Saturday, 16/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

A po shndërrohet Kosova në shtet vjedhësish?

A po shndërrohet Kosova në shtet vjedhësish?

Shefqet Krasniqi

Disa ditë më parë, pas syfyrit, u nisa për në xhami për ta falur namazin dhe për të mbajtur një ligjëratë. Sapo dolëm nga xhamia një mik i imi me tha: “Duke ardhur në xhami i pashë hajdutët që kishin thyer postën e po plaçkitnin brenda, kur e panë se po i shikoja e ulën kokën për të mos i vërejtur.” I thashë: Po a nuk lajmërove policinë? Po – tha, i thirra, si jo.

Dhe ende pa përfunduar bisedën arritëm tek lokali i thyer ku tashmë veç kishte arritur policia. Pasi që u dhamë selam iu drejtova njërit prej tyre e i thashë: Ky është miku im, ai u ka telefonuar në lidhje me këtë rast. Polici tha: Faleminderit or djalë, të lumtë. Populli e ruan shtetin. Unë ia prita: Po, ashtu është populli e ruan, por edhe policia duhet ta ruajë atë. Vjedhësit duhet ndëshkuar rëndë. Polici ma ktheu: Po, ashtu është por çka t’i bësh që nuk po kemi të drejtë, nuk kemi kompetenca. Madje jo rrallë ndodh që ne i kapim hajdutët, i dërgojmë në stacion dhe ende pa kaluar mirë pragun e stacionit, ata lirohen dhe na takojnë në qytet e na përqeshin.

Po t’i thuash dikujt se kjo është e vërtetë mbase nuk do të besonte, madje edhe vet e kisha të vështirë ta besoja në fillim derisa e dëgjova radhazi nga policë të shumtë. Disa madje rrëfejnë se sa të vështirë e kanë derisa t’i kapin disa hajdutë, madje jo rrallë herë edhe duke venë jetën e tyre në rrezik, e më pas, pas një dite apo më pak, hajdutët lirohen thuajse s’kanë bërë asnjë të keqe.

Gjatë kësaj jave u publikua edhe një statistikë se vjedhjet në Kosovë këtë vit kanë pësuar rritje në krahasim me vitin e kaluar dhe se çdo vit vjedhjet shënojnë rritje. Vjedhje të makinave, thyerje të banesave e shtëpive private, sulme ndaj qytetarëve e deri tek vrasja e banorëve të shtëpive, siç ishte rasti në Gjilan para një kohe ku njeriu doli për ta mbrojtur shtëpinë e të vëllait nga hajdutët, mirëpo i kushtoi me jetë. Vjedhje në Kosovë, vjedhje e plaçkitje në Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku ka shqiptarë. Në diasporë burgjet janë të mbushura me hajdutë shqiptarë, saqë të vije keq të deklarohesh se je shqiptar, sepse është krijuar një bindje se këta njerëz janë të mirë vetëm për një gjë, për vjedhje. Mjerë për ne se në çfarë gjendje kemi ardhur.

Ku qëndron problemi?

Mendoj se kjo duhet shikuar nga dy aspekte:

Së pari: Mosedukimi i mirëfilltë, mungesa e edukimit shpirtëror, mungesa e kalitjes se zemrës dhe shpirtit ashtu siç parasheh planprogrami fetar. Ngase asgjë nuk ndikon më pozitivisht në vetëdijesimin dhe ngritjen e njeriut, përmirësimin e sjelljeve dhe karakterit të tij sesa bindja fetare, respektivisht praktikimi i besimit.

Është fakt i pamohueshëm se një shoqëri sa më shumë të jetë e lidhur me fe, në veçanti atë islame, aq më pak ka dukuri negative, aq më pak hajni do të ketë në atë shoqëri. Sa për ilustrim le ta marrim Arabinë Saudite ku vjedhjet janë në nivelin më të ultë në botë. Atje nuk bisedohet për vjedhje, nuk bisedohet si t’i sigurojnë makinat, banesat, dyqanet apo depot nga vjedhësit. Atje veturat pothuajse nuk i mbyllin fare, madje edhe dyqanet përplot mall shumë herë i lënë hapur. Ngjashëm me këtë kam parë edhe në Siri, Jordan, Kuvajt, Katar etj., edhe ne shqiptarët sa kemi pasur kulturë e traditë fetare shumë pak kemi vjedhur, për të mos thënë hiq fare.

