të cilët gënjejnë njerëzit se gjoja njohin gjërat e padukshme dhe se e dinë të ardhmen.

Michel Casse, astrofizikan në Institutin e Kërkimeve Fondamentale të CEA (Saclay), thotë: Kur astrologët vështrojnë qiellin, mjaftohen me një gjeometri me dy përmasa. Ata nuk e njohin fare thellësinë e mrekullueshme të hapësirës, faktin se yjet që formojnë yllësit ndodhen në të vërtetë mjaft larg njëri tjetrit. Ky astrofizikan ata që kërkojnë tek astrologjia një ngushëllim, një mënyrë për të qenë më pak të vetmuar, i konsideron me mendje foshnjore.

Audouze, i përmendur më parë, shprehet: “Të varim fatin tonë në pozicionin e planetëve dhe në të ashtuquajturin ‘ndikim’, është njësoj sikur të kthehesh në kohën kur besohej se Toka ishte e rrafshët, e palëvizshme dhe se ajo përbënte qendrën e një gjithësie me përmasa të kufizuara, kurse yjet në qiell s’ishin gjë tjetër veç ca grumbuj qirinjsh fare të veckël. Natyra dhe shumësia e yjeve nuk viheshin në dyshim dhe aq më pak pastaj përmasat kozmike. Gjithçka ishte ndërtuar rreth e rrotull tokës dhe gjithçka lidhej me të. Astrologjia është besim arkaik. Sot për sot asaj i ka ikur koha dhe shfrytëzohet nga tregtarë të pa cipë, të cilët luajnë me naivitetin e njerëzve. Ai është një akt sharlatanizmi, që është i papranueshëm. Kur shoh në metro ose në ndonjë aeroport reklamat për astroflesh-Filanin, s’rri dot pa pyetur veten: Në cilën epokë po jetojmë? E ç’na duhet studimi i gjithësisë?”

Mendoj se këto fjalë janë shumë domethënëse, të cilat vijnë nga shkencëtarë me famë botërore. Nuk besoj se njeriu me mend në kokë dhe me iman në zemër, duhet të besojë abuzues të ndryshëm, sepse sikur ata të dinin të ardhmen do të ishin njerëzit më të pasur, ose sikur të dinin se çfarë fatkeqësish do t’u ndodhnin, me siguri do të ruheshin prej tyre dhe nuk do t’i godiste kurrfarë e keqe. Realiteti, ndërkaq tregon se këta njerëz janë shtresa më e ultë e shoqërisë. Ata janë parazitë që jetojnë në kurriz të shoqërisë duke e infektuar dhe mashtruar atë. Sa më larg mashtruesve, aq më afër dijes së vërtetë, aq më afër All-llahut.





Disa gjëra, të cilat i thonë astrologët ose fallxhorët, përmbajnë edhe ndonjë të vërtetë, të cilat i marrin nga shejtani i xhinëve, por ajo është e përzier me 99 gënjeshtra. Ata që kontaktojnë me shejtanët janë njerëzit më të ndyrë.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“A t’iu tregoj unë se kujt i vijnë djajtë? Ata i vijnë çdo gënjeshtari, mëkatari. Ata përgjojnë dhe më së shumti gënjejnë.” (Esh Shuara, 221-223.)

Muhammedi a.s. thotë:

“Nuk janë prej nesh: Ata që shkojnë tek fallxhorët, ai që merret me sihir (magji ), ose kërkon ndihmë nga sihiri, dhe ai që parasheh fatin ose i parashihet fati. “ (nga el Bezza, me sened të mirë.)

Pra, ata që ushtrojnë astrologjinë nuk kanë të bëjnë me Islamin, sepse ata pretendojnë pa të drejtë se dinë të ardhmen, e cila dihet vetëm nga All-llahu i madhëruar. Para disa vitesh, 186 dijetarë eminentë botërorë, në mesin e tyre 18 fitues të çmimit Nobël, nxituan që të tërheqin vërejtjen për shkak të depërtimit të madh të astrologjisë në botën moderne. Injorantëve, të cilët e ngatërrojnë fenë me besëtytni, është e nevojshme t`u thuhet se të dërguarit e Zotit, sjellësit e Shpalljes, ishin kundërshtarë të rreptë të besëtytnive dhe manipulimeve të ndryshme.

