Sunday, 19/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

A vdes e shkuara?!

A vdes e shkuara?!

Pasi u martua me të, iu duk se tashmë ka në dorë shpirtin, zemrën dhe trupin e saj. E ç’punë do të prishte shuarja e kuriozitetit dhe zhbirimi në disa detaje i të shkuarës së saj! Imagjinata është goxha pjellore. Ndoshta, përvoja e tij personale, e bën të mendojë se duhet të ekzistojnë disa sekrete të fshehura. Por, ka sekrete që nuk janë aspak të gëzueshme.

Tashmë ti e ke në dorë, mund ta provosh sinqeritetin e saj dhe gatishmërinë për të sakrifikuar për ty. Përse u dashka të jetosh në oborret e errët të së shkuarës dhe kthesat e saj? Përse u dashka që këtë dashuri dhe dëlirësi, ta shndërrosh në seanca marrjesh në pyetje, gjyqe dhe dyshime?

Ti ke nevojë të transferohesh nga e shkuara në të ardhmen. Pasi të vendosesh në shtëpinë tënde të re, çfarë do të marrësh nga e vjetra? Ta them unë, do të marrësh vetëm gjërat më të bukura, një ornament të çmuar dhe tek tuk diçka tjetër të bukur dhe të lehtë. Sakaq, mobiliet e vjetërsuara, s’kanë përse ta shëmtojnë panoramën e bukur të shtëpisë tënde të re.

Ji optimist dhe hapi mushkëritë e tua të depërtojë ajri i pastër!

Gëzoju të tashmes, estetikes dhe begative të cilat të rrethojnë, por që nuk mund ti dallosh veçse pasi të kesh shqelmuar perden e dhimbjeve dhe lëndimeve të së shkuarës. Nuk do i shohësh vetëm pasi ta kesh larguar nga sytë imazhin e të shkuarës i cili të përndjek, vetëm pasi të mbushesh me optimizëm, shpresë dhe kënaqësi.

Por, a mund të harrohet e shkuara?!

Duket e vështirë, por nuk ka përse të vazhdojmë të jetojmë tek e shkuara me të gjitha ndjenjat tona. Nuk ka përse ti dorëzohemi kamxhikut të historisë, i cili na pengon të shohim të tashmen.

Në të shkuarën, gjejmë lavdinë të cilën e reklamojmë lart e poshtë. Të qash mbi rrënojat e të shkuarës, është një pasion i përjetësuar nga historia dhe predikimet e zjarrta, i shndërruar në një fenomen i cili na ndihmon të arratisemi nga disfatat. Heronjtë dhe kolosët për të cilët flasim, e fituan këtë emër dhe lavdi, sepse e jetuan kohën e tyre, ndërtuan të ardhmen dhe nuk panë të shkuarën si pengesë.

E shkuara mbart dhimbje, lëndime dhe disfata. Ajo mbart humbjen e një njeriu të dashur, të cilin se harrojmë dot, mbart tradhtinë e bashkëshortit/tes, dështim të një projekti, ftohtësinë e një të afërmi, kthimin e shpinës së një të dashuri, ndarje, humbje…

Rezisto i/e vendosur..

E shkuara nuk vdes. E si mund të vdesë ndërkohë që e kemi jetuar me të gjitha gjymtyrët dhe ndjesitë tona?! Ajo qëndron e magazinuar në vetëdijen dhe pavetëdijen tonë. E rëndësishme është që ta programojmë mirë mënyrën si do e trajtojmë.

Përkujtimi i Zotit dhe madhërimi i Tij, është një burim i pashtershëm energjish dhe frymëzimi.

Besimi tek caktimi i Zotit, e mbush zemrën me pranim dhe kënaqësi. “çdo e keqe që të ndodh, është me lejen e Zotit” (Tegabun, 11)

“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe juve, e të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh)më parë se ta krijojmë atë.” (Hadid, 22)

Shohim që caktimi i Zotit, vullneti i Tij dhe Libri, përmenden në kontekstin e fatkeqësisë dhe kjo, me qëllim që ta mbushë zemrën e robit me besim, qetësi dhe pranim të aktualitetit. Njëkohësisht, për tu harmonizuar me aktualitetin, për ta pranuar atë ashtu siç është, për të bërë përpjekje për ta ndryshuar dhe përmirësuar, pa u dorëzuar.

