Thursday, 20/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

9 Faktorët që të sjellin lumturi në shpirt!

9 Faktorët që të sjellin lumturi në shpirt!

lumturia

1- Faktori më i madh që sjell hapje të gjoksit dhe lumturi shpirtërore është teuhidi. Lumturia shpirtërore e njeriut do të jetë në varësi të përsosjes, fuqisë dhe shtimit të teuhidit. Sa më të përsosur e të fuqishëm që njeriu ta ketë teuhidin, aq më të hapur do ta ketë gjoksin dhe aq më shumë do të ndiejë kënaqësi shpirtërore. Allahu i Lartësuar thotë:

“A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të këtillë janë në humbje të qartë!” [Zumer, 22]. Po ashtu thotë:“Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. [En’am, 125].

Kësisoj, udhëzimi dhe teuhidi janë ndër faktorët më të mëdhenj të hapjes së kraharorit, ndërsa politeizmi dhe humbja janë ndër faktorët më të mëdhenj të shtrëngimit dhe ngushtimit të kraharorit.

2- Drita që Allahu hedh në zemrën e robit, pra drita e imanit. Drita e imanit e hap dhe e zgjeron gjoksin dhe e mbush zemrën me gëzim. Nëse kjo dritë nuk gjendet në zemrën e robit, ajo ngushtohet dhe shtrëngohet, ajo bie në burgun më të ngushtë dhe më të vështirë. Tirmidhiu shënon në Xhami se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kur hyn drita në një zemër, ajo hapet dhe zgjerohet”. Të pranishmit pyetën: “Cila është shenja e këtij zgjerimi, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “T’i kushtohesh Vendbanimit të Përjetshëm, të distancohesh nga Vendbanimi i Rremë dhe të përgatitesh për vdekjen para se të të bjerë”. Kështu, njeriut do t’i hapet gjoksi sipas pjesës së tij prej kësaj drite. Në fakt, e këtillë është edhe drita e dukshme, fizike, dhe errësira e dukshme: e para ta hap kraharorin dhe të jep qetësi, kurse e dyta ta shtrëngon.

3- Faktori i tretë është dija. Dituria e hap gjoksin dhe e zgjeron atë, duke e bërë ndoshta, shpirtërisht, edhe më të gjerë sesa dynjaja; ndërsa padituria shkakton ngushtim, kufizim dhe izolim në zemër. Sa më e gjerë të bëhet dija e njeriut, aq më i hapur dhe më i gjerë bëhet kraharori i tij.
Megjithatë, këtu nuk është fjalë për çdo lloj diturie, por për dijen e trashëguar nga i Dërguari i Allahut, pra për dijen e dobishme. Pikërisht, zotëruesit e kësaj dijeje janë njerëzit me gjoksin me të hapur, njerëzit më zemërgjerë, njerëzit me sjelljen më të mirë dhe njerëzit që bëjnë jetë më të mirë, më të këndshme dhe më të kënaqshme.

4- Të kthehesh tek Allahu i Lartësuar me pendim dhe duke bërë vepra të mira, ta duash Allahun me gjithë zemër, t’i kushtohesh Atij dhe të prehesh duke e adhuruar Atë. Nuk ka gjë që mund ta hapë gjoksin e t’i japë kënaqësi zemrës më shumë sesa kjo. Një njeri që prek një përjetim të tillë shpirtëror ndonjëherë mund të thotë: “Nëse do të jem në Xhenet në një gjendje si kjo, atëherë unë do të bëj një jetë të këndshme atje”.
Dashuria për Allahun e Lartësuar ka një ndikim të habitshëm në hapjen e gjoksit, kënaqjen e prehjen e shpirtit dhe lumturinë e zemrës, të cilën e di veçse ai që ka një ndjesi të tillë. Sa më e madhe e më e zjarrtë të jetë dashuria për Allahun, aq më i gjerë e më i hapur bëhet kraharori. Ai që ka një dashuri të tillë ndien ngushtësi në zemër veçse kur shikon njerëzit e papunë, të ngeshëm e të zbrazët nga kjo lloj dashurie: shikimi i tyre është pluhur për syrin e tij, kurse shoqërimi me ta përbën ethe për shpirtin e tij.
Ndër shkaqet më të mëdha të ngushtimit në kraharor është shmangia nga Allahu i Lartësuar, lidhja e zemrës me diçka tjetër veç Allahut, shkujdesja ndaj dhikrit të Tij, dashuria për diçka tjetër veç Tij, pasi ai që dashurohet pas diçkaje tjetër veç Allahut, do të torturohet për shkak të saj, duke e pasur zemrën të burgosur në dashurinë për atë gjë. Kjo bën që të mos gjendet mbi faqen e tokës njeri më të mjerë, më të trazuar, më të trishtuar, e me zemër më të shqetësuar sesa ai.
Kështu pra, janë dy lloje dashurie, njëra prej të cilave është xheneti i dynjasë, është kënaqësi për zemrën, është hare, lumturi, ushqim dhe ilaç për shpirtin, madje është jeta e shpirtit dhe kënaqësia e syrit; ajo është dashuria me gjithë zemër vetëm për Allahun. Në këtë gjendje, njeriu i kushtohet Allahut me prirjet, pasionet, dëshirën dhe tërë dashurinë. Dashuria tjetër është mundim dhe pikëllim për shpirtin, është burg për zemrën dhe ngushticë në kraharor, është shkaku i dhimbjes, trishtimit, brengosjes dhe mundimit, dhe ajo është dashuria për diçka tjetër veç Allahut të Lartësuar.