Historia na mëson se në Evropën mesjetare Kisha kreu krime të tmerrshme në emër të luftës kundër shtrigërisë. Gorg Sarton përmend librin e titulluar ‘Çekani i Shtriganit’, i cili është shkruar nga dy priftërinj dominikanë për Papën Innocenti VIII ( 1484-1492 ). Në fakt, ky libër ishte udhë-rrëfim për inkuizicionin e të akuzuarve për herezi dhe shtrigëri. Ai thotë: “Libri ‘Çekani’ ishte udhëzim i hollësishëm për inkuizitorët se si të përcaktonin mendimin e njerëzve dhe mënyrën e zbulimit, dënimit dhe ndëshkimit të shtrigave… Frika dhe shtrigat ishin arsyeja kryesore e vrasjes së tyre dhe vetë akti i vrasjes ndillte edhe më tepër tmerr…. Inkuizitorët nuk ishin njerëz të këqij, të paktën veten e konsideronin më të mirë se njerëzit mesatarë. A nuk është e vërtetë që u përpoqën dhe punuan pa pushim për fjalën e së drejtës dhe emrin e Zotit?! Nicolarmy, prokuror i opinionit publik për Lournin, bëri që gjatë 15 viteve (1575-1590) të digjen për së gjalli nëntëqind shtriga. Ai ishte njeri i ndërgjegjshëm dhe në vitet e fundit të jetës së tij ndihej fajtor që kishte shmangur vrasjen e disa fëmijëve. Pse vallë, a ka dikush të drejtë të ndalojë mbytjen e këlyshit të gjarprit?! Peshkopi Tersepeter Binzfold dha dënim me vdekje për gjashtëmijë e pesëqind persona.”

Përkundër gjithë këtyre mizorive të papara, torturimeve dhe djegies së dijetarëve nga Kisha gjatë Mesjetës, një pjesë e intelektualëve tanë në Kosovë, çdo gjë që ka të bëjë me katolicizmin, e sheh si diçka përparimtare, kurse në Shqipëri edhe ajo që ka të bëjë me ortodoksizmin. Ndërkaq, Islami nga të krishterët shihet si fe aziatike, thuajse Jezusi, Isai a.s. paskësh lindur në Evropë e jo në Azi! Një pjesë e intelektualëve tanë, Islamin e shohin si fe të huaj, e jo edhe Krishterizmin, sikur Jezus i- Isai a.s. të kishte qenë shqiptar. Islami shihet edhe si fe e prapambetur, sikur ai, e jo Krishterizmi t’ia kishte bërë gjithë ato mynxyra dhe të zeza popujve të Evropës.

Edhe koha jonë ka besëtytnitë e saj, një prej tyre, e cila bie në sy, është hyjnizimi i njerëzve për qëllime të caktuara, një mashtrim i rrejshëm i kohës sonë. Kështu, diktatorë të ndryshëm dhe njerëz humanistë në syrin e njerëzve shndërrohen në mënyrë të rrejshme në hyjni të gjithëfuqishme dhe misterioze, dhe shpallen të shenjtë!

Shoqëria jonë shqiptare, e dalë nga lufta me shumë halle dhe e ballafaquar me varfëri, madje një pjesë e saj me varfëri të skajshme, po sfidohet në këto vite të pasluftës edhe me një përpjekje për të shkatërruar çdo gjë islame, dhe në mënyrë kamufluese për të lartësuar çdo gjë të krishtere nga një klan intrigues i cili do të dalë i turpëruar, në këtë botë, dhe padyshim në botën tjetër! Ka përpjekje që në emër të përkatësisë sonë evropiane dhe identifikimit tonë me kulturën perëndimore, një formë e atyre mashtrimeve të Kishës të manifestohen edhe sot e kësaj dite.

Vazhdimisht trumbetohet se feja e të parëve tanë ishte Katolicizmi, edhe pse dihet historikishr se Kosova ishte ortodokse, se ai na lidh me Evropën. Madje shkohet deri aty sa të prishet shkolla dhe nga ithtarët e Papës Innocenti VIII vendoset që të ndërtohet Katedrale politike, e cila do të jetë mollë sherri! Një formë e re inkuizicioni ndaj dijes në emër të fesë. Një keqpërdorim i fesë për qëllime djallëzore. Po sikur të ishte kërkuar që në vend të asaj shkolle të ndërtohej xhamia, çfarë do të ndodhte! A nuk do të cilësohej kjo një kërkesë e fondamentalistëve islamikë?!

Garodi thotë: Sot bota perëndimore, si rezultat i shumë rrymave ateiste që mbinë në truallin e saj, për arsye të njohura, është e dhënë pas një religjioni të ri. Ai religjion është besimi i verbër në zotin e fshehur. Kulti i këtij zoti të rremë karakterizohet me atë se njeriu është i mjaftueshëm në raport me Hyjnoren. Mohimi i kuptimit të jetës dhe vlerave absolute kanë bërë që shkenca dhe teknika të bëhen qëllim në vete. Të besuarit në zota të rremë; shkencë, teknikë, nacionalizëm, para, seks, bëri që shkenca të shndërrohet në scientizëm, teknika në teknokraci, politika në makiavelizëm.

Ateistët thanë se feja është rezultat i injorancës dhe primitivizmit dhe me përhapjen e diturisë lajthimi gradualisht fillon të zhduket dhe vetëdija religjioze fillon të bie.

Ndërkaq, shtrohet pyetja: ku është ajo vijë horizontale në të cilën njerëzit pushuan së besuari aty për aty, në cilën ditë, orë ose minutë?! Padyshim që një vijë e tillë horizontale nuk ekziston. Ndërkaq ekziston vija e përhershme vertikale, ku mosbesimin e përcjell besimi. Mbi këtë flasin të dërguarit e Zotit: Musa, Isa dhe Muhammedi a.s.

