Friday, 28/4/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Babai model


Babai model


By: Amer Halid

Babai model


Me qëllim që babai të kryejë rolin e tij si prind, kërkohen prej tij tre gjëra: E para të jetë prind model për fëmijën. E dyta, të interesohet dhe t’ju kushtojë vëmendje fëmijëve. E treta, të interesohet dhe të përkujdeset për ta.

Rolet që luajnë shumë prindër me fëmijët e tyre janë të ndryshme. Kështu, kemi prindër edukues, por kemi edhe prindër përbindësh, të cilët ushtrojnë dhunë dhe terror ndaj fëmijëve.

Duke vënë në përdorim sferën e tij emocionale, prindi mund të influencojë më shumë tek fëmija, seç mund të influencojë duke ushtruar dhunë. Ti mund të depërtosh tek zemrat e fëmijëve të tu me dhembshuri dhe dashuri, por kurrë me forcë dhe dhunë. Me qëllim që ai të bëhet një model i mirë për fëmijët, lipset që t’ju kushtojë atyre kohë, mund dhe vëmendje. Mos thuaj se jam i mbytur në punë dhe skam kohë të merrem me fëmijët. Nëse ndonjëri prej tyre merr rrugë të keqe, ty do të duhet të merresh me të dhe ti kushtosh kohë më të madhe se koha që lipset për edukimin e tij. Jo vetëm kaq, por koha që do të duhet ti kushtosh djalit apo vajzës nëse marrin rrugë të keqe, do të ndikojë në punën dhe aktivitetet e tjera, do të jesh i stresuar dhe i tensionuar. Prandaj, kushtoja këtë kohë tani, pa ndikuar në angazhimet e tua dhe pa të shkaktuar stres.

E dyta, fëmija, djali apo vajza, kanë nevojë për mundin dhe përpjekjet e tua. Nëna, nuk ka nevojë të përpiqet dhe të mundohet për të fituar dashurinë dhe simpatinë e fëmijës. Kjo, për shkak se gjatë shtatzanisë janë shkëmbyer hormone mes të dyve. Shtoji kësaj periudhën e mëkimit dhe përkujdesit që tregon nëna gjatë këtij stadi. Sakaq, babai nuk e ka pasur këtë privilegj. Kështu, marrëdhëniet e ngushta mes babait dhe fëmijës, lindin dhe forcohen nga mënyra si e trajton prindi fëmijën. Nëse ai e puth, e përqafon, e përkëdhel, luan e dëfren me të etj… Në të kundërt, ti nuk je baba për fëmijën. Në këto dy tema, ne do të fokusohemi më shumë në rolin e babait, pasi atij i duhet të shtojë përpjekjet për ti forcuar marrëdhëniet me fëmijën e tij.

E treta, fëmija ka nevojë për vëmendjen e babait. Shumë etër të thonë se jam shumë i zënë me punë dhe angazhime dhe nuk kam kohë për fëmijët. Një baba që qëndron disa ditë larg fëmijëve dhe kur kthehet u kushton vëmendje, është më i mirë se babai që nuk largohet nga shtëpia por nuk u kushton aspak vëmendje fëmijëve. Edhe pse jeton me ta nën një strehë, ai duket sikur jeton në një botë krejtësisht tjetër. Një ide që mund t’ju japë babai, një stimul, mënyra si i trajton, si u flet, si i dëgjon, një përrallë para gjumi etj… janë thelbësore për edukimin dhe rritjet normale të fëmijës. Unë si baba, çdo ditë përgatis përrallën apo tregimin para se djali im të flejë gjumë. Ndonjëherë nuk jam përgatitur dhe nuk kam çfarë ti tregoj, kështu detyrohem të sajoj diçka nga ana ime dhe gjer tani ka funksionuar shumë mirë. Sa herë që ndodhem larg familjes, kur komunikoj me ta, kam përgatitur diçka për ti thënë, diçka që të mos e harrojë gjithë jetën.