Miqtë janë ngushëllues të mirë në të keqe. Ajo është koha e tyre. Me ta, përjeton momentet më të gëzuara dhe të hareshme.

Mos e privo veten nga buzëqeshja, as gjuhën nga bisedat e këndshme. Bëhu pjesëmarrës në gjëra të dobishme. Kështu, ti i stimulon energjitë vetjake dhe aktivizon humorin. Nëna e besimtarëve, Umu Habibe, bashkëshortja e profetit Muhamed a.s, kur i vdiq i ati, Ebu Sufjani, mbajti zi për tre ditë. Pas tre ditësh, u parfumos vetë dhe parfumosi dhe shërbëtoren e saj, të cilës pasi i rrahu shpatullat i tha:”Pasha Zotin nuk ndjej nevojë për parfum, por e kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Nuk i lejohet një gruaje që beson Zotin dhe botën tjetër, që të mbajë zi më shumë se tre ditë për një të afërm, veç nëse bëhet fjalë për të shoqin, për të cilin mban zi katër muaj e dhjetë ditë.” (Buhari dhe Muslim)

Vazhdoje programin tënd të zakonshëm, punë, lexim, sport, kuvendim etj… Angazhoji të gjitha fuqitë dhe energjitë për tu zhytur në jetë në mënyrë të ekuilibruar.

Mos i ndrydh emocionet, s’prish punë as ti qash hallet me dikë, sigurisht, me masë.

Fol pozitivisht dhe mos e lejo fjalën e ligë të kalojë nga gjuha dhe buzët e tua. Veshët do e dëgjojnë dhe mendja do e memorizojë. Pavetëdija nuk është një risi e shpikur nga psikologët, por një realitet të cilin e kupton kur diçka herë e kujton dhe herë e harron. Vallë ku ndodhej gjatë kohës që e harrove? Edhe sikur ta groposë një herë e mirë harresa, ajo do të vazhdojë të ushtrojë ndikimin e saj në një mënyrë apo në një tjetër.

E shkuara, fsheh gjynahe, gabime, shkarje dhe ligësi. Ndoshta, ti do i quaje edhe “krime”, sidomos nëse shoqërohen me ndjenjën e fajit. Duke kërkuar falje (istigfar) dhe duke u penduar vazhdimisht, do të gjesh rahmetin e Zotit në çdo anë, përkujdesin e Tij që të ruan dhe faljen e cila të qetëson zemrën.

Mos qëndro gjatë tek gabimet e tua, jo më shumë sesa koha që të duhet për ti përdorur si motiv për një të ardhme më të ndritur.

Ne bëhemi pishman sidomos kur kujtojmë të këqijat që u kemi bërë të tjerëve.

“për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.”(Huxhurat, 6)

Ata që bëhen pishman dhe pendohen më së shumti, janë ata persona që kanë ndërgjegje të pastër, prandaj dhe Kurani u drejtohet me fjalët:”O ju që keni besuar…”

Kërkoji ndjesë atij që i ke hyrë në hak sa më shpejt, me guxim dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kërkoji falje dhe jepi fjalën vetes se nuk do i kthehesh sërish të njëjtës sjellje. Ata që e kanë pësuar prej teje, bëji pjesë të lutjeve, vlerësimit, ndihmës dhe respektit tënd.

Kërkoji Zotit falje me dhjetëra, qindra dhe mijëra herë, pa u ndjerë i mërzitur dhe bezdisur! Merr vendim që gabimi të bëhet shkak për një të mirë më të madhe!

