Sunday, 28/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Agjërimi i Ramazanit


Agjërimi i Ramazanit


ramazani.jpg

Me agjërim kuptojmë ndalimin nga ushqimi, pija, marrëdhëniet seksuale dhe nga të gjitha shkaqet e tjera që e prishin agjërimin, duke filluar nga agimi (imsaku) e deri në perëndimin e diellit, duke pasur për qëllim adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut. Agjërimi i muajit të madhërueshëm të Ramazanit është një obligim dhe një nga pesë shtyllat themelore të Islamit. Ky obligim ka qenë dhe për popujt e tjerë para nesh, të cilëve u janë dërguar Pejgamberë. Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim dhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183)

Agjërimi i muajit të Ramazanit është bërë obligim për muslimanët në vitin e dytë të hixhretit (emigrimit). Për vlerat e mëdha të këtij muaji dhe të agjërimit të tij, Profeti Muhammed salallahu alejhi ue selem thotë: “Ju erdhi juve një muaj i bekuar, në të cilin është bërë obligim dhe agjërimi. Në këtë muaj janë hapur dyert e xhenetit, janë mbyllur dyert e xhehenemit dhe shejtanët janë të lidhur në pranga. Në të gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj.” Transmeton Ahmedi dhe Nesa’iu nga Ebu Hurejra.

Në një transmetim tjetër të Imam Ahmedit, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “…Në këtë muaj një melek (engjëll) thërret dhe thotë: O kërkues i të mirës përgëzohu, o kërkues i së keqes jepi fund asaj. Këtë e bën deri në fund të Ramazanit.”

“Pesë namazet mes tyre, xhumaja deri në xhumanë tjetër dhe Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë shlyese të mëkateve nëse i ruhet mëkateve të mëdha.” Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra.

“Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim te Allahu, duke llogaritur shpërblimin te Ai, do ti falen mëkatet e mëparshme.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra.

Allahu në një hadith kudsij (hyjnor) thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe vetëm Unë e shpërblej atë. Agjërimi është mburojë e kur ndonjëri prej jush të jetë me agjërim, të mos flasë me fjalë të ndyra, të mos bërtasë më kot dhe të mos veprojë punë të injorancës, e nëse dikush e fyen ose e ngacmon (lufton) le ti thotë dy herë: “Unë jam agjërueshëm.”

Thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, era e gojës së agjëruesit është më e mirë te Allahu se era e miskut. Për agjëruesit do të ketë dy gëzime, kur të çelë iftarin dhe kur të takohet me Zotin e tij.” Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra.

Dijetarët islamë duke komentuar këtë hadith kanë thënë: Njëri gëzim është në këtë botë kur besimtari e çel iftarin dhe gëzohet me këtë pasi Allahu ia mundësoi t’i japë fund urisë dhe etjes me dhuntitë, që i ka dhuruar si dhe adhurimi i tij nga agimi deri në perëndim të diellit u krye me sukses. Ndërsa gëzimi tjetër për agjëruesin do të jetë në botën tjetër, pas vdekjes, kur Allahu ka përgatitur për agjëruesit shpërblime të mëdha, madje në atë botë agjëruesit do të meritojnë të futen në xhenet nga një portë e veçantë. Për këtë thotë Profeti salallahu alejhi ue selem: “Vërtet xheneti do të ketë një portë e cila quhet Rejjan. Ditën e Gjykimit do të thirret: “Ku janë agjëruesit (për tu futur nga kjo portë)? E pasi të futet i fundit prej tyre, kjo portë do të mbyllet.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.

Shikimi i hënës

Agjërimi i Ramazanit bëhet detyrë për të agjëruar kur shikohet fillimi i hënës dhe vazhdon deri kur të shikohet fillimi i hënës së muajit Sheual. Për këtë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Mos agjëroni derisa të vëreni hënën (e Ramazanit) dhe mos e ndërpritni agjërimin derisa të vëreni hënën (e Sheualit). Nëse pengoheni nga shikimi i saj (për shkak të reve ose mjegullës) përcaktojeni (përllogariteni) atë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Umeri.

Në një transmetim tjetër të Imam Ebu Davudit dhe Nesa’iut Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: “Kur të pengoheni nga shikimi i saj, llogariteni muajin Sha’ban 30 ditë, vetëm po qe se mund ta shihni hënën më parë, pastaj vazhdojeni agjërimin 30 ditë, vetëm nëse mund ta shihni hënën (e Sheualit një ditë) më parë.”

“Muaji (hënor) mund të jetë 29 ose 30 ditë. Kur ta shikoni hënën agjëron,i po ashtu kur ta shikoni sërish atë, ndërpriteni agjërimin.”Transmeton Nesa’iu nga Ibn Umeri.

Duke u bazuar në këto hadithe profetike, shumica e dijetarëve janë të mendimit se kur banorët e një vendi e shikojnë hënën, bëhet obligim agjërimi edhe për vendet e tjera të cilat se kanë parë, pasi Profeti salallahu alejhi ue selem u është drejtuar me hadithet e mësipërme të gjithë muslimanëve, kudo qofshin ata dhe jo çdo vendi në veçanti pasi fillimi i muajit Ramazan është një për të gjithë.

Me të njëjtat argumente që u përmendën më sipër kuptojmë, se nëse jemi në dyshim për ditën e parë të agjërimit (të Ramazanit) nuk duhet të nxitohemi e të agjërojmë, sepse ajo është një ditë e dyshimtë dhe agjërimi në këtë ditë është i ndaluar pasi Profeti salallahu alejhi ue selem thotë:
“Kush agjëron ditën e dyshimtë ka kundërshtuar Ebu Kasimin (Profetin Muhammed a.s.).” Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Ammar ibn Jasir r.a.

Sipas shumicës së dijetarëve ai që agjëron këtë ditë dhe më vonë vëren se ajo ditë ishte nga Ramazani, duhet që atë ditë ta agjërojë kaza.

Nijeti (qëllimi) i agjërimit 

Nijeti është detyrë themelore si për agjërimin ashtu edhe për adhurimet e tjera, sepse nëpërmjet nijetit dallohet se për cilin është adhurimi, për Allahun apo për dikë tjetër. Po ashtu nëpërmjet nijetit dallohet adhurimi farz nga ai nafile. Nijeti bëhet para agimit (imsakut) sepse Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: “Kush nuk vendos (bën nijet) për agjërim para agimit, atij nuk i vlen agjërimi.” Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Për kë është obligim agjërimi

Sipas argumenteve të ardhura, dijetarët islamë kanë rënë dakord që të gjithë se agjërimi është obligim për çdo mysliman, i cili ka arritur moshën e pjekurisë (pubertetin), i cili është i shëndoshë fizikisht dhe mendërisht dhe është vendas (jo udhëtar). Ndërsa personat që nuk e kanë obligim agjërimin janë:

i. Fëmija: Çdo fëmijë i cili nuk ka mbushur akoma moshën e pjekurisë, nuk e ka obligim agjërimin. Nëse babai ose kujdestari i tij shikon se ai mundet të agjërojë e urdhëron për këtë, në mënyrë që të forcohet e mësohet me këtë adhurim.

ii. Personi me të meta mendore: Duke qenë se njeriu me të meta mendore nuk mund të arsyetojë shëndoshë si të tjerët, është i përjashtuar nga agjërimi dhe të gjitha detyrimet e tjera fetare.

iii. Plaku dhe plaka në moshë të thyer: Kjo kategori njerëzish nuk e ka detyrë agjërimin dhe duke qenë se kjo gjendje e tyre është e vazhdueshme, duhet që për çdo ditë agjërim të ushqejë një të varfër.

iv. I sëmuri: Nëse i sëmuri ka sëmundje, e cila ia vështirëson agjërimin, atij i lejohet të mos agjërojë. Nëse sëmundja është e përkohshme, le ti zëvendësojë ditët e agjërimit më vonë. Nëse sëmundja është e përhershme, atëherë duhet të ushqejë për çdo ditë agjërim, një të varfër.

v. Gruaja me menstruacione: Nëse gruaja është me menstruacione, qofshin këto të përmuajshmet ose të lehonisë, ajo duhet patjetër të lërë agjërimin dhe ta zëvendësojë më vonë pasi të pastrohet.

vi. Gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja: Të gjithë dijetarët e mëdhenj islamë si dhe medhhebet janë të një mendimi se gratë shtatzëna ose ato që janë duke i dhënë gji fëmijës, u lejohet ta ndërpresin agjërimin dhe ta zëvendësojnë më vonë, nëse kanë frikë se mos dëmtohen ato vetë ose fëmijët e tyre. Dijetarët kanë rënë në kontradiktë mes tyre se a duhet që këto vetëm të zëvendësojnë ditët e lëna kaza apo duhet që përveç zëvendësimit të japin dhe ushqim për çdo ditë agjërimi të lënë? Imam Ebu Hanife thotë se atyre u mjafton vetëm zëvendësimi i ditëve të lëna. Kurse Imam Shafiu dhe Imam Ahmedi thonë se ato duhet t’u japin ushqim të vobektëve për çdo ditë, që lenë pa agjëruar si dhe duhet që më vonë të zëvendësojnë këto ditë me agjërim kaza.