 

Recetë për fëmijë të mirëedukuar

Këshilla më e efektshme dhe dobiprurëse për ti edukuar sa më mirë fëmijët, është që mos flasësh me gojë, por me vepra. Nuk ka nevojë që të mbajmë predikime në familje. Fjalët i merr era, kurse veprat gdhenden thellë në ndërgjegjen e fëmijëve. Ka shumë fëmijë që thonë se fjalët që ua thotë babai, u hyjnë nga njëri vesh dhe u dalin nga tjetri. Nëse kërkon të kesh ndikim tek fëmijët e tu, mos u fol fare, thjesht tregoju dhe demonstroju vepra, ji model i mirë për ta. Fëmijët ndjekin dhe hetojnë gjithçka, asgjë nuk u humbet atyre. Veprat dhe lëvizjet e tua si prind model, janë më të dobishme se njëmijë predikime dhe ligjërata.

Nëse shtëpia nga brenda është e përçarë dhe e shpërbërë, këshillat dhe ligjëratat janë të padobishme. Nëse e gjithë bota jashtë është e shpërbërë, kurse familja është e fortë dhe manifeston sjellje model, ka shpresë për përmirësim. Prandaj, nëse e besoni dhe e doni Zotin, kapuni fort pas familjes. Nëse e doni islamin dhe të dërguarin e Zotit, mos e injoroni familjen. Fëmijët imitojnë më të rriturit në gjithçka. Nëse ti o prind e ngre zërin, i bërtet gruas, e ofendon dhe e rreh, dije se fëmijët e tu nuk do e respektojnë gruan kur të rriten. Nëse ti pi duhan, të jesh i sigurtë se edhe djali yt do të pijë duhan, e më vonë edhe drogë. Nëse ti je egoist, i tillë do të jetë edhe fëmija yt. Nëse ti je i rrëmbyer, këtë sjellje do e mësojë edhe fëmija yt. Për fëmijën, ti je modeli më i mirë dhe të imiton në çdo të madhe dhe të vogël.

A ke menduar ndonjëherë mbi vlerat që duhet të kultivosh tek fëmijët e tu? A dëshiron që fëmija yt të jetë i ndershëm, i dëlirë, i moralshëm dhe me duar të pastra? Nëse përgjigja është po, atëherë ji model i mirë për të. Edhe për gjërat më të parëndësishme, fëmijët veprojnë sipas asaj që shohin prindërit. Nëse ti je mësuar të pish unë pa gotë, direkt nga broka, dije se edhe djali apo vajza jote në të njëjtën mënyrë do të pijnë. Nëse ti ke lidhje të mira me Zotin, nëse shkon mirë me gruan dhe nënën e tyre, nëse je i dhembshur dhe dashamirës etj… të tillë do të jenë edhe fëmijët tuaj. Mos lakmo dhe mos prit që fëmijët të jenë të mirë, nëse ti nuk je i tillë. Nëse kërkon të kultivosh dhembshurinë tek fëmijët e tu, shko bashkë me ta dhe vizitoni një jetimore. Nëse kërkon ti kultivosh namazin e mëngjesit në kohë, fale këtë namaz në dhomën ku fle fëmija. Vepra është këshilluesi më i mirë. Nëse dëshiron që fëmija ta pëlqejë adhurimin dhe ritet fetare, faluni bashkërisht në shtëpi. Nëse dëshiron që ai të lutet sa më shumë, manifestoja lutjet e drejtuara Zotit bashkë me gruan tënde, në sytë e fëmijës.

Thotë profeti Muhamed a.s:”Çdo fëmijë lind me natyrë të pastër (fitra).” A e kupton se çfarë dhurate të madhe po të bën Zoti? Ai po ta jep fëmijën të pastër dhe të dëlirë, tabula rasa, me qëllim që ta edukosh sa më mirë. Nëse këtë natyrshmëri të pastër të fëmijës, e mbush me edukatë të mirë, kur të mbushë moshën e pjekurisë, ti si prind ke fituar xhenetin.

Djali dhe vajza jote, i marrin vlerat prej teje, ti je burimi i vlerave dhe i burrërisë tek ata. Një prind që pi duhanin, u dërgon mesazh në pavetëdijen e fëmijëve, si djalit dhe vajzës, se të jesh burrë dhe model i mirë, duhet të pish duhan.

