Saturday, 27/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Abuzime me të sëmurët mendorë në Shtime


Abuzime me të sëmurët mendorë në Shtime


spitali

(E plotësuar) Era e keqe të zë frymën, çarçafë të fëlliqur, të sëmurët duke bredhur nëpër oborr ku edhe kryejnë nevojat fiziologjike, disa që flenë në dysheme të zhveshura e të betonit… është gjendja e të sëmurëve mendorë në Shtime.

Trajtimin çnjerëzor të tyre e sjell me detaje hulumtimi i Instituti për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Rinisë (ISDY) për herë të parë përmes gazetës “Zëri”.

“S’po muj me ndejtë në shtëpi po du me shku, e du Prishtinën po ma shumë e dua familjen time”, flet një banore gjatë monitorimit të gjendjes së tyre në Shtime.

Të jetuarit në Shtime është formë e tmerrshme e ndalimit për një person, i cili duhet të vuajë nëpër këto eksperienca për vite të tëra.

Prapa dyerve të mbyllura në Shtime

“Në mungesë të respektit për dinjitet njerëzor, rreziku për shkak të kushteve johigjienike, kujdesit mjekësor të papërshtatshëm, dhe mungesës së mbrojtjes nga abuzimi fizik dhe seksual e bëjnë ndalimin në Shtime për çdokënd një formë të trajtimit “çnjerëzor dhe degradues” duke shkelur Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) të Kombeve të Bashkuara”, shkruan në raportin “Prapa dyerve të mbyllura në Shtime”, i bërë në dy institucionet e shëndetit mendor në Shtime.

E alarmuar, kjo organizatë shkruan në raport se “Shtimja është aq e rrezikshme dhe shkatërruese për shëndetin mendor dhe fizik të banorëve të saj, sa që OKB-ja dhe Komisioni Evropian duhet të planifikojë mbylljen e tyre në datën më të shpejtë të mundshme – sapo të mund të krijohen alternativat në komunitet”.

Gjendja alarmante me të sëmurët

Ata tregojnë me fakte se si njerëzit, shumica prej të cilëve s’kanë as dokument identifikimi, i kalojnë ditët e tyre pa aktivitete, pa kurrfarë intimiteti, duke jetuar në papastërti.

“Ka deri në pesë shtretër në një dhomë. Dhomat janë të shkreta, përveç shtretërve dhe dollapëve, të cilat iu mungojnë shumicës të banorëve, pacientët ankohen që ata ende nuk mund t’i mbajnë pronësitë personale të sigurta pa i vjedhur ndokush. Nuk ka salla apo qasje në material për lexim, libra, apo gazeta ditore, në pjesën më të madhe të hapësirave për banim. Nuk ka orë për t’i orientuar njerëzit për kohë të ditës. Shumë njerëz kalojnë ditët e tyre ulur në banka, duke bredhur në oborr, apo duke fjetur në dyshemetë e zhveshura të betonit”, shkruan në raport.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Të pagjeturit, plaga që rënkon ende në Gjakovë (VIDEO)

Isuf Halimi, drejtor ekzekutiv për Evropën Juglindore në këtë organizatë, ka bërë të ditur se raporti do të publikohet të martën (sot), i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, Komisionit Evropian, OKB-së dhe OSBE-së, si dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Jashtë objektit, monitoruesit gjetën jashtëqitje në tokë. Po ashtu monitoruesit vërejtën një numër të çarçafëve të fëlliqur. Disa herë gjatë vizitës, duke ecur në objekt, edhe stafi e mbulon fytyrën për të mos e ndier erën e papastërtisë në objekt”.

Me vite nuk i lajnë dhëmbët

Në institucionet e Shtimes banoret tregojnë se me vite nuk i kanë larë dhëmbët. Si rezultat, shumicës së njerëzve u mungojnë dhëmbët. Këta individë janë të detyruar të hanë përshesh nga buka e njomur në supë.

Në institucionin e QIRSKP, forma e vetme e trajtimit për shumicën e njerëzve me sëmundje mendore janë barnat psikotrope – të cilat administrohen në mungesë të rrezikshme të kontrollit nga profesionistët psikiatrikë. Këto barna psikotrope janë të fuqishme si ndalues kimikë – shkelje e etikës mjekësore dhe e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

ISDY i bën thirrje Qeverisë të Kosovës që menjëherë të vendosë mekanizmat për të hetuar deklaratat për abuzimet në institucione dhe programet e bazuara në komunitet, të cilat i shërbejnë njerëzve me aftësi të kufizuara mendore.

“Këto mekanizma duhet të kenë të njohur se individët të cilët raportojnë për abuzimet nga personeli apo pacientët tjerë, mund të jenë në rrezik nga hakmarrja e po këtyre individëve. Autoritetet e të Drejtës Penale duhet të hetojnë deklaratat e besueshme për abuzimet e identifikuara nga ky trup mbikëqyrës apo nga burimet tjera”, shkruan në raport.

Besiana Xharra

Categories

Archives