Sunday, 19/8/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Aktrim perfekt – Selman Aude



Aktrim perfekt – Selman Aude

Mos u mërzit me dikë që ndryshon befasisht, ndoshta ka hequr dorë nga katrimi dhe i është kthyer karakterit të tij të vërtetë. Sokrati

Nëna e gjeti vogëlushen e saj me duart gjithë buzëkuq, gjë e cila e xhindosi dhe e bëri ti japë ca dacka që të mos e përsërisë më këtë akt. Pasi e bija doli nga dhoma e saj e gjumit, e ëma lexoi në pasqyrë fjalët:”Mami, të kam xhan!” E ëma u kthye sërish që ta rrahë sepse i kishte bërë pis pasqyrën, të cilën sapo e kishte pastruar.

Nuk ishte ndjesia e vërtetë e nënës ajo që e shtyu të injorojë shprehjen e dashurisë nga e bija, por ishte roli aktrues dhe shtirës i saj.

Sa më spontan dhe larg shtirjes të jetë njeriu, aq më pranë vetes dhe karakterit të tij të vërtetë është.

Kushedi sa aktorë komikë fshehin depresion të thellë pas të qeshurave të tyre, depresion i cili arrin gjer në mendime suicidale.

Ai që hiqet dhe shtiret si i lumtur dhe u fal të gjithëve buzëqeshje, mund të fshehë pas dhëmbëve të tij të bardhë, kushedi sa vuajtje dhe mjerim shpirtëror.

Në marrëdhëniet romantike mes dy të fejuarve, ka shumë aktrim dhe shtirje, për të tërhequr vëmendjen e tjetrit/tjetrës.

Unë përmbush rolin që të pëlqen, me kusht që edhe ti të përmbushësh rolin që pëlqej unë.

Për një person i cili më bën të ndihem i veçantë, më fal dashuri dhe më plotëson nevojat, me të do të luaj rolin që më kërkon.

Një marrëveshje e pa shpallur dhe e pavetëdijshme shpesh herë, çon në vendime të pastudiuara.

Përgjithësisht, rënia në dashuri nuk i shpëton iluzionit, i cili shkaktohet nga rendja pas “Egos” dhe nevojave të saj.

Aktrimi i shtirur mes dy të dashuruarve, e rrit nivelin e marrëdhënieve mes të rinjve dhe të rejave. Ajo ofron pak kënaqësi aktuale dhe korr shumë dhimbje, trauma dhe keqardhje në të ardhmen.

Por aktrimin dhe shtirjen, mund ta ushtrojmë edhe me “harresën”, kur pikasim gjurmën, dëgjojmë emrin apo nuhasim parfumin i cili na zgjon emocione të groposura.

Shumë fëmijë e ndrydhin dhe fshehin pakënaqësinë ndaj prindërve, sepse atyre u mungon ngrohtësia dhe dashuria prindërore.

Fëmija, dëshiron që prindërit e tij të jenë spontanë dhe jo aktorë, sado mirë ta luajnë rolin e aktorit.

Mund të bësh shumë gjëra për fëmijën tënd, dhe kjo është diçka pozitive, por kjo nuk është e mjaftueshme, nëse lë pas dore faktin se kush je dhe kush është ai.

Nuk është aspak gjë e mirë që mesazhet që i adreson fëmijës të jenë të llojit:”Unë jam babai yt” “Sepse unë jam ideal “ “Duhet të sillesh kështu e ashtu…”

Shoh disa që e kalojnë gjithë jetën duke mallkuar duhanin, e megjithatë, cigarja nuk u shqitet nga gishtat.

Ashtu siç shoh të tjerë që mallkojnë gjithçka që ka të bëjë me teknologjinë moderne, edhe pse shtëpinë e ka mbushur me të prodhimet më të fundit të saj.

Shoh njerëz që luajnë rolin e luftëtarit dhe mbrojtësit të vërtetës, ndërkohë që motivi i vërtetë është të deklarojë se “Unë ekzistoj”.

Shumë të tjerë hetojnë e zhbirojnë nijetet dhe qëllimet e miletit, sidomos kundërshtarëve të tyre, duke refuzuar çdo hije dyshimi rreth qëllimeve të tyre.

Betejat e forcojnë egon, atë bishë që fshihet pas disa sjelljeve tona të ligjshme dhe morale, me të cilat pretendojmë sinqeritet dhe çiltërsi, duke harruar çfarë fshihet në pavetëdijen tonë.

Figura e liberalit, na duket një figurë demokratike dhe e hapur për dialog, por vetëm nëse erërat fryjnë nga interesi i tij. Në të kundërt, kur i kërcënohen interesat, shfaqet si një përbindësh duke bërë thirrje për kaos dhe ndërhyrje të shteteve të huaja, qoftë dhe ushtarakisht.