5- Përmendja e pandërprerë e Allahut të Lartësuar në çdo gjendje dhe në çdo vend. Dhikri ka një ndikim të çuditshëm në hapjen shpirtërore të gjoksit dhe në lumturinë e zemrës. Nga ana tjetër, shkujdesja ndaj dhikrit ka ndikim të çuditshëm në ngushtimin, izolimin dhe mundimin shpirtëror të gjoksit.

6- T’u bësh mirë krijesave dhe t’u bësh dobi atyre me të gjitha mënyrat e mundshme, si: me pasuri, me pozitë, duke i ndihmuar me trup e të tjera. Bujari, mirëbërësi është njeriu me kraharorin më të hapur; ai bën jetën me të këndshme dhe ka zemrën më të lumtur. Ndërsa koprraci, pra ai që nuk bën mirë, është njeriu që ndien ngushticën më të madhe në kraharor, bën jetën më të mjerueshme dhe është më i pikëlluari e më i brengosuri.
Në një hadith të saktë, Pejgamberi alejhi selam ka dhënë një shembull për koprracin dhe mirëbërësin: ata janë si dy burra të veshur me parzmore hekuri: sa herë që mirëbërësi bën mend të japë sadaka, parzmorja e tij hapet, shtrihet mbi trup dhe zgjerohet, aq sa ia mbulon krejt rrobat e trupin, madje i fshin edhe gjurmët që lë duke ecur në tokë; kurse koprraci, sa herë që bën mend të japë sadaka, çdo hallkë e parzmores i ngjitet dhe i shtrëngohet në vend, duke mos lejuar që të hapet e t’i mbulojë trupin. Ky është shembulli i hapjes dhe i zgjerimit shpirtëror të kraharorit të besimtarit që jep sadaka, dhe shembulli i ngushtimit dhe shtrëngimit të zemrës së koprracit.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Mrekullia në përkujdesjen për të moshuarit

7- Trimëria. Trimi e ka kraharorin të hapur, mendjen krejt të qetë dhe zemrën të gjerë. E kundërta ndodh me frikacakun: ai është njeriu me kraharorin më të ngushtë dhe zemrën më të kufizuar e më të izoluar. Gëzimi, hareja dhe kënaqësia që mund të përjetojë frikacaku është njësoj si ajo e shtazës, pasi ai është i privuar nga gëzimi, kënaqësia, lumturia dhe hareja e shpirtit, sikurse është i privuar prej tyre çdo kurnac, madje edhe çdo njeri që i ka kthyer shpinën Allahut, që është i shkujdesur ndaj përmendjes së Tij, që nuk e njeh Atë dhe as emrat, cilësitë dhe fenë e Tij, që e ka zemrën të lidhur me diçka tjetër veç Tij.
Sigurisht që, në jetën e varrit, lumturia shpirtërore shndërrohet në kopshte të gjera e të bukura, ndërsa ngushtimi dhe izolimi shpirtëror shndërrohet në vuajtje dhe burg. Kështu pra, gjendja e njeriut në varr, për sa i përket lumturisë ose mundimit, burgut ose hapjes dhe lirshmërisë, do të jetë si gjendja e zemrës në kraharor. Këtu nuk duhet të merret parasysh hapja e kraharorit të njërit për një shkak aksidental, dhe as ngushtimi i kraharorit të tjetrit po për një shkak aksidental, por për vetinë e qëndrueshme të zemrës, e cila sjell hapje e zgjerim, ose ngushtim dhe izolim. Pikërisht ky është kriteri i lumturisë ose mjerimit. Allahu na ndihmoftë!

8- Ndër faktorët më të rëndësishëm është edhe nxjerrja e asaj që dëmton shpirtërisht zemrën, domethënë eliminimi i tipareve të dëmshme e të dënueshme, të cilat i shkaktojnë zemrës ngushtim dhe mundim, dhe që bëhen pengesë për shërimin e saj. Kjo, për vetë faktin se, pajisja me faktorët të cilët zgjerojnë shpirtërisht kraharorin, pa nxjerrë vetitë korruptive e të këqija prej zemrës, nuk jep efekt për hapjen dhe zgjerimin e tij. Nëse në zemër vërtiten dy elemente: njëri i dëmshëm dhe tjetri i mirë, gjendja shpirtërore e këtij njeriu do të jetë sipas elementit që do të dominojë në zemrën e tij.

9- Lënia e shikimit të tepërt, bisedës së tepërt, dëgjimit të tepërt, shoqërimit të tepërt me njerëzit, ngrënies së tepërt dhe gjumit të tepërt, pasi këto teprica shndërrohen në dhimbje, pikëllime dhe dëshpërime për zemrën, çka bën që ajo të kufizohet, të izolohet, të ngushtohet dhe të mundohet. Madje, përgjithësisht, vuajtja e dynjasë dhe e ahiretit vjen prej tyre.
Mendo sa i ngushtë është kraharori i atij që i ka të gjitha të metat e mësipërme, sa e mjerueshme është jeta e tij, sa e keqe është gjendja e tij dhe sa fort e izoluar është zemra e tij. Dhe, nga ana tjetër, mendo sa e lumtur është jeta e atij që i ka të gjitha ato cilësi të lavdërueshme, që i aspiron ato dhe që prej secilës syresh ka bërë pjesë për vete. Ky njeri do të ketë pjesë të bollshme prej fjalës së Allahut të Lartësuar:

“Vërtet, të devotshmit do të jenë në lumturi” [Infitar, 13].

Ndërsa i pari do të ketë pjesë të bollshme prej fjalës së Allahut të Lartësuar:

“Dhe vërtet që të ligjtë, keqbërësit, do të jenë në Xhehim (Zjarrin flakërues)” [Infitar, 14].

Ndërmjet këtyre të dyve ka mjaft rangje te ndryshme lumturie e mjerimi, numrin e të cilëve e di vetëm Allahu i Lartësuar.
Qëllimi është që të bëjmë të ditur se i Dërguari i Allahut ka qenë krijesa më e përsosur në çdo veti me të cilën arrihet hapja e kraharorit, zgjerimi i zemrës, kënaqja e syrit dhe jeta e shpirtit. Muhamedi alejhi selam është krijesa më e përkryer në këtë hapje, këtë jetë dhe këtë kënaqësi, dhe kjo përveç faktit që Allahu i Lartësuar e veçoi dhe me hapjen fizike të kraharorit.
Sa më rigoroz të jetë njeriu në pasimin e Pejgamberit alejhi selam, aq më të plotë do ta ketë hapjen shpirtërore, kënaqësinë dhe lumturinë. Në varësi të pasimit të Pejgamberit alejhi selam, njeriu do të gjejë hapje shpirtërore, kënaqje të syrit dhe lumturi të shpirtit. Pejgamberi ynë alejhi selam qëndron në majën e përsosmërisë së hapjes të kraharorit, ngritjes së famës, heqjes së barrës së gjynaheve, por edhe ndjekësit e tij do t’i arrijnë këto gjëra, në varësi të ndjekjes së tij alejhi selam.
Po kështu, Allahu do t’i ruajë pasuesit e Pejgamberit alejhi selam, do t’i mbrojë nga të këqijat, do të largojë prej tyre dëmet, do t’i fuqizojë dhe do t’u japë ndihmë, sipas përpikmërisë së tyre në ndjekjen e tij alejhi selam. Rrjedhimisht, do të ketë njerëz që do t’u jepen këto mirësi me pakicë, dhe do të ketë të tjerë që do t’u jepen me shumicë. Kush gjen mirë, le t’i shprehë lavdi dhe mirënjohje Allahut, dhe kush gjen diçka ndryshe, të qortojë veçse vetveten.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “ZAD EL MEAD”
AUTOR IBN KAJIM EL XHEUZIJE.

Tags:

Categories

Archives