Tuesday, 25/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

33 Mësime nga sureja Jusuf

33 Mësime nga sureja Jusuf

kurani sure jusuf]

Në lidhje me ajetin e fundit të kësaj sureje, ku Allahu thotë, “Vërtet në tregimet e tyre ka mësim për njerëzit që kuptojnë.”

Ky tregim është nga tregimet më të mira nga që ka të bëjë me fazat e ndryshme të jetës – prej sprovës deri në fatkeqësi, prej të qenit i sprovuar deri në gjendjen e të qenit i bekuar, prej poshtërimit deri në madhështi, prej robërimit deri në mbretërim, prej përçarjes deri në bashkim, prej vuajtjes deri në gëzim, prej bollëkut deri në skamje, prej skamjes deri në tepri, prej vështirësisë deri në lehtësi, dhe prej mohimit deri në pohim. Pra, qoftë i bekuar Ai që e shpalli atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Prej mësimeve të përftuara nga kjo sure janë:

1. Dituria e interpretimit të ëndërrave është një degë shumë domethënëse e diturisë, të cilën Allahu ia jep kujtdo që Ai do prej robërve të Tij. Shumica e tyre [ëndërrave] bazohen në simbole që janë të dykuptueshme në domethënie dhe përshkrim. Se vërtet rëndësia e Diellit, Hënës dhe dymbëdhjetë yjeve që i ranë në sexhde Jusufit është se këto drita janë bukuria e qiellit dhe prej tyre buron dobia. Gjithashtu pejgamberët dhe dijetarët janë bukuria e kësaj toke, dhe nëpërmjet tyre njerëzimi udhëzohet nëpër errësirë mu ashtu siç udhëzohen me anë të dritës së yjeve, Diellit dhe Hënës. Për më shumë, pasi burimi i kësaj drite është nëna dhe babai i tij, është shumë e përshtatshme që Hëna dhe Dielli të simbolizojnë prindërit e tij, ngase nga ata buron drita më e madhe nga e cila ai dhe vëllezërit e tij janë lindur. Kështu, Dielli, që është emër femëror [në Arabisht] simbolizon nënën e tij ndërsa Hëna, që është emër mashkullor [në Arabisht] simbolizon babanë e tij dhe yjet simbolizojnë vëllezërit e tij.

2. Domethënia e ëndërrës së shokut të tij në burg, i cili e pa vetveten duke shtypur verë, është se ai i cili bën një punë të tillë zakonisht është shërbëtor i dikujt. Në këtë mënyrë, ai e interpretoi këtë se ky shok i burgut do të jetë shërbëtor i mbretit, dhe kjo do të garantojë lirimin e tij prej burgut. Në lidhje me domethënien e ëndërrës së atij, i cili pa shpezët duke ngrënë bukë nga maja e kokës së tij, Jusufi e interpretoi këtë ëndërr si shenjë se ai do të kryqëzohet nga që kafka e mbron trurin dhe njëherë pasi të kryqëzohet ndonjë person dhe të lihet në hapësirë [i ekspozuar], truri do të jetë i pambrojtur dhe si rrjedhim shpezët do ta hanë atë.

3. Në këtë ka dëshmi për vërtetësinë e pejgamberllëkut të pejgamberit Muhamed [salallahu alejhi ue selam], ngase ai ua kallëzoi popullit të vet këtë tregim të gjatë dhe ai kurrë nuk i pat lexuar librat e mëparshëm e as që mësoi nga ndokush.

4. Njeriu duhet të qëndrojë sa më larg që të jetë e mundur nga situatat që mund të çojnë në një përfundim të keq. Po ashtu [kjo tregon] edhe lejueshmërinë e moskallëzimit të asaj për të cilën mendohet se mund të jetë e dëmshme bazuar në thënien e Jakubit, “Ai [babai] tha: “O biri im! Mos ua trego vizionin tënd vëllezërve të tu, se mos po komplotojnë kundër teje.”

5. Lejueshmëria që personi t’ia përmend dikujt tjetër, si këshillë të sinqertë, ndonjë çështje që është e papëlqyer bazuar në ajetin, “Se mos po komplotojnë kundër teje.”

6. Bekimi që Allahu i dhuron një robit s’është thjesht i kufizuar vetëm në atë individ të caktuar, por ky është një bekim që përfshin atë, familjen e tij dhe shokët e tij. Dhe çfarëdo e mirë që arrihet është për shkak të atij personi, bazuar në thënien e Allahut, “Kështu Zoti yt të zgjedh ty dhe ta mëson interpretimin e ëndërrave [dhe gjërave tjera] dhe e përsos dhuntinë e Tija ndaj teje dhe pasardhësve të Jakubit, mu ashtu siç e përsosi atë [dhuntinë] ndaj baballarëve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut dikur! Vërtet, Zoti yt është i Gjithdijshëm, i Urtë.”

