Sunday, 19/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Aspektet pozitive & negative të të qenët prind

Aspektet pozitive & negative të të qenët prind

Biker family silhouette , daddy and son at the beach at sunet.

Njëra nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi është të qenët prind. Kjo është një sprovë për të cilën shumë nga ne nuk janë të përgatitur sa duhet.


ASPEKTET POZITIVE

Mëshira

I Dërguari Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk është i mëshirshëm me të tjerët.” Është interesante të vëmë në dukje se kur është fjala për hadithe si ky më sipër apo për vargje kuranore që kanë të bëjnë me sjelljen njerëzore, ne asnjëherë nuk ndalemi të mendojmë se fëmijët tanë dhe anëtarët e tjerë të familjes janë qenie njerëzore dhe se këto rregulla të arta duhet të gjejnë zbatim edhe në lidhje me ta. Dhembshuria është vetëm një përbërës i mëshirës- të tjerët janë mirësia, respekti dhe sigurisht dashuria. Sillni ndër mend pakënaqësinë e të Dërguarit Muhamed kur një beduin i tha se ai nuk kishte puthur asnjëherë asnjërin prej dhjetë fëmijëve të tij.

Konsultimi

I Dërguari alejhi selam ka transmetuar nga Allahu i Madhëruar një hadith kudsi ku thuhet: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes dhe e kam ndaluar atë edhe për ju, prandaj mos i bëni dhunë njeri-tjetrit.” Kur konsultohen me njëri-tjetrin edhe burri edhe gruaja duhet të tregojnë respekt për njëri-tjetrin. Kjo është një nga mënyrat më të mira për të krijuar lidhje të qëndrueshme dhe për të mësuar si të dëgjosh tjetrin dhe të zgjidhësh konfliktet. Megjithatë, konsultimi do të jetë i frytshëm nëse është i sinqertë dhe jo vetëm një formalitet. Imponimi i mendimeve pa i kushtuar vëmendje mirëqenies së gjithë familjes e rrëzon qëllimin e principit më të rëndësishëm kuranor, atë të konsultimit (esh-Shura).

Bashkëpunimi

Koncepti i bashkëpunimit në Islam ilustrohet mjaft bukur në suren Asr, ku thuhet: “…që këshillojnë njëri-tjetrin drejt së vërtetës dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.” Kur familja bashkëpunon në këtë mënyrë, ajo vërtet ka kapur shpirtin e vërtetë të Islamit, ku mirëqenia e secilit anëtar të familjes bëhet preokupim për tjetrin.

Përkushtimi

Është tepër e rëndësishme që familjet tona t’i përkushtohen si njësi e tërë Allahut dhe të Dërguarit të Tij. “Binduni Allahut dhe Profetit të Tij dhe atyre që kanë autoritet tek ju.” (Sure Nisa). Ky përkushtim kolektiv na jep identitet dhe na e bën të qartë qëllimin e jetës tonë, atë se ne i përkasim Allahut dhe do të merremi në llogari dhe kemi përgjegjësi para Tij.

Komunikimi

Komunikimi është më shumë se të flasësh. Ai është një pjesë thelbësore e jetës familjare. Ai përmbledh të folurit në një mënyrë që të bëhesh i kuptueshëm për të tjerët dhe t’i dëgjosh të tjerët duke u kushtuar vëmendjen e duhur dhe duke u përpjekur për t’i kuptuar. Sa herë njerëzit pretendojnë se nuk kanë probleme me komunikimin për sa kohë që ata flasin e flasin. Megjithatë, në më të shumtën e rasteve ata i flasin dikujt dhe nuk flasin me dikë. Kjo mënyrë komunikimi zakonisht rezulton në “zënien e veshëve me duar”.

