Saturday, 22/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ankthi dhe shërimi i tij

Ankthi dhe shërimi i tij

 

ANKTHI DHE SHËRIMI I TIJ

Dr. Gazi Et Teubeh

Ankthi është sinonimi më adekuat i kohës bashkëkohore. Ekzistojnë shkaqe të shumta të ankthit, të dala nga kultura moderne që më të theksuarat prej tyre ndoshta janë komplikimet jetësore të nxjerra nga mjetet teknologjike dhe industria bashkëkohore. Padyshim se dy luftërat botërore që ndodhën në pjesën e parë të shek. XX., shtuan dozën e këtij ankthi, prej të cilit vuan njerëzimi. Me gjithë prezencën e shtuar të tij në këtë kohë, si dukuri ajo është shumë e vjetër dhe ka shoqëruar njeriun qysh nga momentet e para të ardhjes se tij në tokë. Imazhi më konkret i ankthit është frika për të ardhmen e panjohur.

Si e shëroi Islami ankthin?

Islami pranon se njeriu nga vet natyra e tij ndien frikë. Thotë Allahu i Madhëruar: “Është e vërtetë se njeriu është i prirë të jetë i padurueshëm. 20. Pse kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. 21. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac”[1].

Ajete të caktuara rrëfejnë për frikë të pejgamberëve në disa raste, p.sh.: frika e Musait dhe Harunit, alejhima’s selam në ballafaqim me Faraonin, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh”[2].

Kur’ani prapë rrëfen për frikën e Musait nga Faraoni: “Madje unë kam një faj ndaj tyre, e kam frikë se do të më mbysin (për hakmarrje)!”[3].

Ajete tjera kanë shtjelluar frikën e Ibrahimit, alejhi’s selam nga melekët që kishin ardhur si mysafirë në formë njerëzish dhe nuk kishin ngrënë fare ushqimin në tryezë: “Edhe Ibrahimit i patën ardhur të dërguarit (engjëjt) tanë me myzhde dhe i thanë: “Selam”. Ai u përgjigj: “Gjithnjë paçi selam” dhe nuk vonoi t’ju sjellë një viç të pjekur (të fërguar në gurë). 70. Kur pa se duart e tyre nuk shtrihen kah ai (viç), iu dukën të pazakonshme dhe ndjeu prej tyre njëfarë frike. Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne jemi të dërguar te populli i Lutit”[4].

Ajete tjera trajtojnë po kështu këtë rast: “A ke arritur të dëgjosh ti për rrëfimin e musafirëve të ndershëm të Ibrahimit? 25. Kur patën hyrë te Ai dhe thanë: “Të përshendesim me paqë!” Ai tha: “Qofshi gjithnjë të përshëndetur me paqë!” (E me vete tha “Njerëz të panjohur!” 26. Dhe ai pa u vërejtur shkoi te familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. 27. Atë ua afroi atyre e tha: “Përse nuk po hani?” 28. Dhe ndjeu njëfarë frike prej tyre, po ata thanë: “Mos ki frikë!” Mandej i dhanë myzhde për një djalë të dijshëm”[5].

Pasi që Islami pranoi këtë natyrshmëri të njeriut dhe se çdo njeri patjetër ndien frikë, e shëroi këtë problematikë me dy hapa konkret:

1. Ndjenja se Allahun e Madhëruar e ke me vete

Kjo pikë doemos na kthen tek rasti i sipërpërmendur i Musait dhe Harunit, alejhima’s selam me Faraonin, të cilët shkuarjen tek ai e shihnin si rrezik për ata. Allahu i Madhëruar i mësoi që të mos kanë frikë nga tirania e Faraonit, le të mos shqetësohen nga qasja negative e tij, ngase Allahu është me ta; i sheh dhe i dëgjon. Thotë Allahu: “Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t’i kalojë kufijtë kundër nesh”. 46. Ai (All-llahu) tha: “Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç’do t’ju thotë) dhe shoh (ç’do të bëjë me ju)”[6], “(Përkujto) Kur Zoti yt e thirri Musain: “Të shkosh tek ai popull zullumqar!” 11. Populli i faraonit, a nuk janë duke u frikësuar (dënimit)? 12. Ai (Musai) tha: “Zoti im, kam frikë se do të më trajtojnë si gënjeshtar. 13. Do të më shtrëngohet kraharori (shpirti) im dhe nuk do të më lëshohet gjuha ime (të flas rrjedhshëm), andaj dërgoje (bëre pejgamber) Harunin. 14. Madje unë kam një faj ndaj tyre, e kam frikë se do të më mbysin (për hakmarrje)!” 15. Ai (All-llahu) tha: “Kurrsesi (nuk do të mbysin), po shkoni ju të dy me argumentet Tona. Ne jemi me ju vështrues tuaj (ju dëgjojmë e ju ndihmojmë)”[7].