Se dyti: Ligji i butë, mosaplikimi i dënimeve për vjedhësit. Imagjinojeni hajni kapet me mall shumë të çmuar në dorë, dhe pas disa ore lirohet. Ndërsa procedurat vazhdojnë. Kjo i bie tallje me ligjin, respektivisht inkurajim për vjedhje.

Mendoj se njeriun që nuk e edukon fjala, sjellja e mirë dhe vetëdijesimi, atë e edukon dajaku. Po të nderuar, duhet përdorur forcën ashtu siç bëjnë shtetet më të moderuara në botë kur është në pyetje mbrojtja e pronës, qoftë shoqërore apo private. Madje mu për këtë ekziston policia, gjyqësori e burgu, për t’i parandaluar dhe zvogëluar krimet, nëse qendra korrektuese-burgu dikujt nuk i bën dobi, atëherë përdorimi i dajakut sigurisht do të ishte alternativë.

Dikush mund të thotë: Po ku është mëshira dhe respektimi i të drejtave të njeriut?! Ne themi po, mëshira duhet të jetë, por nëse e mëshirojmë krimin dhe kriminelin, atëherë ne i kemi hapur rrugët atij/asaj për të manifestuar publikisht krimet e tij/saj. Pra për kriminelët nuk vlen mëshira, përkundrazi ata vetëm ndëshkimi i sjellë në vete. Pra, ngjashëm me fëmijën apo nxënësin kur e ndëshkojmë apo e qortojmë, kjo nuk do të thotë se nuk kemi mëshirë ndaj tyre, por përkundrazi ndëshkimi apo qortimi do t’i bëjë ata me vigjilent dhe më të vëmendshëm. Dhe së dyti, duke ndëshkuar vjedhësit ne kemi mëshiruar publikun, qytetarët dhe popullin në tërësi, ngase i kemi ruajtur pasuritë e tyre. Përndryshe nëse dikush mendon se edhe vjedhësi, apo cilido njeri i dëmshëm për shoqërinë, është qytetar që meriton mëshirën e shtetit dhe si i tillë duhet lënë i lirë, atëherë kjo lë të kuptohet se në një shtet të këtillë nuk funksionin ligji, por është shtet i bandave e mafiave dhe aty nuk ka berqet.

Ka ndodh shpesh të më kërkojnë qëndrim fetar/fetva në lidhje me përdorimin e forcës nga policia për të kapur, por edhe ndëshkuar hajnat, dhe unë kam thënë se ata i sjellë në vete vetëm shkopi. Vetëm burgimi nuk mjafton, veçanërisht në burgjet tona që për disa janë më luksoze sesa shtëpitë e tyre. Nëse dikush më akuzon për rigorozitet e ashpërsi, atëherë do të ‘lutesha’ që inshAllah atyre ua vjedhin makinën apo shtëpinë, e pastaj t’u bien ndërmend fjalët e mia dhe do të shohim se si do të reagojnë.

Të themi se duhet mëshiruar vjedhësin është njësoj sikur të themi se duhet të kemi mëshirë ndaj sëmundjes. Njeriu vuan nga sëmundje të ndryshme, ka dhimbje të mëdha, e ne i themi mjekut: Të lutëm mos e bë operacion se gjynah, mos ia këput këmbën apo gishtat e këmbës, sepse me këtë po shkelim të drejtat e pacientit për të pasur gjymtyrë.

Mendoj se udhëheqësit tanë duhet sa më parë të mendojnë pozitivisht si t’i kundërvihen seriozisht këtij fenomeni.

Lënda fetare nëpër shkolla do të ishte një alternativë e mirë edukuese dhe një shtytës për reflektim shpirtëror tek të rinjtë. Po ashtu gjyqësori duhet të jetë më syçelë, serioz dhe më i rreptë ndaj kësaj dukurie dashakeqe e shkatërruese, e cila dita ditës po e shndërron Kosovën në një ‘Bogotá të Kolumbisë’.

Allahu e drejtoftë popullin tim, amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.

Dr. Shefqet Krasniqi

Categories

Archives