Sa e sa fëmijë qysh në moshë të njomë mësojnë ta bëjnë këtë me prindërit e tyre? Kur komunikimi është një mjet dëgjimi, mirëkuptimi dhe shkëmbimi idesh, kthehet në armën më të fuqishme për prindërit dhe është mburoja më e mirë për fëmijët kundër presionit të bashkëmoshatarëve dhe të shoqërisë. Ai gjithashtu u mëson fëmijëve aftësi në zgjidhjen e problemeve. Një përbërës i rëndësishëm i një komunikimi pozitiv është edhe sensi i humorit, kur prindër dhe fëmijë mund të qeshin së bashku. Komunikimi gjithashtu mund të bëhet një instrument që do të shërbejë për të trashëguar traditën familjare dhe në këtë mënyrë do të krijojë unitet dhe bashkim duke ndarë një trashëgimi të përbashkët (fëmijëve u pëlqen shumë të dëgjojnë histori rreth familjes së tyre).

Qëndrueshmëria

Të qenët një prind i suksesshëm kërkon që ne të jemi të qëndrueshëm në gjykimet tona vlerësuese, në disiplinë dhe në standarde morale. Mjaft prindër nga pakujdesia përdorin standarde të dyfishta për djemtë dhe vajzat kur bëhet fjalë për sjelljen sociale dhe punët e shtëpisë. Kjo është e papranueshme për fëmijët, krijon rivalitet midis tyre dhe bën meshkuj dhe femra stereotipa.

Konfidencialiteti, ruajtja e sekretit.

Familja është vend sigurie dhe mbrojtjeje, vendi ku të fshehtat tona janë të sigurta dhe ku ka besim reciprok. Fatkeqësisht, prindërit shpesh e tradhtojnë besimin që kanë fëmijët tek ata, kur diskutojnë shqetësimet e tyre duke ua treguar ato të tjerëve. Kjo çon në mosbesim nga ana e fëmijëve dhe herët a vonë ata nuk do të na i besojnë shqetësimet e tyre. Kjo mund të bëjë që ata të gjejnë persona të tjerë, jashtë familjes, shpeshherë bashkëmoshatarë jomuslimanë dhe kjo mund të jetë shkatërruese për rritjen e tyre shpirtërore dhe morale.

Të qenët i kënaqur

Një dhuratë me të vërtetë e çmuar që ne mund t’i japim fëmijëve tanë është të qenët i kënaqur. Kjo mund të arrihet qysh herët në jetë duke i nxitur fëmijët të falënderojnë Allahun për gjithçka, duke e shmangur materializmin me fjalë dhe me shembuj, duke i numëruar mirësitë e Allahut çdo natë dhe duke kujtuar ata që janë poshtë nesh në këto mirësi.

Vetëvlerësimi

Është detyrë e prindërve që të ndërtojnë vetëvlerësimin te fëmijët nëpërmjet inkurajimit dhe lavdërimit të sinqertë. Duke zhvilluar vetëvlerësimin, ne u japim fëmijëve tanë kurajën për të ruajtur identitetin e tyre dhe të besimit të tyre dhe i bëjmë të aftë të përballen me kundërshtitë që i rrethojnë.

Vetëkontrolli

Duke i mësuar të përmbajnë vetveten dhe t’u shmangen teprimeve, ne zhvillojmë te fëmijët tanë ndjenjën e vetëkontrollit, në mënyrë që ata të mos bëhen skllevër të dëshirave të tyre dhe të nefsit.

Ruajtja e qetësisë

Duke ruajtur qetësinë në raste fatkeqësish dhe problemesh ne rritim devotshmërinë ndaj Allahut dhe u mësojmë fëmijëve tanë t’i mbështeten Allahut dhe t’i kthehen vetëm Atij për gjithçka kanë nevojë.

Kuraja

Kuraja e bindjes mund të arrihet vetëm nëse ne do t’i kemi mësuar fëmijës Islamin e vërtetë. Ne duhet të përfitojmë nga çdo mundësi mësimi si familje, në mënyrë që besimi ynë të gjallërohet dhe të zhvillohet drejt ihsanit. Në këtë mënyrë, ne mund të bëhemi një burim force për njëri-tjetrin.