Një shkrim tjetër i dobishëm  A shihet nata e Kadrit me sy?

vii. Udhëtari: Muslimani i cili është në udhëtim ia ka lehtësuar Allahu i Lartësuar çështjen e tij dhe nuk ia ka bërë obligim agjërimin për aq sa është udhëtar, mirëpo ky duhet që t’i zëvendësojë të gjitha ato ditë të plota më vonë. Dijetarët kanë rënë në kontradiktë mes tyre, nëse është më mirë që udhëtari të agjërojë apo ta zëvendësojë agjërimin më vonë! Një pjesë dijetarësh thonë se agjërimi është më i mirë dhe pse nuk është i detyrueshëm, duke u bazuar në ajetin kuranor: “Allahu do për ju lehtësimin dhe nuk donë vështirësimin.” (El-Bekare, 185) Ndërsa një pjesë tjetër dijetarësh duke u bazuar në disa hadithe profetike si dhe duke ndjekur një rrugë të mesme, janë të mendimit se nëse udhëtari është në gjendje të mirë fizike, është mirë të agjërojë, ndërsa udhëtari i cili nuk është aq i fuqishëm dhe i gatshëm për këtë, le ta zëvendësojë më vonë. Të këtij mendimi janë Imam Ebu Hanife, Shafiu dhe Imam Maliku.

Gjërat që e prishin agjërimin

i. Ngrënia ose pirja me qëllim: Nëse agjëruesi ha ose pi me harresë nuk e prish agjërimin, pasi Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: “Kush ha ose pi me harresë në agjërim, le ta vazhdojë agjërimin se me të vërtetë atë e ka gostitur Allahu (me ushqim e pije).” Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre r.a. Imam Hattabi në shpjegim të këtij hadithi thotë: “Nuk kam parë ndonjë dijetar të kundërshtojë kuptimin e këtij hadithi.”

ii. Të vjellurit me qëllim: Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: “Ai që vjell (pa dashje) nuk e ka të detyrueshëm agjërimin kaza, ndërsa ai që vjell me dashje duhet të agjërojë (atë ditë) kaza.” Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Ebu Hurejra r.a.

iii. Menstruacionet: Dijetarët që të gjithë kanë rënë dakord se menstruacionet e përmuajshme ose ato të lehonisë e prishin agjërimin edhe sikur rrjedhja e gjakut të fillojë pak para iftarit.

iv. Masturbimi: Shumica e dijetarëve janë të mendimit se masturbimi e prish agjërimin sepse konsiderohet prej epshit të ndaluar. Ndërsa ai person i cili bëhet xhunub vetëm nga shikimi nuk e prish agjërimin. Po ashtu shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai që e prish një ditë Ramazan nëpërmjet masturbimit duhet të agjërojë kaza vetëm atë ditë, kurse Imam Maliku thotë, se ai duhet të agjërojë dy muaj rresht njësoj sikur ka bërë marrëdhënie seksuale.

v. Marrëdhëniet bashkëshortore (seksuale): Marrëdhëniet seksuale në Ramazan jo vetëm që e prishin agjërimin e asaj dite, por konsiderohen një nga mëkatet e mëdha e cila nuk shlyhet vetëm se duke liruar një rob. Në pamundësi të kësaj duhet të agjërojë 60 ditë resht e nëse edhe këtë se bën dot duhet të ushqejë 60 të vobektë në një ditë sikurse ka ardhur në një hadith, që e transmeton Buhariu dhe Muslimi. Përveç kësaj ai duhet ta zëvendësojë atë ditë të Ramazanit veçmas. Sipas shumicës së dijetarëve kjo shlyerje e këtij mëkati vlen për mashkullin dhe për femrën bashkë, pasi të dy e kanë bërë këtë akt me dëshirë. Imam Shafiu përkundrazi thotë se kjo shlyerje e mëkatit është detyrë vetëm për burrin. Po ashtu shumica e dijetarëve janë të mendimit se shlyerja e këtij mëkati duhet bërë sipas renditjes së mësipërme, pra ashtu siç ka ardhur në hadith, kurse Imam Maliku thotë se ai mund të bëjë një nga tre gjërat e sipërpërmendura, pa marrë parasysh renditjen.

vi. Futja e ujit në bark gjatë abdestit pa dashje: Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai që merr abdest dhe e kalon ujin e tij në bark jo nga harresa, por nga pakujdesia e momentit, ai e ka prishur atë ditë dhe duhet ta zëvendësojë më vonë, duke u bazuar tek hadithi i Profetit salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Kur të shpëlash hundët (në abdes) çoje ujin sa më lart, përveç kur je me agjërim.” Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Imam Maliku dhe Ebu Hanife janë të mendimit se kjo e prish agjërimin, përndryshe Profeti salallahu alejhi ue selem nuk do ta ndalonte çuarjen e ujit sa më lart kur je me agjërim.

vii. Pirja e duhanit: Duke qenë se duhani nuk është ushqim i mirëfilltë dhe duke qenë se duhani nuk ka ekzistuar në kohën e Profetit salallahu alejhi ue selem dhe për rrjedhojë nuk ka argument të drejtpërdrejtë për ndalimin e tij në agjërim, shumëkush mund të mendojë se pirja e duhanit nuk e prish agjërimin, mirëpo para shumë vitesh dijetarët e fikhut të mbledhur nga e gjithë bota në një simpozium shkencor në Xheda të Arabisë Saudite kanë rënë dakord se dhe pirja e duhanit futet tek ato gjëra të cilat e prishin agjërimin dhe argumentimet që kanë sjellë për këto janë të shumëllojshme.

Gjërat e pëlqyeshme në agjërim

Për agjëruesin, disa gjëra janë të pëlqyeshme fetarisht nga tradita profetike dhe ato nuk duhen lënë pas dore e ato janë:
Të ngriturit për ngrënien e syfyrit (suhurit) qoftë edhe për disa gllënjka ujë. Përshpejtimi i iftarit dhe vonimi i syfyrit. Çelja e iftarit me hurmë, e nëse nuk gjen hurmë le ta çelë atë me ujë. Lutja e agjëruesit gjatë çeljes së iftarit. Përdorimi i misvakut për pastrimin e dhëmbëve. Këndimi i Kuranit, dhënia e lëmoshës dhe punët e tjera të mira në përgjithësi.

Dobitë e agjërimit

Agjërimi është një adhurim shumë i pasur me dobi shpirtërore dhe mjekësore. Nga dobitë shpirtërore do të përmendim:
Agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut. E bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja dhe kjo gjë e forcon atë më shumë për sprovat e jetës. Po ashtu kjo gjë e bën besimtarin të mendojë më shumë (praktikisht) për njerëzit e varfër, të cilët në shumë raste kanë uri dhe etje. Agjërimi e largon njeriun nga mëkatet dhe në të njëjtën kohë e nxit besimtarin të punojë brenda këtij adhurime e të veprojë punë të mira. Ai e nxit besimtarin të ndjehet më afër me besimtarët e tjerë. Agjërimi i pastron besimtarin nga veset e liga.

Dobitë shëndetësore:

Agjërimi i Ramazanit nuk kryhet sepse ka dobi shëndetësore, por sepse ai është një adhurim dhe obligim ndaj Allahut, i Cili i ka obliguar besimtarët me adhurime të dobishme në këtë botë. Në Kongresin e parë ndërkombëtar me temë “Shëndeti dhe Ramazani”, të mbajtur në Kazablanka më 1994, u paraqitën rreth 50 kërkime shkencore nga studiues muslimanë dhe jomuslimanë duke arritur në konkluzionin se agjërimi përmirëson dukshëm shumë raste sëmundjesh. Efektet fiziologjike të agjërimit përfshijnë normalizimin e nivelit të sheqerit, uljen e kolesterolit dhe uljen e tensionit sistonik të gjakut. Agjërimi forcon dhe rregullon stomakun dhe sistemin e tretjes si dhe i sjell njeriut shumë dobi të tjera të cilat s’mund të përmenden të gjitha këtu. E lusim Allahun e Madhëruar të na i falë mëkatet dhe të na lehtësojë e pranojë agjërimin tonë! Amin!

Përgatiti: Mustafa Tërniqi

Categories

Archives