7. Rëndësia e të qenit i kujdesshëm ndaj pasojave të këqija të mëkatëve, nga që një mëkat shpesh çon në shumë të tjera. Sepse, vëllezërit e Jusufit provuan komplote të ndryshme kur ata deshën ta ndajnë atë nga babai i tij; ata gënjyen shumë herë, bënë pohime të rreme në lidhje me gjakun në këmishë, erdhën natën duke u shtirë se qanin, dhe e gjithë kjo ishte pasojë e një mëkati, një gjë që çonte tek tjetra.

8. Çështja e cila llogaritet në jetën e një robi është përfundimi i suksesshëm, e jo fillimi i mangët. Se fëmijët e Jakubit bënë atë që bënë, që ishte një akt shumë i dënueshëm, e më pas çështja e tyre përfundoi me një pendim të sinqertë, falje të plotë nga ana e Jusufit dhe babait të tij, dhe qe bërë d’ua [lutje] për ta, që ata të falen [nga ky gabim] dhe të kihet mëshirë ndaj tyre.

9. Disa të këqija janë më të vogla se tjerat dhe bërja e së keqes më të vogël apo më të pakët gjithmonë është më mirë. Se kur vëllezërit e Jusufit ranë dakord që ta mbysin atë apo ta hudhin në pus, njëri nga ata tha, “Mos e mbytni Jusufin, por nëse doni që me çdo kusht të bëni diçka, atëherë hudheni atë në fund të pusit.” Kështu sugjerimi i tij ishte më i mirë në krahasim me atë të vëllezërve të tij [përkundër asaj që kjo ende ishte një e keqe] dhe për shkak të kësaj, ai e pakësoi madhësinë e mëkatit që ata bënë.

10. Nuk ka mëkat për personin që blen, shet, apo përdor ndonjë gjë që konsiderohet mall sipas praktikave të përhapura [aktuale] të biznesit. E as që ka mëkat për atë që blen dhe s’është i informuar se si është përfituar malli. Se vëllezërit e Jusufit e shitën atë, gjë që është haram, transaksion i palejueshëm, e më pas ai u gjet nga një karavan njerëzish, të cilët e morën atë dhe e çuan në Egjipt dhe e shitën aty si një rob, dhe përkundër tërë kësaj Allahu iu referua atij si, “mall.”

11. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm që t’i shmanget veçimit me grua, e cila mund të bëhet shkak për fitne [sprovë/ngashnjim] dhe po ashtu duhet të kihet kujdes ndaj dashurisë e cila mund të jetë e dëmshme. Se bashkëshortja e mbretit e bëri atë që bëri për shkak të magjepjes nga Jusufi, gjë që e bëri [bashkëshorten e mbretit] që ta josh atë [Jusufin], të thotë rrena në lidhje me të dhe ta burgosë atë për një kohë të gjatë.

12. Prirja të cilën Jusufi do të kishte për gruan, por i rezistoi [epshit] për hir të Allahut është ajo që në të vërtetë e afron atë më shumë tek Allahu. Për shkak se ky lloj prirjeje është ndër sugjerimet më të këqija të shpirtit dhe është diçka që shumicës së njerëzimit i ndodh prej natyre. Mirëpo, dashuria dhe frika ndaj Allahut e mposhti thirrjen për përmbushjen e dëshirave. Kështu që ai është ndër ata “I cili ia kishte frikën qëndrimit para Zotit të tij, dhe u përmbajt nga dëshirat e papastra e të dëmshme dhe epshi.”Dhe po ashtu ndër “të shtatët të cilëve Allahu do t’u krijojë hije në Ditën kur s’do të ketë hije tjetër përveç Hijes së Tij: njeriu i cili thirret [për marrëdhënie të paligjshme] nga një grua e bukur dhe autoritative, por ai thotë: ‘Kam frikë Allahun.’”

13. Kurdo që Imani [besimi] të hyjë në zemër dhe njeriu t’ia kushtojë tërë çështjen e tij sinqerisht vetëm Allahut, Allahu me të vërtetë do të zmbraps dhe mbrojë njeriun nga të gjitha llojet e ligësive dhe vulgariteti, për shkak të Imanit dhe sinqeritetit të njeriut dhe thënies së Allahut, “Kështu qëndronte puna, me qëllim që Ne të largonim nga ai të këqijat dhe marrëdhëniet e paligjshme seksuale. Pa dyshim ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë.”