Prandaj, nuk duhet të shtrohet pyetja pse njerëzit anojnë nga besimi, sepse të besuarit është ndjenjë e natyrshme dhe në përputhje të plotë me thelbin e njeriut (el fitrah), por duhet pyetur përse njerëzit anojnë kah mosbesimi dhe materializmi.

Mosbesimi është ikje nga vetja, koha e të qenit pa fe është koha kur njerëzit largohen nga rruga e Zotit dhe harrojnë misionin e tyre në Tokë. Pejgamberi a.s. tregon se All-llahu i madhëruar në një hadith kudsi ka thënë:

“Unë i krijova robërit e Mi në fenë e drejtë (pastër islame), por shejtanët i bëjnë që ata të humbasin rrugën e drejtë.” (sipas Muslimit.)

Po të vështrojmë cilindo popull, cilëndo kulturë, do të vërejmë një ligjshmëri të pandryshueshme: Popujt të cilët kanë dalë në skenën botërore, popujt e rinj, të fuqishëm dhe të shëndoshë, kanë besuar, ndërkaq popujt në rënie dhe shuarje të fuqisë së tyre, janë bërë skeptikë dhe indiferentë. Me lartësimin e shpirtit njerëzit kanë realizuar veprat më të mëdha në histori, ndërkaq me ateizëm kanë shkruar vepra për dollapë, kurse përmes besëtytnive jetën e kanë jetuar sot për nesër.

Feja tek njeriu pra është ndjenjë e natyrshme (el fitra) dhe e lindur e cila është zhvilluar nga admirimi dhe ndjenja e fshehtësisë, sipas së cilës janë të barabartë Gazaliu, Rumiu, Ikballi, Dekarti, Paskali, Ajnshtajni, njeriu i rëndomtë, gjysmanalfabet dhe analfabet.

Përkundër diskutimeve, problemi i fesë mbetet, në rend të parë, pyetje e ndjenjave, problem i ‘vetëdijes universale’ sikurse do të thoshte Abbas El Akkad. Ky është problem i shikimit gjithëpërfshirës dhe i pikëpamjes universale, i cili e lë pas dore arsyen, e beson dhe e ndien të Vërtetën, e cila gjendet çdo kund: përreth, mbi, nën, djathtas, majtas… E sheh All-llahun në rregullimin e gjithësisë dhe bukurinë e tij, në harmoni të qenies së vet dhe bukurisë së tij, në ndjenjën e shenjtërisë dhe magjepsjes, e cila përshkon kur bie nata dhe kur yjet paraqiten në qiell.

Ibn Ataullah El Iskenderi thotë: “O Zoti im, si të arrij deri te Ti, kur çdo send që ekziston varet nga Ti? A mos vallë, ndokush veç Teje duhet të shfaqet e të paraqitet për të argumentuar se Ti ekziston. Kjo nuk është e nevojshme që të dëshmohet se Ti ekziston. Kur ke munguar Ti, që argumenti të dëshmojë se Ti ekziston?

Në shekullin tonë, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, njerëzimi është duke u vërtitur në një vorbull shpirtërore. Njerëzimit i duhet të dalë nga ky qorrsokak dhe nga kjo katrahurë shpirtërore. Këtë shpëtim e ofron Islami, feja e vërtetë e All-llahut:

“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe. “ (El Maide, 3.)

Po afron koha, kur do të flakërohet shpirti, kur ajo flakë do t’i përfshijë të gjithë shpirtrat dhe do t’i frymëzojë njerëzit për vepra të mëdha. Ajo është koha kur të gjithë muslimanët do të formojnë bashkësinë shpirtërore që s’mund ta zhdukë kurrfarë uragani. Atë bashkësi shpirtërore, poeti i madh i Islamit, Muhamed Ikballi e përshkruan kështu: “Kam jetuar i ndarë prej Teje, më trego të panjohurën matanë kësaj kupe të kaltër, m’i hap dyert e mbyllura dhe tokën bëje të besueshme për njerëzit e shenjtë. Ndize flakën në gjoksin tim. Ne të kërkojmë, kurse Ti je larg syve tanë. Por jo, ne jemi të verbër, ndërsa Ti je i pranishëm. Ose na mënjano perden misterioze, ose na e merr këtë shpirt të privuar nga vizioni. ”

Padyshim se ky shpëtim do të realizohet, sepse këtë e ka paralajmëruar vula e pejgamberëve të Zotit, Muhammedi a.s.:

“Nuk do të mbetet asnjë skaj qyteti apo fshati mbi sipërfaqen e tokës, pa hyrë aty Islami. Kjo do të bëhet e mundur në sajë të fuqisë së të fuqishmit dhe të pafuqisë së të dobëtit. All-llahu, ose do t’i lartësojë njerëzit duke i bërë të denjë për Islamin, ose do t’i dobësojë e t’i detyrojë t’i nënshtrohen atij! “