Të menduarit kritik

Kurani na inkurajon vazhdimisht për të menduar, reflektuar, për t’u thelluar, për të kuptuar dhe analizuar. Megjithatë ne rrallë e bëjmë këtë. Prindërit duhet t’i inkurajojnë fëmijët të bëjnë pyetje. Reagimi ynë ndaj kërkesave që fëmijëve u duken të vështira është “bëje se ashtu të them unë”. Kjo mënyrë reagimi i dekurajon fëmijët dhe i largon nga të menduarit kritik. Kështu ata bëhen përtacë, kënaqen me pak dhe mund të bien pre e adhurimeve të kota.

Zemërgjerësia

Virtyti më i rëndësishëm në personalitetin e një muslimani është ashtu siç ka thënë i Dërguari Muhamed: “A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë? Atëherë falini vëllezërit dhe motrat tuaja.” Shumë marrëdhënie shemben sepse njerëzit nuk janë të aftë të falin njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme që prindërit ta falin njëri-tjetrin pas një zënke dhe të pajtohen në sy të fëmijëve. I Dërguari Muhamed ka thënë: “Dëshiro për vëllanë tënd atë që dëshiron për veten.” Atëherë, nëse burri dhe gruaja presin respekt nga njëri-tjetri, ata duhet të japin respekt. Zemërgjerësia gjithashtu na inkurajon të mos i vëmë re të metat e tjetrit dhe të jemi të ndjeshëm.

ASPEKTET NEGATIVE

Konkurrenca

Në një hadith autentik i Dërguari Muhamed ka thënë: “Shiko të arrish atë që është më i lartë në devotshmëri, në mënyrë që edhe ti të bëhesh si ai dhe kur të shohësh atë që është materialisht poshtë teje, falënderoje Allahun për mirësinë që të ka dhënë.” Ne si komunitet po përjetojmë të kundërtën. Ne po e vrasim veten për të fituar sa më shumë të mira materiale që t’ia kalojmë tjetrit dhe këtë po ua transmetojmë edhe fëmijëve tanë.

Nëse djali i dikujt shkon me studime në universitetin Yale, atëherë djali ynë duhet të shkojë në Harvard, përndryshe është një dështak, pak rëndësi ka se sa besimtar i mirë është në krahasim me djalin e tjetrit. Ne pa dashje po ushtrojmë kaq shumë presion mbi fëmijët për të konkurruar për këtë dynja, saqë aktualisht po ua vrasim vetëvlerësimin dhe po i largojmë. Kujtohuni pak se nëse fëmijët nuk e gjejnë veten në shtëpi për atë që janë të aftë të bëjnë, do ta gjejnë gjetkë.

Krahasimi

Krahasimi është rrjedhojë e konkurrencës negative, është i pashpirt dhe sjell zemërim dhe inat. Shumë prindër i krahasojnë fëmijët e tyre me të tjerët dhe ajo që fitojnë është zakoni i të ankuarit. Bari duket gjithmonë më i gjelbër në oborrin e fqinjit, por një shikim më në brendësi tregon të kundërtën. Asnjëri prej nesh nuk është i përkryer, prandaj nuk duhet ta kërkojmë përsosmërinë te të tjerët.

Kontrolli

Aspekti negativ i kontrollit shfaqet në formën e një personaliteti dominues. P.sh. unë jam bosi, bëj si them unë. Në rastet ekstreme kjo nevojë për kontroll çon drejt abuzimit dhe neglizhencës. Inati është gjithashtu një armë e kapriços së kontrollit. Në të shumtën e rasteve është babai ai që sillet në këtë mënyrë, por edhe nënat e shfaqin këtë karakteristikë.