Një inspektor arsimi, vajti për kontroll në një shkollë, e cila ndodhej pranë kufirit me një shtet tjetër. Zona ku ndodhej shkolla, është e njohur për trafikimin e mallrave për në shtetin tjetër dhe anasjelltas. Pasi kishte hyrë në një klasë dhe u prezantua me nxënësit, inspektori filloi ti pyesë një e nga një se çfarë dëshironin të bëheshin në të ardhmen. Dikush shprehte dëshirën të bëhej inxhinier, dikush doktor, një tjetër mësues e kështu me radhë. Kur iu dreua me të njëjtën pyetje një nxënësi, ai u përgjigj:”Dua të bëhem trafikant mallrash mësues.” E gjithë klasa shpërtheu në të qeshura, kurse vetë nxënësi në fjalë nuk e prishi terezinë. Ai i shihte me habi se çfarë kishte për të qeshur. I ati i këtij nxënësi merrej me trafikimin e mallrave. Në vartësi të edukimit që do u japësh fëmijëve, do të jetë edhe shpërblimi por edhe ndëshkimi në botën tjetër.

Para betejës së Bedrit, tek Profeti a.s shkon Hudhejfe ibnu Jemame. Ai sapo kishte mbërritur nga Meka dhe i tha Profetit a.s:”O i dërguar i Allahut! Mekasit më kapën dhe nuk më lanë derisa u betova se nuk do të luftoj kundër tyre.” Kur myslimanët u nisën për në Bedër, bashkë me ta doli dhe Hudhejfe ibnu Jemame. Kur e pa Profeti a.s i tha:”A nuk u ke dhënë fjalën se nuk do të luftosh kundër tyre?!” Këto fjalë Profeti a.s i thoshte edhe pse kishte nevojë për trupa, pasi myslimanët ishin vetëm treqind, kurse mekasit një mijë. Mandej, Profeti a.s i thotë:”Kthehu dhe mos hajde me ne. Mbaje fjalën e dhënë!”

Është e vërtetë që nga ushtria myslimanë u largua një luftëtar, por pjesa tjetër e ushtrisë mori një mësim në mbajtjen e besës të cilin nuk e harruan kurrë. Prandaj themi që i dërguari i Zotit a.s ka qenë modeli më i mirë. Morali i tij ishte Kurani. Kur i kërkuan Aishes t’ua përshkruajë moralet e Profetit a.s, ajo u tha:”A e keni lexuar Kuranin? Ai ishte Kuran që ecte mes njerëzve.”

Unë nuk po u kërkoj të mos gaboni kurrë, pasi kjo është diçka ideale dhe e pamundur. Është normale që të gabojmë, por në raste të tilla duhet ta korrigjojmë gabimin.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Dua madhështore që thuhet në teshehudin e fundit

Këto tema janë produkt i marrëdhënieve të ngushta që kam me të rinjtë. Ka prej tyre të cilët vijnë dhe më thonë se i ati është lidhur me një grua tjetër dhe më pyesin çfarë duhet të bëjnë. Një vajzë, më tregoi:”Kur isha tetë-nëntë vjeçe, babai udhëtonte shpesh jashtë. Pas një farë kohe zbuluam se ai ishte lidhur me një grua nga një qytet tjetër dhe udhëtimet ishin pikërisht për këtë arsye. Ne na ra qielli mbi kokë kur e morëm vesh. Të gjithë ne u revoltuam dhe u mërzitëm me këtë sjellje të babait. Pas shumë grindjesh dhe debatesh kjo çështje u mbyll. Me kalimin e viteve, unë u rrita dhe krijova familje. Burri im është njeri shumë i mirë dhe i dashur. Një herë, puna i kërkoi të udhëtojë jashtë. Kur dëgjova se ai do të udhëtojë larg shtëpisë, unë u xhindosa dhe nuk e lejova të shkojë. Kjo, për shkak se në mendje më erdhi përvoja e hidhur me babanë. Unë i kërkoja të më marrë me vete ose të mos shkojë. Gjendja u përkeqësua, saqë fillova ti kërkoj divorcin. Në pavetëdijen time ishte skalitur thellë se një burrë kur del jashtë, del për tu takuar me të dashurën e tij.”