14. Kurdo që robi sheh ndonjë situatë që mund të jetë fitneh apo shkak për mëkat, ai duhet të ikë pre saj sa më larg që të jetë e mundur, që ta shpëtojë veten prej mëkatit.

15. Jusufi ishte i bukur së jashtmi dhe së brendshmi. Përsa i përket bukurisë së jashtme, kjo e bëri bashkëshorten e mbretit që të veprojë ashtu siç veproi dhe i bëri gratë tjera që t’i presin duart e tyre ndërsa thirrnin, “I pastër nga të metat është Allahu [apo mos dhashtë Allahu!] Ky s’është njeri! Ky s’është tjetër veçse një engjëll fisnik!” Bukuria e tij ishte për shkak të dëlirësisë së madhe të tij dhe vetëpërmbajtjes përkundër tërheqjes së madhe për të bërë mëkat. Për këtë arsye bashkëshortja e mbretit tha, “Unë u përpoqa ta josh atë, por ai refuzoi.”

16. Kur është atmosfera e përshtatshme për të bërë mëkat, robi gjithmonë duhet t’i kthehet Allahut dhe ta largojë vetveten prej forcës së tij personale bazuar në thënien e Jusufit, “Përveç nëse Ti e pamundëson komplotin e tyre ndaj meje, [përndryshe] unë do të anojë nga ata dhe do të jem ndër [ata që bëjnë mëkat dhe që meritojnë fajësimin] injorantët.”

17. Dituria dhe inteligjenca e shtyn njeriun që të bëjë vepra të mira dhe e parandalon atë nga ligësia. Injoranca, në anën tjetër, e thërret atë që është injorant për t’iu përshtatur dëshirave të tija, edhe nëse janë të dëmshme për të.

18. Mu ashtu siç robi e adhuron Allahun gjatë kohërave të rehatshme, njëlloj ai duhet ta adhurojë Atë edhe gjatë kohërave të vështira. Se Jusufi [alejhis-selam] vazhdimisht përkujtonte Allahun, kështu që kur hyri në burg ai vazhdoi të bëjë da’ue [të thërret për tek Allahu]. Ai i thirri në Teuhid dy miqtë e tij të rinj dhe i paralajmëroi ata nga Shirku. Që këtej, nga mendjemprehtësia e tij ai pa se ata reaguan në da’uen e tij, me ç’rast ata i thanë, “Ne shohim se ti je nga muhsinun [bamirësit].” Pra kjo ishte një shans i artë për da’uen që ai kishte nisur duke i thirrur ata për tek Allahu para se t’ua interpretonte ëndërrat e tyre, që synimi i tij [të thirrurit ata në Islam] të ishte më frytdhënës. Pra së pari ai ua sqaroi atyre se ajo që ata vërejtën tek ai nga veçoritë fisnike dhe erudicioni [dituria e thellë] i tij ishte rezultat i besimit në Allahun dhe të veçuarit e Tij në adhurim [Teuhid], dhe që ai kishte braktisur shtegun e atyre që nuk besojnë në Allahun dhe Ditën e Fundit. Kështu që ai së pari u bëri da’ue nëpërmjet veprave të tija, e më pas u bëri da’ue me të folur duke ua sqaruar atyre çoroditjen e Shirkut dhe realitetin e Teuhidit.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Leximi i kaptinës "El-Bekare"në shtëpi

19. Rëndësia e prioriteteve. Se kur qe pyetur ai nga dy të rinjtë që t’i interpretojë ëndërrat e tyre, ata kishin nevojë më të madhe për disa gjëra tjera më të rëndësishme para se t’u jepej përgjigjja në pyetjet e tyre. Kjo është shenjë e mësuesit që posedon inteligjencë të shumtë dhe aftësi për të udhëzuar dhe mësuar me korrektësi, ngase kur Jusufi qe pyetur nga dy të rinjtë në lidhje me ëndërrat e tyre, ai së pari i thirri ata për tek Allahu para se t’i interpretonte ëndërrat e tyre.

20. Nëse personi bie në ndonjë situatë të vështirë dhe kërkon ndihmë prej ndokujt për të cilin mendon se mund t’ia lehtësojë situatën, kjo nuk konsiderohet mbështjetje në të tjerët [në vend të Allahut] dhe për këtë person nuk ka mëkat nëse vepron kësisoji. Kjo ngase gjithmonë ka qenë adet i njerëzve që të kërkojnë ndihmë prej njëri-tjetrit në të tilla çështje. Që këtej, Jusufi i tha atij për të cilin e dinte se do të shpëtonte, “Më përmend te zotëriu yt [dmth te mbreti yt, që të më nxjerr prej burgut].”

21. Ai që e mëson dikë duhet që gjithmonë të përpiqet të ketë sinqeritet të plotë kur i mëson të tjerët, dhe ai s’duhet që ta përdorë pozitën e tij për të përfituar pasuri, statut apo interes personal. Për më shumë, ai s’duhet të refuzojë që të japë këshillë apo dituri edhe nëse ai që është duke e mësuar apo këshilluar nuk vepron ashtu siç ka kërkuar [mësuesi] prej tij. Se vërtet Jusufi [alejhis-selam] e këshilloi njërin nga të rinjtë që ta përmend gjendjen e tij tek mbreti, por ai harroi dhe nuk e përmendi atë. Mirëpo, kur erdhi koha kur ai kishte nevojë për të, ai dërgoi dikë për ta marrë Jusufin. Përkundër kësaj, Jusufi nuk e ndëshkoi atë [shokun e burgut] për atë se kishte harruar ta përmend gjendjen e tij tek mbreti, por i dha përgjigje të plotë në pyetjen e tij.

22. Nuk ka mëkat për personin kur ai e mbron veten kundër akuzave të rrejshme. Madje, kjo është një gjë e lavdërueshme. Meqenëse Jusufi refuzoi ta lëshonte burgun gjersa të dëshmohej pafajësia e tij.

23. Interpretimi i ëndërrave është degë e shkencave Islame, dhe personi shpërblehet nëse e studion dhe e mëson atë. Interpretimi i ëndërrave po ashtu bie në kategorinë e dhënies së fetvave, ngase ai u tha dy të rinjëve, “Kështu qëndron puna në lidhje me çfarë pyetët ju të dy.” [tes’teftitejan – kërkuat fetva]. Mbreti tha, “Ma shpjego [aftuni – më jep fteva për] ëndërrën time,” kurse i riu i tha Jusufit, “Na shpjego [eftina – na jep fetva për] domethënien e [ëndërrës së] shtatë lopëve të majme.” Në këtë mënyrë, s’është e lejuar që të interpretohet ëndërra përveç se me [Sheriat] dituri.

24. Pëderisa personi të mos jetë me pretendime apo i pandershëm, ai s’duhet të kritikohet nëse i njofton të tjerët për cilësitë e tija të lavdërueshme, nëse me këtë ka për qëllim dobinë e përgjithshme bazuar në thënien e Jusufit, “Më bëj përgjegjës mbi depot e vendit; vërtet unë do të kujdesem për to besnikërisht.” Njëlloj, udhëheqësia s’është diçka e qortueshme nëse ai që është përgjegjës i përmbush të drejtat e Allahut dhe të drejtat e robërve të Tij sipas mundësive më të mira që i ka.

25. Allahu është shumë bujar ndaj robërve të Tij duke u dhënë atyre më të mirën nga kjo botë dhe tjetra. Mënyra për të arritur më të mirën e jetës së përtejme është pasja e imanit dhe takuas [frikë ndaj Allahut]. Robi përherë duhet ta lus Allahun për shpërblimin dhe dhuratat e Tija, dhe s’duhet të dëshpërohet kurdo që mund të sheh njerëz duke u kënaqur me kënaqësitë e kësaj bote në çka ai s’ka mundësi të marrë pjesë. Por, ai duhet ta lus Allahu për shpërblimin e madh dhe dhuratat e Tija në këtë botë dhe në jetën e përtejme bazuar në thënien e Tij, “Vërtet, shpërblimi i jetës së përtejme është më i mirë për ata që besuan dhe që kishin frikë Allahun dhe i kryenin detyrat ndaj Tij.”

26. Është prej “Sunetit” të pejgamberëve që të priten mysafirët dhe të nderohen bazuar në thënien e Jusufit, “A nuk sheh që unë e bëj matjen si duhet dhe që unë jam nikoqiri më i mirë?”

27. Pasja e mendimeve të këqija për ndokënd s’është e ndaluar në çdo rast nëse ka prova që e mbështesin këtë dyshim. Se vërtet, Jakubi u tha bijve të tij pasi ata u kthyen tek ai dhe thanë se ujku e ka ngrënë Jusufin, “Assesi! Por ju vetë e fabrikuat këtë.” Dhe ai tha në lidhje me vëllanë tjetër të tij, “A t’jua lë në dorëzim atë ashtu siç jua lash në dorëzim vëllanë e tij [Jusufin] dikur?”

28. Nëse njeriu s’do që të tjerët të dinë për diçka që ai posedon apo çfarë ka për qëllim ta bëjë, ai duhet të përdorë një mënyrë delikate të shushatjes e cila nuk përmban rrenë. Siç bëri Jusufi kur ai vendosi vazon e artë në çantën e vëllait të tij, dhe më pas e nxjerri vazon e artë nga çanta e tij për t’i bërë ata që të mendojnë se vëllai i tyre e ka vjedhur atë. Dhe pas kësaj tha, “Mos dhashtë Allahu që ne të kërkojmë ndihmë prej tjetërkujt pos Tij në gjetjen e pasurisë sonë.” Vëni re! Ai nuk tha, “Ne e gjetëm pronën tonë tek ai,” ose “Ai e vodhi pronën tonë.” Por, ai bëri një deklaratë të përgjithshme e cila mund të aplikohet në këtë situatë si dhe në të tjerat, dhe s’ka asgjë të keqe në atë çfarë ai bëri. Se e tërë ajo që ai bëri ishte të bërit ata që të mendojnë se vëllai i tyre vodhi vazon e artë, vetëm që vëllai më i ri i tij të mbetej me të, ashtu siç ishte menduar.

29. S’është e lejueshme për njeriun që të dëshmojë, përveç për atë në lidhje me çka ka dituri të sigurt. Ai e merr këtë dituri qoftë duke dëshmuar vetë në këtë apo duke u informuar nga një person i besueshëm, bazuar në thënien e vëllezërve të Jusufit, “Ne nuk dëshmojmë veçse sipas asaj çfarë dimë.”

30. Lejueshmëria e njoftimit të të tjerëve për veshtirësitë me të cilat përballet njeriu, përderisa kjo nuk bëhet në një mënyrë e cila tregon se personi është zemëruar me përcaktimin e Allahut, ngase vëllezërit e Jusufit u ankuan, “O sundues i vendit! Ne dhe familja jonë jemi në një gjendje të vështirë,” dhe Jusufi nuk bëri vërejtje në pohimin e tyre.

31. Vlerat e takuas dhe sabrit [durimit], ngase çdo e mirë në këtë jetë dhe në tjetrën është rezultat i takuas dhe sabrit bazuar në thënien e Allahut, “Vërtet, Allahu është treguar i mëshirshëm ndaj nesh. Ai që ka frikë Allahun dhe është i durueshëm, atëherë, vërtet, Allahu nuk ua humb shpërblimin muhsinunëve [bamirësve].”

32. Atë të cilin Allahu e ka bekuar pas gjendjes së varfërisë apo ankthit, ai duhet t’i njohë dhuntitë e Allahut që i janë dhënë atij duke përkujtuar vazhdimisht gjendjen e mëparshme. Kështu ai do të jetë në gjendje të falënderojë Allahun sa herë që përkujton gjendjen e tij të mëparshme, siç ka thënë Jusufi [alejhis-selam], “Vërtet, Ai ishte i mirë ndaj meje, kur Ai më nxorri prej burgut dhe ju solli [të gjithëve këtu] nga jeta fshatarake, pasi që shejtani ngjalli urrejtje mes meje dhe vëllezërve të mi.”

33. Robi gjithmonë duhet ta lartësojë Allahun për atë se Ai e bëri të qëndrueshëm në iman duke bërë vazhdimisht vepra që e bëjnë imanin e njeriut të vendosur. Po ashtu njeriu gjithmonë duhet t’i lutet Allahut që ai te ketë përfundim të suksesshëm duke e përsosur dhuntinë e Tija ndaj njeriut, bazuar në d’uan [lutjen] e Jusufit [alejhis-selam], “O Zoti im! Vërtet Ti më ke bërë sovran dhe ma mësove interpretimin e ëndërrave – Krijuesi i qiejve dhe tokës! Ti je ueli [mbrojtësi, ndihmësi, përkrahësi, kujdestari, etj.] im në këtë botë dhe në jetën e përtejme. Më bën të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët.”

Kjo është me dëshirën e Allahut; kjo është ajo çka Ai ma bëri të mundur të përmendi në lidhje më dobitë dhe mësimet e marra nga ky tregim i bekuar. Mirëpo ai që mendon më thellë, me siguri do të gjejë dobi të tjera nga kjo sure, përveç atyre që u përmendën. Kështu që ne e lusim Allahun, më të Lartin që të na bekojë me dituri të dobishme dhe vepra që janë të pranueshme për Të. Vërtet, Ai është më Bujari, më i Mëshirshmi.

Tags:

Categories

Archives