Monday, 24/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Abdesi dhe mjekësia



Abdesi dhe mjekësia

abdesi

O ju që keni besuar. Nëse ngriheni për të falur namazin, lani fytyrën dhe duart deri në bërryle dhe fshini kokën (jepi mes’h) dhe lani këmbët deri në nyje.”
(Kur’an, 5:6)

Kemi lindur muslimanë dhe kjo është një prej të mirave që Allahu na ka dhënë, por me keqardhje e them, sepse e morëm këtë besim si një trashëgimi të sertë e të ngurtë. Dhe sa herë që ai trashëgohet nga brezi në brez, pakësohet apo lehtësohet derisa ka ardhur në gjendjen që është sot. Me përjashtim të atyre që i udhëzon Allahu, që janë të devotshëm e nuk janë në dyshim apo lëkundje…, ata e ruajnë të pastër dhe pa e devijuar. A nuk thuhet në Kur’an:

Dëshiroje atë që të ka dhënë Allahu nga Jeta Tjetër, por mos harro të marrësh atë që të takon nga kjo botë dhe vepro më të mirën ashtu siç ka vepruar Zoti me ty…”? (Kur’an, 28:77)





Shumë dijetarë muslimanë nga e gjithë bota janë përpjekur të nxjerrin dobitë dhe të mirat prej obligimeve që na ka caktuar Zoti, (ajo që është e detyruar të kryhet) dhe ndikimin që kanë ato si nga ana shpirtërore ashtu edhe trupore.
Një prej këtyre obligimeve është edhe abdesi, larja e një pjesë të trupit, pra pastërtia. Profeti (a.s) në një thënie të tij thotë: “Pastërtia është gjysma e besimit…” që d.m.th. gjysma e besimit të plotë të përbërë nga deklarimi me gojë, pranimi me zemër dhe nga veprat e gjymtyrëve, e qëllimi në këtë rast ka kuptimin material dhe shpirtëror që përfshin gjysmën e parë të besimit, e në një tjetër thënie thuhet: “Plotësimi i abdesit është gjysma e besimit”.

Kjo pastërti e detyrueshme (abdesi) është trupore dhe moralo-shpirtërore, ku morale d.m.th. ta pastrosh zemrën nga sëmundja e zilisë, ligësisë, mendjemadhësisë, hipokrizisë, smirës, etj… E ndërsa trupore; ky obligim fillon me larjen e fytyrës, e cila është “fasada”, pamja e parë e njeriut apo pasqyra që tregon për një trup të shëndoshë fizikisht dhe shpirtërisht dhe është pjesa që preket më shpejt nga infeksionet – pra, larjen me ujë të pastër në mënyrë që të heqë papastërtinë që është në të e pastaj në gjymtyrët e tjera…

Por, është tradita profetike që vjen për të na i sqaruar dhe plotësuar kushtet e abdesit duke filluar me larjen e duarve deri në kyçe, larjen e gojës, të hundës, duke i përsëritur nga tre herë, e më pas duke larë fytyrën, duart deri në bërryle, kokën, veshët,  e në fund larjen e këmbëve… duke lënë mënjanë neglizhencën dhe talljen. Por Profeti (a.s) ka vazhduar edhe më tej, duke na treguar mbi vlerat e tij (abdesit) teksa thotë: “Kush e plotëson abdesin i falen mëkatet e mëparshme dhe të mëvonshme”, apo “Kur muslimani merr abdes, i dalin mëkatet e të dëgjuarit, të të parit, mëkatet e trupit e të gjymtyrëve dhe nëse ulet, ulet i falur nga çdo mëkat”.