Djali dhe vajza juaj kanë nevojë të identifikohen me prindërit e tyre, sidomos gjatë periudhës së adoleshencës. Sipas psikologëve, djali dhe vajza adoleshentë, në fillimin e kësaj periudhe, kanë nevojë për identitet kolektiv dhe komunitar të familjes. Nëse këtë identitet nuk e zhvillon dhe nuk e gjen tek ti o baba, do e kërkojë diku tjetër. Një fëmijë pa identitet të qartë dhe të zhvilluar, i ngjan një pëlhure ku çdo njeri shkruan një fjalë dhe në fund nuk merret vesh asnjë.

A je model i mirë për fëmijën tënd ti o prind? A mundohesh ti korrigjosh gabimet për hatër të fëmijës? A përpiqesh ta respektosh veten për hir të fëmijëve?

Tregon Abdullah ibnu Amir:”Në shtëpinë tonë kishte ardhur i dërguari i Zotit a.s. Asokohe, unë isha një djalë i vogël. Teksa qëndronim ulur rreth të dërguarit të Zotit a.s, nëna më thirri dhe më tha:”Eja se do të jap diçka!” Profeti a.s e ndërpreu bisedën me shokët e tij dhe duke iu drejtuar nënës time i tha:”Çfarë do i japësh?” Nëna iu përgjigj:”O i dërguar i Allahut! Kam ca kokrra hurme në dorë dhe doja t’ia jap.” Profeti a.s i tha:”Nëse nuk do të kishe gjë për ti dhënë, do të regjistrohej si gënjeshtër.”

Raste të tilla ndodhin kushedi sa herë në shtëpitë tona, ku nëna apo babai u premtojnë gjëra fëmijëve dhe nuk e mbajnë premtimin. Ata duhet ta dinë se u regjistrohen si gënjeshtra. Kështu, prindërit ngulisin në mendjen e fëmijëve domosdoshmërinë e gënjeshtrës. Shumë baballarë u kërkojnë fëmijëve të tyre të përgjigjen në telefon dhe ti thonë telefonuesit se babai nuk ndodhet në shtëpi. Prindër të tjerë u flasin fëmijëve për mashtrimet, hilet dhe marifetet që përdorin për tua hedhur të tjerëve. Kështu ata kultivojnë mashtrimin tek fëmijët e tyre. Inxhinierët e ndërtimit që ndërtojnë pallate të cilat shemben nga tronditjet më të lehta, janë edukuar në familje të tilla. Ngjaret e rënda dhe tragjike, e kanë burimin tek familja. Ofroja fëmijëve të tu modelin më të mirë të prindit, lëri të shohin tek ti cilësitë dhe tiparet më të mira. Fëmija do të rritet dhe edukohet ashtu siç je ti. Nëse kërkon të jetë njeri i ndershëm, i dëlirë dhe i moralshëm, duhet të jesh ti o baba i tillë. Nuk ka nevojë ti mbash ligjërata dhe këshilla që djali apo vajza jote të jenë të mirë. Një thënie e urtë siriane thotë:”Numëro njëqind herë para se të gënjesh para njerëzve. Numëro një milion herë para se të gënjesh para fëmijës tënd. Numëro një miliard herë para se të gënjesh para Zotit.”

Është më mirë të vdesësh ti bashkë me fëmijët e tu nga uria, sesa të mos kesh asnjë konsideratë tek fëmijët për shkak se ti zgjat duart në haram. Nëse nuk do t’ia dish për umetin, nëse nuk do t’ia dish për atdheun, nëse nuk do t’ia dish për qytetin dhe fshatin ku jeton, të paktën interesohu për fëmijët e tu.

Pasi myslimanët fituan betejën kundër persëve, të gjithë thesaret e kisras, perandorit pers, u transportuan në Medine. Kur Umeri i hapi, gjeti mes thesareve edhe perla e diamante të vogla, të cilat lehtësisht mund të përvetësoheshin nga transportuesit dhe askush nuk do e vinte re. Duke i parë i mrekulluar, Umeri tha:”Ata njerëz që i kanë transportuar këto janë të ndershëm dhe besnikë.”

Hazreti Aliu kur e dëgjoi këtë, shtoi:”Ke qenë vetë i ndershëm dhe të ndershëm janë treguar dhe njerëzit. Nëse do kishe abuzuar ti, edhe ata do të abuzonin.”