Kritikat e vazhdueshme

Kriticizmi i vazhdueshëm dhe shkatërrues është një shenjë që tregon se prindi nuk është në rregull. Uljet e vazhdueshme dhe përplasjet verbale e shkatërrojnë atmosferën e qetë në shtëpi. Vetëvlerësimi i fëmijës është shumë i ulët dhe zhvillon tek ata një mentalitet viktime. Në të ardhmen, ata ka të ngjarë që ose të kërkojnë marrëdhënie abuzive ose t’ua kthejnë kurrizin familjeve të tyre. Mjaft largime nga shtëpia vijnë nga një sfond i tillë familjar.

Degjenerimi

“Nëse e vërteta do të përputhej me dëshirat e tyre, qiejt dhe toka dhe gjithçka ka ndërmjet tyre do të shkatërroheshin.” (Muminun, 23:71). Nefsi i dobët dhe sëmundjet e zemrës çojnë drejt një karakteri të dobët, i cili sigurisht është pasojë e një nënshtrimi me pahir dhe i një besimi të kushtëzuar. Kur ne e degjenerojmë fenë tonë duke zgjedhur për të zbatuar ato gjëra që dëshirojmë dhe duke i rezistuar dhe kundërshtuar direkt të tjerat, të cilat nuk u përshtaten dëshirave tona, kemi paguar një çmim tepër të shtrenjtë duke e humbur veten në dynja dhe në këtë mënyrë edhe fëmijët i kemi larguar nga Islami.

Konfuzioni

Prindërit të cilët janë konfuzë për identitetin dhe vlerat e tyre nuk kanë qenë të aftë të zhvillojnë një strukturë të së drejtës dhe të së gabuarës të bazuar në Kuran dhe Hadith dhe si të tillë, kur vjen puna për vënien në jetë të tyre, u japin sinjale konfliktuale fëmijëve të tyre. Ne si prindër duhet të zhvillojmë një sistem referimi islam të vlerave, i cili do të shërbejë për të zhvilluar një ndërgjegje të pastër te fëmijët dhe do të jetë bazë për gjykim. Kjo mund të arrihet duke situr bagazhin tonë kulturor dhe duke shtuar njohuritë tona.

Përbuzja

Përbuzja për të tjerët vjen si rezultat i krenarisë, arrogancës dhe mendjemadhësisë. Ne duhet të përpiqemi të luftojmë arrogancën te fëmijët dhe të jemi vazhdimisht vigjilentë për të, sepse shumë të rinj muslimanë bien pre e këtij vesi dhe kanë përbuzje ndaj prindërve të tyre. Të lavdërosh është një gjë, ndërsa të vendosësh në piedestal është një gjë tjetër. Duhet të mos harrojmë se “dituria është krenare që di aq shumë, mençuria është e përulur që nuk di më asgjë.”

Konsumi

Konsumi është një ves që po bren shoqëritë. Kur dëshirat bëhen nevoja dhe prindërit fillojnë e kompensojnë mungesën e tyre të zgjatur nga fëmijët me dhurata materiale, ata kështu po ia zgjatin jetën konsumimit me tepri- gjithçka mund të blihet. Por, kjo nuk është e vërtetë. Legjitimiteti i materializmit i mbijeton brezave sepse ushqehet nga nefsi i ulët.

Kontradiktat në fjalë dhe vepra

Kontradikta midis fjalës dhe veprës quhet hipokrizi. Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj këtij vesi dhe e thithin menjëherë. Kur sillemi ndryshe në xhami dhe ndryshe në ambiente të tjera, jemi duke u dhënë fëmijëve mesazhin se të jesh hipokrit është diçka normale.

Pakujdesia

I Dërguari Muhamed na ka kujtuar në hytben e lamtumirës se “shejtani nuk mund të na devijojë ne në çështjet kryesore të fesë, por në ato më anësore.” Pakujdesia jonë dhe mungesa e vigjilencës mund të na çojë drejt një karakteri të dobët.

Shahina Siddikui

Categories

Archives