Wednesday, 19/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Alkimia e lumturisë: Dija mbi veten



Alkimia e lumturisë: Dija mbi veten

Abū Ḥāmid Muḥammad ibn Muḥammad al-Ghazālī

Dija mbi veten është çelësi për të arritur dijen mbi Zotin, bazuar në thënien: “Ai që njeh veten, njeh Zotin.”, dhe siç shkruhet në Kur’an, “Ne do t’ju tregojmë atyre shenjat tona në botë dhe tek vetja e tyre, në mënyrë që e vërteta t’ju bëhet e qartë.” Asgjë nuk është më pranë teje se vetja jote, prandaj nëse nuk njeh veten, si mund të njohësh diçka tjetër? Nëse thua “Unë e njoh veten”, duke pasur parasysh me këtë formën e jashtme, trupin, fytyrën, gjymtyrët dhe kështu me radhë, një dije e tillë s’mund të jetë kurrë çelës për tek dija mbi Zotin. As nëse dija mbi veten shtrihet deri në brendësi të trupit, që kur je i uritur të hahet apo kur je i zemëruar mund të sulmosh dikë.

Pa u zgjatur më tej në këtë drejtim, është e drejtë të themi se kafshët janë partnerët tanë në këtë gjë. Ndërsa dija e vërtetë mbi veten apo unin është të njohësh: Çfarë përfaqëson ti dhe nga ke ardhur? Ku je duke shkuar dhe për ç’qëllim ke ardhur në këtë botë? Dhe ku qëndron lumturia e vërtetë apo mjerimi? Disa nga cilësitë e tua janë si të kafshëve, disa si të djajve dhe disa si të engjëjve, ndërsa të duhet të zbulosh cilat nga këto cilësi janë aksidentale dhe cilat esenciale.

Pa e ditur këtë, s’mund të zbulosh ku gjendet lumturia e vërtetë. Angazhimi i kafshëve është të hanë, të flenë dhe të luftojnë; prandaj, nëse je kafshë, angazhoje veten në këto gjëra. Djajtë janë të angazhuar në kryerjen e ligësive, dredhive dhe mashtrimit; nëse u përket atyre, atëherë bëj punën e tyre. Engjëjt kundrojnë bukurinë e Zotit dhe janë tërësisht të çliruar nga cilësitë kafshërore; nëse ke natyrë engjëllore, atëherë udhëto drejt origjinës tënde, që të njohësh dhe meditosh mbi Më të Lartin, dhe të çlirohesh nga skllavëria e epsheve dhe zemërimit. Ju, duhet gjithashtu të zbuloni pse jeni krijuar më këto dy instinkte kafshërore: nëse ato duhet t’ju nënshtrojnë dhe t’ju mbajnë peng, apo nëse ju duhet t’i nënshtroni ato, dhe ndërsa lartësoheni, ta shndërroni njërin në kalin dhe tjetrin në armën tuaj.

Hapi i parë drejt njohjes së vetes është të dish se ti je i përbërë nga forma e jashtme, e quajtur trup, dhe ekzistenca e brendshme e quajtur zemër ose shpirt. Me “zemër”, nuk nënkuptoj atë copë muskuli të ndodhur në të majtë të trupave tanë, por atë që përdor të gjithë aftësitë e tjera si instrumente dhe shërbëtore të saj. Në të vërtetë, ajo nuk i përket botës së dukshme, por asaj të padukshme, dhe ka ardhur në këtë botë si një udhëtar që viziton një vend të huaj për të bërë tregti, për t’u kthyer sërish në tokën ku ka prejardhjen. Është dija mbi këtë ekzistencë dhe cilësitë e saj që përbën çelësin për të arritur dijen mbi Zotin.

Një ide mbi realitetin e zemrës ose shpirtit mund të arrihet duke mbyllur sytë dhe harruar gjithçka përreth, përveç individualitetit. Kështu mund të arrihet një përjetim i natyrës së pafundme të këtij individualiteti. Sidoqoftë, hetimi i thellë dhe i imtësishëm mbi shpirtin është i ndaluar. Në Kur’an shkruhet: “Nëse të pyesin për shpirtin, thuaj: ‘Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim’.”  Kaq është gjithçka dihet mbi të. Që është një esencë e pandashme që i përket botës së urdhërimit hyjnor, dhe që nuk vjen nga përjetësia, por është i krijuar. Dija ekzakte filozofike mbi shpirtin nuk është një domosdoshmëri paraprake për të ecur në rrugën e religjionit, por vjen si rezultat i vetëdisiplinimit dhe qëndrueshmërisë në këtë rrugë, siç thuhet edhe në Kur’an: “Ata që përpiqen në rrugën tonë, ne do t’i udhëzojmë në rrugën e drejtë.”

Për të vazhduar këtë betejë shpirtërore, për të cilën duhet zotëruar dija mbi veten dhe mbi Zotin, trupi duhet të përfytyrohet si një mbretëri, shpirti si mbreti i saj, ndërsa shqisat dhe aftësitë si batalionet e një ushtrie. Arsyeja duhet të konsideruar si vezir (ose kryeministër), pasioni duhet konsideruar si mbledhësi i të ardhurave, ndërsa zemërimi si oficeri i policisë. Nën justifikimin e mbledhjes së të ardhurave, pasioni është vazhdimisht i prirë të zgjerojë llogarinë e tij, ndërsa zemërimi është gjithmonë i prirë për nga ashpërsia dhe egërsia ekstreme.

Të dy këto, mbledhësi i të ardhurave dhe oficeri i policisë, duhet të jenë të nënshtruar ndaj mbretit, por jo të vriten apo të dëbohen, sepse ato kanë funksionet e tyre të nevojshme që duhet t’i përmbushin. Nëse pasioni dhe zemërimi sundojnë arsyen, ajo që pason është shkatërrimi i pashmangshëm i shpirtit. Një shpirt që lejon atësitë e tij më të ulëta të sundojnë ato më të larta, është si ai që i dorëzon engjëllin pushtetit të një qeni, apo që i dorëzon një musliman tiranisë dhe padrejtësisë së një mosbesimtari. Kultivimi i cilësive djallëzore, kafshërore apo engjëllore rezulton në prodhimin e karaktereve përkatës, që në Ditën e Gjykimit do të manifestohen në forma të dukshme; epshorët si derra, të egrit si qen dhe ujq, ndërsa të pastrit si engjëj. Qëllimi i disiplinës morale është të purifikojë zemrën nga ndryshku i pasionit dhe zemërimi, derisa si një pasqyrë e shkëlqyeshme, të reflektojë dritën e Zotit.

Dikush mund të kundërshtojë, “Nëse njeriu është krijuar me cilësi kafshërore dhe djallëzore, por edhe engjëllore gjithashtu, si mund ta dimë që këto të fundit përbëjnë esencën e tij të vërtetë, ndërsa të tjerat janë thjesht aksidentale apo kalimtare?” Kësaj pyetje i përgjigjem duke thënë se esenca e çdo krijese duhet kërkuar tek ajo që është më karakteristike dhe më e lartë brenda saj. Kështu, kali dhe gomari janë të dyja kafshë që mbajnë ngarkesa, por epërsia e kalit përkundër gomarit qëndron në faktin se ai është përshtatur për t’u përdor në betejë. Nëse dështon në këtë detyre, ai zhvlerësohet në rangun e kafshëve që shërbejnë për të mbajtur ngarkesa.

Ngjashëm edhe me njeriun: aftësia apo zotësia më e lartë e tij është arsyeja, që i është përshtatur dhe i shërben për të medituar mbi Zotin. Nëse ajo mbizotëron, kur të vdesë, ai do të lërë pas të gjitha prirjet drejt pasioneve dhe zemëratave, duke u bërë i krahasueshëm dhe meritor për t’u shoqëruar me engjëjt. Për sa i përket cilësive të tij thjesht shtazore, njeriu është inferior në raport me shumë kafshë, por arsyeja e bën atë superior mbi to, siç shkruhet edhe në Kur’an: “Njeriut ia kemi nënshtruar çdo gjë mbi tokë.” Por nëse triumfojnë prirjet e ulëta, pas vdekjes ai do të mbetet me sytë nga toka duke u përgjëruar për kënaqësitë tokësore.

Shpirti racional tek njeriu, gëlon nga mrekullitë, si në dije edhe në fuqi. Përmes tij ai përvetëson dhe perfeksionon artet dhe shkencat, mund të kalojë sa hap e mbyll sytë nga toka në parajsë dhe anasjelltas, si dhe mund të eksplorojë qiejt dhe të llogarisë largësitë mes yjeve.





Me anë të tij mund zërë peshkun në det dhe zogjtë në qiell dhe mund të nënshtrojë kafshët në shërbim të tij, si elefanti, deveja dhe kali. Pesë shqisat e tij janë si pesë dyer që i hapen duke e lidhur me botën e jashtme; por, më e rëndësishme se kjo, është se zemra e tij ka një dritare që hapet për t’i shfaqur botën e padukshme të shpirtrave. Në gjendje gjumi, kur shtigjet e shqisave janë të mbyllur, kjo dritare është e hapur dhe njeriu furnizohet me mbresa nga bota e padukshme, dhe ndonjëherë me kumte që i përkasin të ardhmes. Zemra e tij shndërrohet në një pasqyrë që reflekton atë që është gdhendur në Pllakat e Fatit (Leuhi Mahfudh ose pllakat ku Zoti me dijen e tij ka caktuar fatin e çdokujt).

Megjithatë, edhe në gjumë, mendimet tokësore e turbullojnë këtë pasqyrë, prandaj mbresat që ajo merr nuk janë të qarta. Sidoqoftë, pas vdekjes, të tilla mendime zhduken dhe gjërat shihen në realitetin e tyre të zbuluar, duke përmbushur kështu thënien kur’anore: “E kemi ngritur perden nga ti, dhe e vërteta jote sot është e qartë.”

Hapja e dritares në zemër drejt botës së padukshme, ndodh në kushte që i përafrohen frymëzimit (inspirimit) të profetëve, kur intuita lulëzon në mendje, e patransmetuar nga ndonjë kanal shqisor. Sa më shumë që një njeri pastron veten nga epshet fizike dhe e përqendron mendjen tek Zoti, aq më i ndërgjegjshëm do të jetë për një intuitë të tillë. Ata që s’janë të ndërgjegjshëm për të, nuk kanë të drejtë të mohojnë realitetin e saj.

Këto intuita nuk janë të kufizuara vetëm tek ata që kanë gradën profetike. Njësoj siç hekuri, përmes lëmimit të vazhdueshëm mund të shndërrohet në një pasqyrë, njësoj edhe çdo mendje njerëzore, përmes disiplinës së mjaftueshme mund të shndërrohet në përfituese të mbresave të tilla. Ishte pikërisht kjo e vërtetë që Profeti a.s kishte në mendje kur tha:

“Çdo fëmijë lind i pastër dhe me prirje të natyrshme drejt Islamit, por më pas prindërit e tij e bëjnë hebre (në kuptimin e besimit), të krishterë apo idhujtar (adhurues të yjeve). Çdo qenie njerëzore ka dëgjuar në thellësitë e ndërgjegjes së saj pyetjen “A nuk jam unë Zoti yt?” dhe i është përgjigjur me “Po” kësaj pyetjeje. Por disa zemra janë aq të mbuluara me ndryshk, sa nuk janë në gjendje të japin reflektime të qarta, ndërsa ato të profetëve dhe eulijave (të dashurve të Zotit), edhe pse janë njerëz me pasione si ne, janë ekstremisht të ndjeshme ndaj çdo mbrese apo frymëzimi hyjnor.

Shpirti i njeriut mban gradën më të lartë mes krijesave, jo vetëm për shkak të intuitës dhe dijës së përvetësuar, por gjithashtu për shkak të arsyes si pushtet. Njësoj siç engjëjt mbizotërojnë ndaj fenomeneve të natyrës, shpirti mbizotëron apo sundon përbërësit e trupit. Ata shpirtra që arrijnë një gradë të veçantë pushteti, nuk sundojnë vetëm trupat e tyre, por edhe ato të të tjerëve.  Nëse ato i urojnë një të sëmuri shërim, i sëmuri shërohet, ose një të shëndetshmi që të sëmuret, ai sëmuret.

Ose nëse dëshirojnë praninë e një personi, ai vjen tek ta. Në varësi të faktit nëse efektet e prodhuara janë të mira apo të këqija, ato emërtohen mrekulli ose magji. Këto shpirtra dallojnë në tre mënyra nga njerëzit e zakonshëm: (1) atë që të tjerët e shikojnë vetëm në ëndrra, ata e shikojnë kur janë zgjuar; (2) ndërsa vullnetet e të tjerëve ndikojnë vetëm mbi trupat e tyre, këta persona falë pushtetit të vullnetit të tyre, mund të lëvizin dhe ndikojnë mbi trupat që janë jashtë tyre; (3) dija që të tjerët e përfitojnë përmes të nxënit nga puna dhe përvoja, atyre u vjen në mënyrë intuitave.

Këto tre mënyra, sigurisht, nuk janë të vetmet veçori që i dallojnë ata nga njerëzit e zakonshëm, por janë të vetmet që mund të shquhen nga ne. Njësoj siç askush nuk e njeh natyrën e vërtetë të Zotit përveç vetë Zotit, po ashtu askush nuk e njeh natyrën e vërtetë të një profeti, përveç një profeti.

Kjo është një çështje për të cilën nuk nevojitet vramendje, sepse në përditshmërinë tonë shikojmë se është e pamundur t’i shpjegosh bukurinë e poezisë një personi, veshi i të cilit është i pandjeshëm ndaj kadencës dhe ritmit, apo mrekullinë e ngjyrave një personi që është i verbër. Përtej thjesht paaftësisë, ka edhe pengesa të tjera ndaj arritjes së të vërtetës shpirtërore. Një nga këto është dija e përfituar nga burime të jashtme. Për të përdorur një ilustrim, zemra mund të konceptohet si një pus, ndërsa 5 shqisat si burime që e furnizojnë vazhdimisht me ujë. Për të zbuluar përmbajtjen e vërtetë të zemrës, këto burime duhet të ndalen për pak kohë, kurdo qoftë, dhe mbetjet që kanë sjellë duhet të pastrohen nga pusi. Me fjalë të tjera, nëse duam të arrijmë të vërtetën e pastër shpirtërore, duhet të largojmë për pak kohë dijen që është përvetësuar nga proceset e jashtme dhe që shpesh ngurtësohet në paragjykime dogmatike.