Shpesh herë, këto fjalë ua drejtojmë qeveritarëve dhe politikanëve, duke harruar prindërit dhe familjarët. Përse të mos ia drejtojmë dhe dhurojmë në radhë të parë prindërve tanë, të cilët kultivojnë vlerat ose antivlerat e para tek fëmijët?

Nëse fëmija e kupton se ti nuk je i besës, edhe ai nuk do të jetë i tillë. Nëse sheh se ti vjedh, edhe ai do të vjedhë.

 

Babai që interesohet për fëmijët

Dikush mund të thotë që kjo është detyrë e nënës. Por mos harrojmë se nëna e ka të pamundur të interesohet dhe të ketë në kontroll gjithçka. Në stadin e adoleshencës, ka gjëra që nuk mund ti këqyrë dhe dallojë veçse babai. Ka prindër që thonë se vetëm pas dy vitesh e kemi zbuluar se vajza jonë bashkëjetonte me një djalë. Disa të tjerë thonë se se djali i tyre kishte vite që merrte drogë dhe ata nuk e dinin. Të bashkëjetojë vajza me dikë dhe prindërit të mos e dinë?! A nuk tingëllon e çuditshme kjo? Po ku është babai i saj? Ku është babai i djalit që merr lëndë narkotike? Si vallë e paska lënë kaq padore djalin e tij?

Disa miq të mi në Arabinë Saudite, më tregun diçka të rëndë për djalin e tyre. Ata e kishin dërguar në Gjermani për studime. Vitin e parë, ai u tregoi se kishte kaluar me nota të mira. E njëjta gjë edhe për vitin e dytë, të tretë dhe të katërt. Prindërit, të gëzuar i dërgonin para pa llogari, pasi djali i tyre ishte i përkushtuar me mësime. Në fund, ata zbuluan se djali ishte akoma në vitin e parë. Mirë se djali ua kishte hedhur, po ata vetë çfarë bënin? Si nuk e kishin ngritur qoftë dhe një herë telefonin dhe të flasin me universitetin? Si nuk ishin interesuar nëpërmjet internetit? Si nuk i kishin pyetur shokët dhe miqtë e djalit?

Në derën e një prindi, troket një i ri i cili kërkon dorën e vajzës së tij për nuse. Babai nuk pyet mjaftueshëm për djalin dhe pranon që vajzën ta martojë me të. Mandej, ai befasohet se personi me të cilin ishte martuar vajza e tij e re dhe e mirë, kishte qenë i martuar më parë. Dikush tjetër zbuloi se dhëndëri nuk kishte profesion mjekësinë, siç u kishte thënë, por mashtrimin dhe falsifikimin.

Babai që i ka në kontroll  dhe përkujdeset për fëmijët e tij, nuk mund ti mbyllë sytë në raste të tilla. Ai duhet të pyesë familjarët, komshinjtë, miqtë, kolegët dhe shoqërinë e djalit që ka kërkuar dorën e vajzës.

Një baba i tillë e di mirë me kë shoqërohet djali dhe vajza e tij. Një baba i tillë e kupton djalin dhe vajzën me një shikim në sy. Prindi, duhet të interesohet dhe përkujdeset për shëndetin dhe besimin e fëmijëve të tyre. Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Kur Profeti a.s hynte në dhomën e tezes time (Mejmuneja, gruaja e Profetit a.s) dhe mua më kishte zënë gjumë, e pyeste tezen:”A është falur djaloshi?”

Zakonisht, kur dikush prej nesh është në momentet e fundit të jetës, lë testamentin dhe porositë e fundit. Sakaq, profeti Ibrahim a.s dhe Jakub, i porosisnin fëmijët dhe pasardhësit e tyre që ti përmbaheshin besimit të drejtë.

Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij! A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” – Ata u përgjigjën:“Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!” ” (Bekare, 132-133)

Babai që interesohet dhe përkujdeset për fëmijët, i kushton vëmendje si shëndetit fizik të tyre, edhe atij psikologjik. Ai e dallon menjëherë vajzën e tij kur është e stresuar dhe e mërzitur.

Të interesohesh dhe të përkujdesesh për fëmijët, nuk do të thotë t’ua nxish jetën dhe t’i përgjosh në çdo hap, duke cenuar privatësinë e saj. Interesimi në këtë rast bëhet me butësi, maturi dhe edukim.

 

Perktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives