Saturday, 22/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Çfarë do të bëje ti në këtë rast?



Çfarë do të bëje ti në këtë rast?

Paramendo veten se e ke blerë një makinë të përdorur dhe pas një kohe në njërën nga ulëset e saj poshtë ke gjetur një pjesë ari mjaftë të shtrenjtë, vlera e së cilës tejkalon edhe çmimin e vetë makinës.

Apo, paramendo veten se ke blerë një shtëpi dhe derisa ishte duke u marrë me disa punë për të rregulluar atë, në një qosh të fshehur të shtëpisë ke gjetur një sasi të hollash apo edhe disa gurë të çmuar me vlerë të madhe.

A do të bëheshe aq modest ndaj vetes dhe ta kërkoje pronarin e tyre e t’ia ktheje?

Apo do ta konsideroje pasuri të fituar nga ti, pasi pronari nga i cili ke blerë makinën ose shtëpinë nuk di gjë për to. Do të ishte lehtë ta arsyetoje veten, posaçërisht me argumentin logjik se po ti takonte kjo pasuri pronarit, atëherë ai nuk do ta harronte. Kush do të harronte një pasuri kaq të madhe dhe nuk do ta kërkonte nëse e humb…

Para se të lë të gjykosh vetë në këtë situatë të shkojmë dhe të shohim një ndodhi për të cilën tregon Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e të shohim dallimin e madh ndërmjet atij që ka ambicie të përgatitet për këtë botë dhe ndërmjet atij që përkujdeset të parapërgatitet duke grumbulluar zahire që do t`i nevojiten pas shkuarjes nga kjo botë.





Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Muhamedi (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) ka thënë: “Me një rast një njeri bleu nga një tjetër një shtëpi. Ai i cili bleu shtëpinë gjeti një qyp me lira në këtë shtëpi. Ky shkoi te pronari nga i cili e kishte blerë shtëpinë dhe i tha: ‘Merre arin tënd, pasi unë nga ti kam blerë shtëpinë dhe jo arin.’ Por, pronari i cili ia kishte shitur shtëpinë dhe tokën nuk e pranoi dhe i tha: ‘Unë ta kam shitur tokën dhe atë çfarë ka në të’. Nga ky mospajtim u detyruan të kërkojnë zgjidhje te një person tjetër. Ai, para se të gjykojë, i pyeti se a keni fëmijë? Njëri u përgjigj se kishte një djalë, kurse tjetri kishte një vajzë. Ai u propozoi që djalin ta martojnë me vajzën dhe kjo pasuri të jetë për ata dy së bashku.”

Secili nga këta të dy nuk e kanë marrë arin për vete nga devotshmëria dhe frika që kishin që të mos depërtojë pasuri haram në shtëpitë e tyre, ose, së paku, pasuri që ishte e dyshimtë. Prandaj edhe nga kjo rezultoi besnikëria e ndërsjellë që t`i bashkojnë fëmijët e tyre në një familje të ndershme nga prindër të ndershëm. Padyshim që edhe pasardhësit e kësaj familjeje do të jenë të ndershëm dhe të mirë.

Kështu vepruan ata, që zemrat e tyre i kishin të pastra, të sinqerta, kurse po të na ndodhte kjo neve, si do të vepronim, kur zemrat na janë përlyer me të këqija, lakmi, epshe të pangopura, lusim Allahun e Lartësuar të mos na sprovojë me ndonjë gjë që nuk do të ishim në gjendje ta përballim si duhet…!

Alaudin Abazi