Musai me tërë qenien e tij e kuptoi këtë mësim hyjnor ndaj kur e frikësoi populli i tij se iu është vërsulur pas Faraoni, ai nuk u tremb fare, përkundrazi i përforcoi ata. Thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe kur u panë dy grupet, shokët e Musait thanë: “Me siguri na zunë!” 62. Ai (Musai) tha: “Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë”[8].

2. Orientimi i zemrës kah frika prej zjarrit të Xhehennemit

Kur’ani fisnik ka kërkuar prej muslimanit që të ketë frikë nga zjarri i Xhehennemit. Thotë Allahu i Madhëruar: “E, All-llahu tha: “Mos adhuroni dy të adhuruar, sepse Ai është vetëm një Zot, pra vetëm Mua më keni dronë”[9], “E, për atë që i pat frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhennete”[10], “E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, 41. Xhenneti është vendi i tij”[11].

Në Kur’anin Famëlartë dhe në Sunnetin e Ndritur janë dhënë shpjegime dhe detaje të shumta rreth Xhennetit dhe Xhehennemit. Për zjarrin janë dhënë sqarime se lëndë djegëse të tij janë gurët dhe njerëzit, se ka mbikëqyrës të rreptë prej melaikeve, se ai kërkon “lëndë” (njerëz) shtesë që të futen për tu djegur në të, se xixat e tij janë si një kala, se pabesimtari nga dënimi i madh dëshiron të ishte dhe, nuk do të dëshironte ta pranoj librin e veprave fare, nuk do të donte të dijë për llogarinë asgjë, ndien shumë keqardhje nëse pasuria dhe bijtë nuk i bëjnë dobi fare, zjarri dhe nxehtësia e tij përvëlojnë fytyrat e pabesimtarëve, hyjnë nën një hije që nuk është e freskët….

Ndërsa për Xhennetin është rrëfyer se ka kopshte e pemë të shumta, ka vreshta me kalaveshë të bukur e të lëshuar, nën drunj të pemëve pa therra (pa gjemba), të bananeve me fruta palë-palë, nën hije të përhershme, aty kane hyri symëdha, kane ujë të rrjedhshëm, kanë lumenj nga qumështi, mjalti e vera, aty ka atë që syri se ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as që mendja nuk mund ta imagjinojë dot…

Tërë qëllimi me këto është që mendja e njeriut të zhvendoset nga trualli i frikës në një frikë nga një e ardhme e bindshme: Zjarri i Allahut të Madhëruar, ose në një shpresë të së ardhmes: Xhennetin.

Kjo në një aspekt, kurse në tjetrin, besimtari duhet ta largoj frikën e dobët, e cila vjen si pasojë e vesveseve të djallit, i cili e bën njeriun të frikësohet për veten, pasurinë, fëmijët, shëndetin dhe të ardhmen e tij. Thotë Allahu i Madhëruar: “Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t’ju friksojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtar”[12], “Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm”[13].

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ndalu dhe qetësohu

Kjo për faktin se tërë ajo që i ndodhë besimtarit nuk ndodh vetvetiu por është caktuar prej Allahut të Madhëruar, madje edhe para se të krijojë njeriun, siç shote Allahu i Madhëruar: “Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër – Levhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për All-llahun është lehtë”[14], “Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga All-llahu; Ai është ndihmëtar yni”. Prandaj, vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët”[15].

Si rezultat i kësaj, kur besimtari të mbjellë në zemër frikën e vërtetë nga zjarri i Xhehennemit dhe të nxjerr me forcë frikën e dobët të shkaktuar nga djalli i mallkuar, atëherë ai ka rezervuar sigurinë, e cila dëbon ankthin.

Ibrahimi, alejhi’s selam arriti tek ky rezultat kur polemizoi me popullin e tij rreth çështjes së Teuhidit (Njëshmërisë se Allahut) dhe Frikës. Ai së pari diskutoi me ta rreth besimit të pastër dhe ua vërtetoi se gabuan në adhurimin e planetëve, në mesin e të cilave edh diellin e hënën, ngase ato perëndojnë, kanë fund, kurse Zoti nuk ka fund. “E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: “Ky është Zoti im!” E kur u zhduk ai (perëndoi) tha:” Unë nuk i dua ata që humben”. 77. Kur e pa hënën të posalindur tha: “Ky është Zoti im! e kur perëndoi ajo, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!” 78. Kur e pa diellin të lindur, tha: “Ky është Zoti im, ky është i madh!” e kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!” 79. Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!”[16].

Pasi që Ibrahimi, alejhi’s selam ua argumentoi atyre çështjen e adhurimit të planetëve dhe shpalli pavarësinë prej tyre duke iu qasur adhurimit të pastër vetëm për Allahun e Madhëruar, filloi t’iu sjellë argumente për çështjen e frikës. Kjo nënkupton rëndësinë e tematikës së frikës. Kështu, ai, alejhi’s selam, publikisht bëri të ditur se nuk ndien frikë aspak prej zotave të tyre për të pyetur më pas në formë mohimi se si ai të ndiej frikë prej zotave të tyre të trilluar në kohën kur ata nuk i frikësohen Allahut, të cilit i bëjnë shok. Pyetjen e tij e përmbylli me pjesën se cili grup duhet të ndihet më i sigurt: ai që është monoteist apo ata që janë politeistë? Thotë Allahu i Madhëruar: “Po atë e (me Ibrahimin) polemizoi populli i tij e ai tha: “A polemizoni me mua, rreth All-llahut e Ai më udhëzoi?” Unë nuk u frikohem atyre që ju ia bëni shok, vetëm nëse Zoti im do ndonjë send (të më godas, ai më godet). Me dijen e Tij Zoti im ka përfshirë çdo send, a nuk e merrni me mend?” 81. E si t’ju frikohem atyre që ju ia shoqëruat, e ju nuk frikoheni për atë që i shoqëruat All-llahut pa pasur kurrfarë argumenti. E cili grup, pra, është më i drejtë të jetë i sigurt, nëse jeni që kuptoni?”[17]. Përgjigja për pyetjet e Ibrahimit, alejhi’s selam erdhi në citatin vijues: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”[18].

Sahabeve të Pejgamberit, alejhi’s selam i pate frikësuar ky ajet kur’anor. “E kush prej nesh nuk bën mëkate?!”- e pyetën Pejgamberin, alejhi’s selam. “Nuk është kjo që mendoni. A nuk keni dëgjuar fjalën e robit të sinqertë: O biri im! Mos i bë shok Allahut ngase politeizmi është padrejtësi e madhe”[19].

Rrjedhimisht, domethënia e ajetit jep të kuptojmë se siguria është e rezervuar vetëm për ata që besojnë në Allahun e Madhëruar dhe nuk njollosin besimin me besëtytni a politeizëm…
Këto botëkuptime që rezultuan nga dialogu i Ibrahimit, alejhi’s selam me popullin e tij përputhen me ato që i përfituam nga rrëfimi i Musait, alejhi’s selam me Faraonin e mallkuar se për mbizotërim mbi frikë duhen dy çështje:

§ Besimi në Allahun, dhe
§ Zhveshja tërësisht nga pabesimi.

Kjo, nga një anë, d.t.th. qe besimtari duhet ta mbushë zemrën e tij me madhërim për Allahun e Madhëruar, me frikë ndaj zjarrit të Xhehennemit dhe me shpresë për Xhennetin e Tij duke patur parasysh përherë “meijjen“ (të qenit e Allahut me ne) derisa në anën tjetër d.t.th. zbrazjen e zemrës nga frika iluzionare e shkaktuar nga djalli.

E vërteta është se siguria njohu rrugën në zemrat e muslimanëve gjatë tërë historisë. Këtë gjë e ka vërtetuar edhe Dr. Izzuddin Ismaili, i cili mosnjohjen e teatrit nga muslimanët, edhe pse ata e përkthyen shumicën e trashëgimisë greke në filozofi, mjekësi dhe logjike, e arsyeton me pozitën e tyre pozitive karshi kaderit. Sipas tij, teatri ka përparuar vetëm në ato shoqëri që kanë probleme me kader, ndryshe, zgjidhja e problemit të kaderit vjen si rezultat normal i prezencës së sigurisë dhe rehatisë shpirtërore të njeriut.

Në këtë temë sqaruam mënyrën e mbizotërimit mbi ankthin nëpërmjet ngjarjeve dhe ndodhive nga jeta e dy pejgamberëve fisnik, Ibrahimit dhe Musait, alejhima’s selam. Të vërtetën e ka thënë Pejgamberi Muhammed, alejhi’s selam: “Thotë Allahu i Madhëruar: Pasha krenarinë dhe Madhërinë Time! Robit Tim nuk ia bashkoj dy frika dhe as dy siguri. Kush më frikësohet në dunja, e siguroj në ahiret, e kush nuk më frikësohet në dunja, e frikësoj në ahiret”[20].

Burimi: http://saaid.net/Minute/205.htm
Përshtati në shqip: Sedat Islami
20/2/2009, Vushtrri, Kosovë

[1] El Mearixh, 19-21.
[2] Taha, 45.
[3] Esh Shuara, 14.
[4] Hud, 69-70.
[5] Edh Dharijat, 24-28.
[6] Taha, 45-46.
[7] Esh Shuara, 10-15.
[8] Esh Shuara, 61-62.
[9] En Nahl, 51.
[10] Err Rrahman, 46.
[11] En Naziat, 40-41.
[12] Ali Imran, 175.
[13] El Bekare, 268.
[14] El Hadid, 22.
[15] Et Teube, 51.
[16] El En’am, 76-79.
[17] El En’am, 80-81.
[18] El En’am, 82.
[19] Ahmedi.
[20] Transmeton Ebu Neimi në El Hiljeh dhe Ibni Mubareku në Ez Zuhd ndërsa Albani në es Silsieltu’s sahihah.

Categories

Archives