Saturday, 18/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Arritja e lumturisë

Arritja e lumturisë

Arritja e lumturisë

Çdonjëri nga ne mundohet dhe sakrifikon, shpreson dhe ëndërron, lufton dhe përpiqet për ta arritur lumturinë. Lumturia është ajo që ta qetëson zemrën, ta kënaqë shpirtin, ta aktivizon trupin dhe mendjen, si dhe të jep jetë të begatshme. Ajo të ndihmon në tejkalimin e fatkeqësive, të jep siguri në jetë, të ndihmon në kohërat e vështira dhe të qetëson në momentet e rënda. Nga ana tjetër, mërzia dhe dëshpërimi, shqetësimi dhe pikëllimi, dobësimi dhe përtacia, të gjitha këto janë armiqtë e lumturisë dhe rehatisë. Ato e dobësojnë njeriun fizikisht dhe shpirtërisht, ia mjegullojnë mendjen dhe ia bëjnë përtac trupin.

Lumturia është synimi i çdo njeriu, mirëpo shumë të paktë janë ata që me të vërtetë janë të lumtur dhe të kënaqur. Kjo ndodhë për shkak të largimit nga Zoti dhe për shkak të kthyerjes së shpinës urdhrave dhe porosive të Tij.

Disa njerëz mendojnë se lumturi është vetëm kënaqja e epshit dhe trupit. Këta nuk e ushqejnë shpirtin, e as që i kushtojnë rëndësi atij, e si rrjedhojë së shpejti bien në depresion dhe mërzi.

Të tjerët mendojnë se lumturia është në arritjen e pozitës, pasurisë dhe famës. Këtyre u shkon jeta duke u përpjekur për t’i arritur këto gjëra, asnjëherë nuk janë të kënaqur dhe së shpejti e lënë këtë botë dhe drejtohen për në Ahiret, të zhgënjyer e të dëshpëruar.

Pra, të gjithë njerëzit e synojnë lumturinë, mirëpo jo çdo kush e arrin atë, bile shumica prej tyre nuk e arrijnë lumturinë e vërtetë. Edhe nëse ndonjëherë janë të kënaqur, këto janë vetëm disa momente të shkurta dhe kënaqësi sipërfaqësore, e pas mbarimit të tyre përsëri i kthehen pikëllimit dhe mërzisë.

Prandaj, vendosëm që të flasim mbi këtë temë kaq të rëndësishme, duke shpresuar se fjalët tona do t’u bëjnë dobi atyre që do t’i dëgjojnë dhe do t’i orientojnë drejt rrugës së lumturisë së vërtetë. All-llahu është ndihmësi ynë dhe vetëm Atij i mbështetemi.

Ajo që duhet ta dimë dhe të jemi të bindur në të, është se kjo botë nuk është qëllimi final dhe caku i fundit, nuk është mbarimi i jetës e as që është vend i përjetshëm. Kjo botë nuk është asgjë tjetër veçse një urë, të cilën duhet ta kalojmë për të shkuar në ahiret. Kjo botë është e shkurtër dhe kalimtare. Andaj nuk ka mundësi që lumturia absolute të arrihet në këtë botë, sepse lumturi e vërtetë është ajo lumturi e cila është e përjetshme, e kjo lumturi arrihet vetëm në xhennet.

Nga kjo që thamë, na bëhet e ditur se lumturia është dy llojesh:

1. Lumturia e kësaj bote: Kjo është lumturia e banorëve të kësaj bote. Edhe pse kjo lumturi nuk është absolute, ai që e përjeton këtë lumturi në këtë botë, do ta përjetojë në ahiret. Kjo është lumturia e besimtarëve, të cilët e njohën All-llahun dhe e adhuruan vetëm Atë, iu nënshtruan ligjit të Tij dhe e pasuan të dërguarin e Tij. Kjo lumturi nuk do të ishte lumturi, sikur mos të ishte lumturia e ahiretit.

2. Lumturia e Ahiretit: Kjo është kulmi i lumturisë dhe i kënaqësisë, është e rezervuar vetëm për besimtarët e sinqertë, për adhuruesit e All-llahut dhe pasuesit e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

I lumtur është ai që e jeton këtë jetë sipas udhëzimeve të All-llahut dhe e pason të dërguarin e tij, ai që është i kënaqur me caktimin e All-llahut, që i mbështetet All-llahut dhe vetëm prej Tij shpreson, ai që e njeh All-llahun dhe cilësitë e Tija fisnike, ai që ka mendim të mirë për All-llahun dhe është i bindur se premtimet e Zotit janë të vërteta dhe se All-llahu nuk i thyen premtimet e Tija. Lumturia e këtij personi shtohet edhe më shumë, sepse ai shpreson në shpërblimin e Zotit dhe në hyrjen në xhennet. Mirëpo përsëri kjo lumturi nuk është në nivelin kulminant, sepse ende nuk e dinë se a do të jetë prej banorëve të xhennetit apo jo. Vetëm pasi të ketë hyrë në xhennet, i qetësohet zemra dhe i kënaqet shpirti, e arrin lumturinë dhe më nuk frikësohet se do ta humbë atë.

(vijon me: shkaqet e lumturisë)

Omer Islami,

Categories

Archives