Ashtu siç na duket një islamik i angazhuar me të drejtat e njeriut dhe i moderuar në shumë raste, por që dështon me tu vënë në peshore vlerat dhe interesat e tij personale apo dhe të grupit me të cilin identifikohet.

Pretendojmë se divergjencat mes nesh nuk e prishin miqësinë, por që në divergjencën e parë, rendim pas raketave ndërkontinentale.





Një herë, një llafazan ceku një citat të Shekspirit, por që ia atribuoi Ungjillit. Karnixhi e kundërshtoi dhe i tha që ky citat nuk është shkëputur nga Ungjilli. Por fituesi insistoi në të tijën. Meqë asnjëri nuk po lëshonte pe, vajtën tek një studiues i letërsisë shekspiriane. Ai u tha:”Citati që po më thoni, është nga Ungjilli.” Mandej, ai i pëshpëriti Karnixhit në vesh:”Në fakt, është marrë nga Hamleti i Shekspirit. Por kij parasysh: Asnjëherë mos e fut në siklet personin me të cilin debaton duke e vënë me shpatulla për muri, sepse kështu shkel dinjitetin e tij.”

Që atëherë, Karnixhi filloi ti besojë parimit:”Fitoje debatin duke e shmangur atë!”

Thotë profeti Muhamed a.s:”Unë i garantoj një shtëpi në qoshe të xhenetit, atij që heq dorë nga polemikat edhe pse ka të drejtë.” (Ebu Daud)

“Kush tërhiqet nga polemika, edhe pse ka të drejtë, Zoti do i ndërtojë një shtëpi në mes të xhenetit.”

Egoja nuk lejon askënd që të shkelë mbi të, gjithmonë ajo është e armatosur dhe e gatshme të vetëmbrohet.

Kur dikush më kritikon dhe fajëson, kjo merret si sulm dhe egoja ndërhyn për ti ekuilibruar gjërat, me anë të justifikimit, mbrojtjes, madje dhe kundërsulmit.

Askujt nuk i intereson nëse tjetri ka apo jo të drejtë, egos i intereson të vetëmbrohet.

Nëse dikush të ofendon nga makina e tij me fjalët:”Idiot, i shkalluar…” kjo konsiderohet si një mekanizëm i pavetëdijshëm i cili orvatet të ndreqë diçka nëpërmjet nervozizmit.

Vala e inatit dhe zemëratës shkakton fryrje të paprecedentë të unit. Të gjithë personat me karakter ekstrem, gjatë karrierës së tyre profesionale, kanë përjetuar përvoja të dhunës fizike.

Roli i famshëm, është ai i viktimës së persekutuar, i cili di si të fitojë keqardhjen dhe mëshirën e të tjerëve, duke tërhequr vëmendjen e tyre kah problemet dhe dhimbjet pa fund që përjeton. Ata janë mësuar ta shohin veten si viktima, vetëm sepse janë ekspozuar ndaj dhunës fizike, emocionale apo psikologjike, ose sepse janë edukuar me pakënaqësi.

Ndonjëherë, ne aktrojmë edhe me vetet tona, sepse duam të ndihemi rehat.

Të bësh atë që kërkohet prej teje në çdo moment, pa u shoqëruar nga “roli”, është një mësim i vyer në jetë.

Ti bëhesh më i fuqishëm nëse e bën punën për hir të punës dhe jo si një mjet përforcimi, mbrojtjeje dhe lartësimi të identitetit tënd.

Të heqësh dorë nga aktrimi dhe shtirja është diçka e vështirë por dhe e rëndësishme. Momenti më i sinqertë i njeriut me veten, është ai moment kur jobesimtari i shtrin dorën besimit, asokohe kur ai vihet përballë udhëtimit të ahiretit.

A është jeta një skenë? A jemi ne aktorë? A do na bien maskat në fund?

“Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.” (Kaf, 22)

Njerëzit janë të vdekur, ata ngjallen ditën e vdekjes.

Realiteti na shfaqet i qartë sidomos në kriza dhe fatkeqësi.

Vallë çfarë do të thonë njerëzit pasi të vdesësh?

Bëhu burrë, që pasi të vdesësh, të thonë: Këtu ka kaluar filani, ja ku ka lënë dhe gjurmët.

Egoja, do të jetojë edhe pas vdekjes tënde.

Dikush, lakmonte që në funeralin e tij, të vijnë sa më shumë njerëz, që të thuhet: Ishte funeral madhështor!

 

Përktheu: Elmaz Fida





Categories

Archives