Keqardhja dhe frika e moderuar janë të kërkuara. Një burrë i mençur u zu ngushtë nga një borxh që kishte marrë, ngaqë nuk po e shlyente dot. Një ditë, tha:”E di përse më ndodhi kjo. I kam thënë dikujt para dyzet vitesh:”I falimentuar!”

Moskokëçarja është një e zezë më vete, ashtu siç është fajësimi i vetes kur kthehet në depresion dhe mos angazhim me atë që duhet bërë.

Bëj detyrën tënde karshi familjes, jepu kohë të mjaftueshme, ndjenja të pastra dhe investo për tu bërë babai dhe bashkëshorti ideal!

Alfred Nobel ka shpikur dinamitin (korrësin e jetëve), me të cilin fitoi pasuri të pallogaritshme. Çmimi Nobel rrjedh pikërisht prej tij, me të cilin, deshi të korrigjojë një pjesë të gabimit që bëri, edhe pse dinamiti përdoret edhe për qëllime paqësore.

Autori i librit “Të mjerët” e ndryshoi emrin e vet dhe shbëri gjithçka që e lidhte me të shkuarën e tij të mjerë. Megjithatë, e shkuara vazhdoi ta ndjekë, derisa u pendua për gjithçka.

Ndryshoje veten nga brenda dhe zhvishe këmishën e të shkuarës!

E shkuara përmban traumë, agresivitet, ngacmim, ndoshta dhe përdhunim, gjë e cila shkakton shpërfillje të vetes, represion të emocioneve, ndjesi se të gjithë njerëzit e dinë dhe ta bëjnë me gisht.

Ka edhe momente kalimtare të cilat duhen harruar, ose të shtiremi sikur i kemi harruar. Madje, do të thosha që edhe të dyshojmë nëse kanë ndodhur realisht apo jo. Mund të ketë qenë thjesht një iluzion dhe një hamendësim, mund dhe të mos ketë qenë ngacmim, në kuptimin e fjalës.

Është detyrë e familjarëve, që të vegjlit, të mos i bëjnë të përjetojnë ndjesinë e fajit dhe qëndrimit kritik dhe negativ ndaj vetes së tyre. Ashtu siç nuk duhet ti paralajmërojnë në mënyrë ekstreme, gjë e cila u shkakton çrregullime dhe humbje të besimit.

Kije parasysh se nuk është e rëndësishme ajo që ndodhi, e rëndësishme është reagimi yt ndaj asaj që ndodhi dhe aftësia jote për ta kapërcyer atë. Supozoje sikur nuk ka ndodhur fare!

Mos harro se ti ishe viktima dhe jo autori! Ti ishe në një stad moshor që duhej ta kaloje si gjithë të tjerët. Bija ime! Sill ndërmend dhe atë vajzën amerikane, e cila pasi u përdhunua, shkroi një libër me titull:”Po, unë jam një vajzë e përdhunuar”, libër i cili u mirëprit shumë nga lexuesi.

S’ke përse e tregon lart e poshtë historinë tënde të dhimbshme dhe mbushu me energji pozitive nga brenda!

Laji duart dhe trupin tënd, pastrohu, pasi kjo të ndihmon të pastrohesh nga ndjenjat e fajit!

Përdor imagjinatën për të riprogramuar veten, imagjinata është më e rëndësishme se informacioni!

Hidhe mënjanë imazhin e krijuar rreth vetes dhe mëso si të triumfosh ndaj tij.

Kur të bisedosh, thuaj gjëra pozitive, pasi, njeriu është dhe bëhet, sipas asaj që flet!

Dhimbja e së shkuarës bëhet e tashme, aktualizohet, madje fillon e shtrihet edhe në të ardhmen. Duke e shndërruar në një ves, krijon vartësi ndaj saj.

Mos thuaj asnjëherë se nuk ia vlen, edhe sikur të dështosh për të njëmijtën herë. Mos lejo që qarku i gabimit dhe i gjynahut të zgjerohet! Rrethoje nga të katër anët me vepra të mira, turru drejt çdo akti të mirë, pasi Zoti i do ata që bëjnë vepra të mira!

 

Përktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives